Rama emëron drejtor Porti në Shëngjin mikun e Arben Ndokës

Kryeministri Edi Rama ka emëruar drejtor të Portit të Shëngjinit mikun e ish-deputetit të PS, Arben Ndoka. Qeveria ditën e djeshme shkarkoi nga detyra drejtorin e Portit të Shëngjinit, Gjovalin Tusha, i cili e ka mbajtur këtë post për katër vite, ndërsa në vend të tij është emëruar Ermal Pacaj, kryetar i FRESSH për Lezhën.
Pacaj është i njohur si nga njerëzit e afërt të ish-deputetit socialist, Arben Ndoka, të cilin ambasadori amerikan e ka përmendur si një nga zyrtarët më të lartë të kapur nga krimi dhe korrupsioni.
Lidhur me deklaratën e ambasadorit Donald Lu, reagoi edhe Ndoka përmes një shënimi në ‘Facebook’, duke thënë se në politikë është futur për të ndihmuar njerëzit. Nga ana tjetër, kryetari i FRESSH-it dhe njëkohësisht drejtori i ri i Portit të Shëngjinit, deklaratën e bërë nga Ndoka në Facebook, e ka shpërndarë në rrjetin e tij social.
Mirëpo, ky nuk është postimi i vetëm. Nëse kundron me vëmendje postimet e bëra nga Ermal Pacaj në profilin personal në ‘Facebook’, vë re një mbështetje shumë të fortë ndaj ish-deputetit Ndoka.
Në një tjetër postim që mban datën 30 qershor, Pacaj e krahason ish-deputetin Ndokaj me një personazh të njohur të letërsisë botërore, me Zhan Valzhanin e Viktor Hygojt.
“T’gjithë e njohim dhe e duam Valzhanin e Hygoit, personazhi i veprës monumentale “Të Mjerët”, të cilin Zhaveri e hetoi, e ndoqi dhe e luftoi, por nuk e mundi dot. Dhe me të njëjtën babëzi si të Zhavierit, të padrejtët në emër të drejtësisë, hajdutët në emër të ndershmërisë dhe politika në t’pa emrin e saj e luftuan edhe Benin”, shkruan Pacaj në Facebook.
Rama ka vendosur që të mos i shkëpusë lidhjet me njerëzit e inkriminuar, duke i emëruar ata në poste të rëndësishme qeveritare.

Exit mobile version