Propagandizmi që shkel mbi plagë

Nga Preç Zogaj

Më qëlloi të lexoja javët e fundit librin “Kohët e betejave”, të ish Presidentit të Francës, Nikolas Sarkozi, në të cilin autori tregon ngjarje dhe episode nga pesëvjeçari i tij në pushtet (2007-2012).

Më la përshtypje të thellë një ngjarje shumë e bukur ku politikja me njerëzoren, detyra me  shpirtëroren bëhen një: Sarkozi informohet nga deputetë të Normandisë për arrestimin dhe burgosjen, sipas tyre shumë të dyshimtë, në Meksikë të Florenc Casses, një vajzë franceze, që akuzohej si pjesë e një organizate trafikantësh të lëndëve narkotike dhe rrezikonte një dënim shumë të rëndë. Presidenti pret në pallatin “Elisse” prindërit e Florens, merr informata më të thelluara nga ambasada e Francës në Meksiko dhe nga  burime të tjera, krijon një bindje të veten se vajza se kishte renë në kurth apo e kishte kapur lapsi nuk e meritonte një trajtim kaq të sertë si ai që po i rezervohej nga drejtësia meksikane. Dhe çfarë bën? Duke shfrytëzuar marrëdhëniet në dukje shumë të mira me homologun e tij meksikan, vendos të impenjohet familjarisht për t’i ardhur në ndihmë, natyrisht në respekt të pavarësisë së pushtetit gjyqësor.

Dërgon gruan e tij, Carla Brunin në Meksikë, i shkruan Presidentit meksikan të kohës, Garsia Luna, dhe e shtron çështjen e Florenc në një bisedë informale më të gjatë një vizite në Meksiko. Papritur konstaton se demarshi i tij po ndesh në një varg peripecish e ndërlikimesh të pakuptueshme, të dyshimta. Pabesueshëm, pozita e të burgosurës rëndohet me keq.  Sarkozi e sheh veten të sfiduar nga fuqi të padukshme, ndihet i fyer nga homologu i tij meksikan që pasi ia ka bërë mbarë, nguroset  dhe s’do të dëgjojë të flitet për francezen e burgosur.

Sarkozi nuk heq dorë, madje e merr me një inat me të madh, kërkon ndihmën e Papës Razinger, i kërkon Shenjtërisë së tij të konsultojë dhe verë në lëvizje klerin meksikan. Kisha meksikane përfshihet në përpjekjen për rishikimin e rastit “Florens Casses”, por mali i shurdhërisë dhe cinizmit qëndron i patundur. Florenc vazhdon të vuajë dënimin e rëndë në burg. Gjatë kësaj kohe Presidenti i Francës e merr herë-pas-herë në telefon nga zyra e tij, i jep kurajo, e mban me shpresë. Duke e ditur se biseda përgjohet, ai kërkon t’u bëjë me dije autoriteteve të Meksikës se ai dhe Franca nuk e kanë braktisur bashkë-atdhetaren dhe shtetasen e tyre.

Për të mos e zgjatur, fundi i historisë është ky: në vitin 2013 Gjykata e Lartë e Meksikës shpall të pafajshme Florens Casses, Ministri i Brendshëm i Meksikës, që kishte luajtur fijet e intrigës, dënohet  me burg për lidhjet e tij me banda të narkotrafikut. Presidenti, një marionetë e Ministrit, zhvendoset në Spanjë ku jeton sot e kësaj dite, i akuzuar por i pagjykuar.

Fraza që sintetizon këtë histori është ajo që shkruan vetë Sarkozi: “Përse na shërben ky pushtet kaq i madh që na është besuar nëse nuk e përdorim gjithashtu për të lehtësuar padrejtësi individuale”.

Ky episod kaq kuptimplotë dhe prekës nga një libër voluminoz sikur më kërkoi me zë të lartë ta ndaja me lexuesit e mi, teksa më qëlloi të dëgjoja bisedën e kryeministrit Edi Rama me të ftuarën e radhës, këngëtaren Elsa Lila, në podcastin e tij. Thënë ndryshe, në studion e tij, në kryeministri.

Elsa Lila më pëlqen si këngëtare, me pëlqen kur flet për muzikën, për jetën e saj, për jetën në përgjithësi, për kompozitorë të muzikës baroke, sidomos për Antonio Vivaldin.

Pak ditë më parë e kisha  dëgjuar në një intervistë shteruese me Blendi Fevziun, në emisionin “Opinion”.  U bëra kureshtar të mësoja ç’të reja mund të kishte për të  thënë në studion e kryeministrit.

“Të  rejat” nuk i gjeta në rrëfim, që ishte një riprodhim i zbehtë i bisedës së mëparshme në “Opinion”.  Por  mund të gjendeshin në të çarat, të pathënat dhe retiçesat e saj.

“Kur u arrestove, përse u arrestove, sa kohë ndenje në qeli, a e kishe sensin e kohës, si mbaroi ai makth”? – ishin disa nga pyetjet e kryeministrit.

Janë çarë mediat këndej dhe andej Adriatikut për arrestimin dhe kalvarin e dhimbshëm të artistes  shqiptare në Itali vitin e shkuar. Kush nuk e mori vesh!

Kurse Rama, sipas asaj që linin për të kuptuar pyetjet e tij, nuk dinte asgjë. Ndoshta bënte të paditurin për t’i dhënë mundësi të ftuarës të shpjegohej, pra, për hir të audiencës. Mund të ishte kështu, por kryeministri nuk është gazetar, nuk ishte i pari që po e intervistonte Elsën. Ky lloj  “rregulli” për t’ja nisur nga e para nuk ka kuptim për kryeministrin e vendit. Elsa kishte arsye të ndihej  e çuditur, për të mos thënë e fyer që ai nuk dinte gjë.

Rama e dëgjonte rrëfimin e kalvarit të Elsës, në qeli me pozën prej të befasuari dhe të prekuri, duke mos u kujtuar se po demaskonte ashtu indiferencën e tij ndaj të ftuarës, kur ajo e kishte pësuar padrejtësinë. Dhe nuk kishte qenë një goditje ndaj një shtetase të thjeshtë, siç ishte francezja Florenc Casses për Nikola Sarkozi, – sado që, çdo shtetas që bie në telashe të ngjashme e meriton interesimin e institucioneve të vendit të vet, – por ndaj një artisteje të madhe me një jetë të trazuar.  Dhe vetë Elsa, për edukatë, për të lejuar rrjedhën e bisedës, apo ngaqë i është dukur normale të braktiset nga shteti i saj apo kushedi pse, nuk tha asnjë fjalë.

Rama nuk ishte bërë i gjallë në ditët e vështira të artistes. Por e deshi në podkastin e tij në ditë të mirë, teksa ajo kishte ardhur në Shqipëri si e pafajshme për recitalin e ringritjes nga hiri.

Ajo shkoi. Për respekt, patjetër. Kishte dëgjuar me siguri për podkastin, atë lloj skene apo “aeropagu” pa të dytë në kabinetet e kryeministrave të Perëndimit, që Rama e ka krijuar kryesisht  për të zbukuruar vitrinën e pushteti të tij me të ftuar të shquar nga fusha të ndryshme, mes të cilëve ka kurdoherë prej atyre që kanë kultin e pushtetit dhe besojnë se podkasti është “institucioni” shugurues i njohjes dhe nderimit më të lartë.

Si i tillë, këngëtares Elsa Lila nuk i vlente për asgjë. Biseda e saj në podcastin e Ramës do të kishte kaluar si plot të tjera, pa  ndonjë domethënie të veçantë. Por, pa e çuar nëpër mend, thjesht duke iu përgjigjur pyetjeve me sinqeritet, ajo  bëri të spikaste cinizmi i një propagandizmi të vetëkënaqur, që  nuk kujtohet se i ka munguar detyrës a humanizmit kur është dashur dhe as në çfarë pengjesh e  plagësh të të tjerëve shkel.

/Liberale.al/

 

Exit mobile version