Prokuroria: Letra nga Italia për pajisjen e përgjimit e pavlerë, nuk ka firmë dhe vulë

Prokuroria e Tiranës e cilëson të pavlefshme përgjigjen që ka ardhur nga Italia pas hetimeve të nisur në bazë të indicieve se një pajisje e paligjshme po përdoret për të përgjuar krerë të institucioneve kryesore në kryeqytet. Burime të “Ora News” nga Prokuroria e Tiranës deklarojnë se “letra e ish-drejtorit të policisë italiane, Alesandro Panza, në formën e mbërritur në Prokurorinë Shqiptare, nuk mund të konsiderohet si material proçedurial”. “Shkresa e Panzas nuk ka firmë, vulë dhe datë. Nuk ka të përcaktuar se me çfarë cilësie e ka shkruar letrën e përcjellë nga ambasadori i Italisë në Shqipëri”, bëjnë të ditur burime të “Ora News”, ndërsa shtojnë se Prokuroria Tiranë ka kërkuar informacion nga Interforza.  “Nëse Panza ka dërguar shkresë në cilësinë e eprorit më të lartë të Interforza, atëherë në letrën e tij nuk gjenden përgjigjet mbi informacionin e kërkuar nga Prokuroria Tiranë”. Sakaq bëhet e ditur se ky institucion është në pritje të informacionit të kërkuar nga Interforza. Reagimi vjen dy ditë, pasi Alesandro Panza, në cilësinë e drejtorit të policisë italiane i dërgoi një letër Prokurorit të Përgjithshëm  ku theksohet se pala italiane ka dërguar një pajisje që nuk është përdorur për asnjë lloj përgjimi dhe se ka qenë gjithmonë në zotërim të palës italiane vetëm për qëllime trajnimi.
Pas një letre të mbërritur në Tiranë një ditë më parë me autor Alesandro Panza drejtorin e larguar, disa ditë më parë nga kreu i Policisë Italiane, kanë lindur dyshime të reja. Siç shkruan Corriere della Sera Franco Gabrielli, ish-prefekti i Romës dhe Akuilas, ka marrë zyrtarisht detyrën  mëngjesin e sotëm. E po pikërisht dy ditë më parë në Tiranë mësohet se ka mbërritur edhe letra e nënshkruar nga Panza, i cili sipas të njëjtës gazetë italiane ishte larguar nga detyra që në datën 29 prill, ditë para se të plaste skandali i përgjimeve në Tiranë. “Franco Gabrielli është bërë kreu i Policisë Italiane. Prefekti dhe polici, që më parë ka mbajtur edhe detyrën e drejtorit të Sisde, pastaj prefekt i Akuilas dhe shef i Departamentit të Mbrojtjes Civile dhe që nga prilli i 2015 zbuloi “Mafia Capitale”, që 29 prillit ishte emëruar si kreu i Policisë”, shkruan Corriere Della Sera.
Ish drejtori i Policisë Italiane, Alesandro Panza i çon Adriatik Llallës përmes Ambasadës italiane, konfirmon se pajisja nuk është përdorur për asnjë lloj përgjimi dhe se ka qenë gjithmonë në zotërim të palës italiane vetëm për qëllime trajnimi. Sipas ish numrit një të Policisë italiane, me vënien në zbatim të kësaj marrëveshje, në 11 mars të 2016 janë nisur në Tiranë dy operatorë të specializuar nga forcat e policisë italiane me detyrën për të zhvilluar aktivitete ne për trajnimin e policisë lokale. “Në këtë pikë, personeli italian merr me vete, për aktivitet stërvitore të cituara, një autoveturë me në ekuipazh një aparaturë të quajtur ‘IMSICATCHER’, modeli Vortex i prodhuar nga kompania Ercom, e instaluar në brendësi të makinës”.
Nga ana tjetër, Prokuroria shqiptare vijon hetimet për këtë pajisje përgjimi dhe ka marrë në pyetje disa titullarë të institucioneve ligjzbatuese në vend.

Interforza përgënjeshtroi policinë shqiptare

Interforca pranon se ka një aparaturë përgjimi, por që shërben për identifikimin e numrave serial së kartave SIM dhe kodin IMEI të aparatit celular ose numrin identifikues të tij. Në fakt, ajo që Interforca ka pranuar dje është një shkelje e hapur e ligjit shqiptar,  pasi Parlamenti e rrëzoi projektin e qeverisë për përgjimin përmes IME-it. Kjo bën direkt përgjegjës shkelësit e ligjit. Kur Tahiri u pyet mbrëmë në lidhje me këtë fakt, ministri nuk dha përgjigje. Ai heshti duke pranuar shkeljen e ligjit. Ajo çfarë dihet publikisht, ministri Tahiri dhe  titullarët e ministrisë janë shprehur se ajo ka qëndruar në ambjentet e Shkollës së Policisë. Atëherë pyetja që shtrohet është kush dhe pse po gënjen shqiptarët? Mësohet se të dhënat e Interforca-s janë dërguar pas interesimit të Prokurorisë shqiptare nëpërmjet ambasadës italiane. Në dokumente pranohet ekzistenca e kësaj pajisje. Interforca në letrën e kthimit të përgjigjes, thotë se kjo pajijse ndodhet në zyrat e tyre dhe përdoret vetëm për trajnimin e agjentëve të policisë.  Në shkresën që mban firmën e kreut të Interforcës italiane, Michele Grillo, thuhet se kjo pajisje shërben vetëm për identifikimin e numrave serik të kartës SIM dhe numrin identifikues të aparatit celular që njihet ndryshe si IME-i i telefonit. Kjo pajisje, thotë Grillo në shkresën dërguar prokurorisë, është përdorur në kuadër të bashkëpunimit dhe ndihmës që interforca italiane i jep policisë shqiptare dhe asnjëherë nuk është përdorur për ndonjë operacion policor. Edhe gjatë trajnimeve, thuhet në shkresë, përdorimi i saj asistohet vetëm me ekspert të policisë italiane, pasi pajisja është mjaft delikate. Pohimet e bëra sa më sipër nga autoritetet italiane nxjerrin mashtrimin e palës shqiptare, sipas të cilave nuk ka pasur pajisje përgjimi.

Exit mobile version