Prokurorët: Kutia e zezë e helikopterit u dëmtua

“Kutia e zezë” që shërben për të zbardhur shkaqet e rrëzimit të helikopterit në Liqenin e Shkodrës është dëmtuar. Burime nga grupi hetimor bëjnë të ditur se, “kutia e zezë” ose “kamera” e helikopterit është shkatërruar ndryshe nga sa garantohet një objekt i tillë që shërben për gjetjen e shkaqeve të rrëzimit të avionëve dhe helikopterëve. Kjo kamer, sipas ekspertëve, filmon gjatë gjithë kohës që helikopteri është i ndezur deri në momentin e fikjes dhe është i vendosur brenda disa kutive plastike rezistente ndaj ujit ku pamjet e filmuara dhe zëri nuk dëmtohen apo shkatërrohen edhe nga thyerja.
Pas nxjerrjes nga uji u publikuan fotot e kutisë së zezë dhe dukej qartë që ajo ishte ndarë në disa copa në një kohë që është e pamundur që kutia e zezë të shkatërrohet sado i rëndë që mund të jetë aksidenti. Ajo është e grantuar nga çdo rrezik, ndërsa në rastin e Shkodrës, kutia është çmontuar dhe janë fshirë pamjet filmike të saj që tregojnë shkakun e rrëzimit të helikopterit. Nga liqeni ka qenë e pamundur të nxirren pjesë të vogla të saj, kështu që dëmtimi i kutisë së zezë ka ndodhur pas nxjerrjes nga uji. Dëmtimi i kutisë është konstatuar edhe nga prokurorët e Shkodrës, të cilët po hetojnë shkaqet e rrëzimit të helikopterit.
Prokuroria e Shkodrës regjistron procedimin penal për helikopterin e rrëzuar se në Liqenin e Shkodrës janë shkelur rregullat e fluturimit ajror dhe për lëvizje të trupave ushtarake pa të drejtë apo pa një shkak të ligjshëm. “Shkelje të rregullave të fluturimit ajror” dhe “Lëvizje e trupave pa të drejtë”, janë dy akuzat për të cilat do të merren nën hetim edhe eprorët e pilotëve. Burimet nga organi i akuzës së qytetit verior bënë të ditur se, nga verifikimet paraprake, procedimi penal është regjistruar për këto dy vepra penale të parashikuara në Nenin 48 dhe 83 të Kodit Penal Ushtarak. Për veprën penale të “Lëvizjes së trupave pa të drejtë”, mendohet se do të mbajnë përgjegjësi eprorët e pilotëve, pasi kanë lejuar ngritjen e helikopterit pa një urdhër specifik apo plan masash të detajuar dhe arsyetuar për misionin e kryer, siç parashikon rregullorja.

Kush e dëmtoi kutinë e zezë?

Ish-komandanti i Forcave Ajrore, Frederik Beltoja në një komunikim për News 24, duke iu referuar “kutisë së zezë” tha se, “helikopteri ka një pajisje që regjistron minutat e fundit të fluturimit, të gjithë të dhënat teknike, pajisjet që kanë qenë në punë, fuqinë e helikave, gjendjen e motorit apo edhe sasinë e kaburantit. Kur këto elemente futen në 3 dimensionalë riprodhojnë pozicionin e helikopterit në raport me kërkesat teknike dhe kështu mund të kuptohet se çfarë ka ndodhur”.
Kjo, kur kutia e zezë nuk është e dëmtuar, por ajo që bartte helikopteri i tragjedisë në fjalë çuditërisht është e dëmtuar. “Kutia e zezë nuk mund të dëmtohet, sepse është e ndërtuar në mënyurë të tillë që të mund t’i rezistojë përplasjeve të forta”, deklaroi ish-komandanti Beltoja, duke rikthyer edhe njëherë dyshimet se, autoritetet shtetërore vazhdojnë të fshehin diçka përpara syve të shqiptarëve dhe po e bëjnë këtë me aparaturën që vihet re më shumë në këto lloj tragjedish, e që është “kutia e zezë”.

Pse nuk bëhen publike regjistrimet e ngritjes së helikopterit…?!

Organi i akuzës dyshon se janë shkelur rregullat e fluturimit dhe se fluturimi ka qenë pa një shkak të ligjshëm. Helikopteri EC 145 me numër bordi 637, ditën që u rrëzua në Liqenin e Shkodrës, mësohet se u ngrit nga baza ajrore pa dijeninë e Qendrës së Kontrollit dhe Raportimit. Për flurimin e fundit të këtij helikopteri, të enjten e javës së kaluar, mësohet se kjo qendër, e njohur ndryshe si Kulla e Trafikut Ajror nuk ka të regjistruar ngritjen e këtij mjeti.
Verifikimi i këtij fakti është i thjeshtë… Mjafton të bëhen publike regjistrimet e këtij fluturimi. Burimet bëjnë të ditur se, Kulla e Trafikut Ajror në Farkë, megjithëse ka një personel prej 21 personash, nuk disponon gjurmë të ngritjes së helikopterit. Të njëjta burime “sfidojnë” cilindo që pretendon të kundërtën, të vërë në dispozicion apo të bëjë publik diskun e fluturimeve të ditës së enjte të javës së kaluar. Një mungesë e tillë e regjistrimeve apo e diskut të fluturimeve, hedh hije dyshimi se, helikopteri nuk është ngritur për ndonjë mision ushtarak…
Helikopteri EC-145 që u rrëzua në Liqenin e Shkodrës kishte në bord vetëm dy profesionistë, dy personat që mbetën të vdekur nga rrëzimi. Personi i tretë që për fat shpëtoi ishte ushtari profesionist Gerald Baramuça me detyrë zjarrfikës. Protokolli e kërkon që helikopteri që kryen misione të gjera siç ishte edhe lëvizja e asaj dite duhet të kishte në bord një person tjetër të specializuar dhe jo një ushtar zjarrfikës. Personi i tretë duhej të ishte tekniku i bordit të helikopterit ose inxhinieri i helikopterit, të cilët janë me detyrë funksionale dhe marrin pagesën e vështirësisë për këtë punë që bëjnë.

Presidenti Nishani takohet me kryeprokurorin Llalla

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani dhe Prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla kanë zhvilluar dje një takim kokë më kokë ku është diskutuar për rrëzimin e helikopterit të Forcave të Armatosura në Liqenin e Shkodrës. Kryeprokurori ka informuar Presidentin për hetimet e zhvilluara deri tani në lidhje me aksidentin ajror që u mori jetën dy pilotëve dhe mbeti i plagosur ushtari profesionist. Ky takim vjen ndërkohë që Prokuroria ka nisur hetimet për rrëzimin e helikopterit të Forcave të Armatosura në Liqenin e Shkodrës, e që la dy pilotë të vdekur dhe një ushtar profesionist të plagosur. Lidhur me këtë ngjarje, Prokuroria Shkodër ka regjistruar procedim penal për dy vepra penale në lidhje me rrëzimin e helikopterit.

Ja kush është majori i Mimit që kërcënon gazetarët me prerje kokash

Pas rrëzimit të helikopterit ushtarak në Liqenin e Shkodrës ku humbën jetën dy pilotët dhe u plagos një ushtarak, disa gazetarë janë kërcënuar nga një prej majorëve të ushtrisë shqiptare, ditën e nxjerrjes së helikopterit nga thellësia e Liqenit. Ish-Kryeministri Berisha ka marrë një mesazh në Facebookun e tij nga një gazetar, i cili ka denoncuar majorin Ibri për kërcënimin me jetë që u bëri gazetarëve dhe operatorëve pas nxjerrjes së helikopterit. Menjëherë pas marrjes së këtij denoncimi, ish-Kryeministri Berisha i ka bërë apel Prokurorisë së Përgjithshme të nisë menjëherë hetimet ndaj këtij majori.
“Gazetari dixhital denoncon zëdhënësin e Mimit dhe gjeneral Trafikut, që i kërcënon gazetarët me jetë, i kërcënon si taleban se do ju presë kokat dhe fuste ato në balte! I bëj thirrje Prokurorisë të nisë me urgjencë hetimet ndaj tij! Sb”, shkruan Berisha në Facebook, duke publikuar edhe mesazhin e gazetarit.
“Përshëndetje doktor. Ky në foto është major Ibri, “tmerri” i gazetarëve dhe operatorëve që na kërcënoi me jetë dje gjatë nxjerrjes së helikopterit. Ky “trimi” na tha dje se, nëqoftëse e filmojmë ju pres kokat dhe jua fus në llucë”, shkruhet në mesazhin e gazetarit.

Prokuroria dërgon në Gjermani kartat e memories

Prokuroria e Shkodrës, miratoi kërkesën e ekspertëve franko-gjermanë të kompanisë së prodhimit të helikopterëve EC 145 që të dërgojnë në Gjermani për ekzaminim kartat e memories së kamerës së sigurisë. Nga Prokuroria e Shkodrës është vendosur që kartat e regjistrimit të kamerës së sigurisë të dërgohen në Gjermani me anë të letër-porosisë, për të marrë edhe cilësimin e provës materiale. Pasi asnjë ekspert shqiptar nuk ka kapacitetin e nevojshëm teknikë dhe programet e kompanisë për hapjen e kësaj kamere.
Burimet thonë se, hapja dhe rikuperimi i pamjeve me figurë dhe zë, do të bëhet nga një komision, me anëtarë të kompanisë së prodhimit të heliopterëve, përfaqësues të Ministrisë së Mbrojtjes e Shtabit të Përgjithshëm si dhe në prani të një prokurori që do të dërgohet nga Shqipëria. Ky komision, thonë burimet, do të asistojë në momentin që ekspertët e kompanisë franko-gjermane do të bëjnë hapjen dhe rikuperimin e pamjeve të regjistruara nga kamera.
Mësohet se kompania është zotuar se krahas rikuperimit të zërit dhe figurës së filmuar, do të paraqesë në 3D të gjithë lëvizjet e helikopterit dhe manovrat që pilotët kanë kryer që nga momenti i nisjes deri në rrëzimin e tij në Liqenin e Shkodrës. Ky ekzaminim do të bëhet shumë shpejt, por duke mos përcaktuar kohën. Por është vetë kompania, thonë burimet, që këmbëngul që ky ekzaminim të kryehet sa më shpejt, për shkak është pezulluar prodhimi i këtyre helikopterëve EC 145. Përveç pezullimit, mësohet se kompania franko-gjermane ka dërguar shkresa zyrtare në të gjithë vendet e botës, që kanë në përdorim helicopter të tillë, mes tyre edhe Shqipërisë që të pezullojnë fluturimet me këtë lloj helikopteri deri sa të zbardhet shkaku i rrëzimit të tij në Shqipëri.
Nga ana tjetër, burimet thonë se Prokuroria, përveç sekuestrimit të gjithë praktikës së ndjekur nga regjimenti i helikoptereve në Farkë, për fluturimin e EC 145 me dy pilotët në bord, ka sekuestruar edhe komunikimet me radio të pilotëve me Kullën e Trafikut në Farkë gjatë ditës së ngjarjes. Si dhe kanë marrë në pyetje personelin ushtarak që ka komunikuar ditën e ngjarjes me dy pilotët, personat që kanë miratuar planin e fluturimit si dhe komandantin e regjimentit të Helikopterëve në Farkë.

Exit mobile version