Presidenti maqedonas: Platforma e Ramës na solli krizën kushtetuese

“Për shkak të Platformës së Tiranës, kriza politike [në Maqedoni] është rritur në një krizë kushtetuese”. Kjo ishte deklarata e fortë e Presidentit të Maqedonisë, George Ivanov, në fjalimin e përvitshëm përpara deputetëve të Kuvendit. Duke folur për vitin 2017, Presidenti Ivanov theksoi se kriza politike, për fat të keq është bërë tashmë realitet: “Nuk mund, që mos të konstatoj se kriza po bëhet një normalitet i ri, ku njerëzit filluan të mësohen me të”. Sipas presidentin, marrëveshja e Tiranës mes liderëve të partive shqiptare në Maqedoni, hartuar nën dirigjimin e Edi Ramës, për të unifikuar qëndrimin për të drejtat e shqiptarëve në Maqedoni, ka sjellë shumë mospërputhje të Kushtetutës dhe ka vështirësuar formimin e qeverisë. “Platforma e Tiranës” ishte një prej arsyeve kryesore se përse Presidenti Ivanov i refuzoi dy herë të drejtën për të formuar qeverinë Zoran Zaev, lideri i partisë LSDM. Në fillim të marsit, Presidenti Ivanon, në refuzimin e parë të koalicionit të Zaev, deklaroi se: “kushtetuta dhe ndërgjegja ime më ndalon të jap një mandat për këdo që shkatërron sovranitetin dhe integritetin e Maqedonisë.” Ai shtoi se, Zoran Zaev duhet të jetë i pari që të refuzojë një “platformë që vjen nga një vend i huaj”. Po ashtu, ish-kryeministri Nikola Gruevski, ka refuzuar publikisht platformën e hartuar në Tiranë, në janar 2017, nga partitë shqiptare të Maqedonisë. Me anë të një deklarate për shtyp, VMRO-DPMNE, forca që fitoi zgjedhjet e dhjetorit me 51 vende në parlament, shprehet: “Në zgjedhjet e kaluara qytetarët votuan për VMRO-DPMNE-në e jo për platformën e Tiranës. Është e palejueshme që platforma e Tiranës të bëhet kusht për formimin e qeverisë në Republikën e Maqedonisë. Ajo qeveri do të ishte qeveri e Tiranës”. Megjithëse prej disa muajsh tashmë, Maqedonia ka qeverinë e re, formuar nga LSDM dhe dy partitë shqiptare Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) dhe Aleanca për shqiptarët, Parlamenti është bllokuar dhe shumë nga reformat nuk janë votuar ende.

Exit mobile version