Portugalia e Franca në Botëror

Portugalia në Botërorin Rusi 2018 me avionin e parë bashkë me Francën, ndërsa Zvicra duhet të presë në tranzit për të marrë një përgjigje nga play off-i i muajit nëntor. Skuadra e Cristiano Ronaldos dhe trajnerit Fernando Santos nuk zhgënjyen në sfidën vendimtare të Grupit B, ndërsa Franca bëri detyrën ndaj Bjellorusisë për të siguruar botërorin, por duke dërguar në play off Suedinë.
Kampionët e Europës dominuan në “Da Luz” të Lisbonës 2-0 skuadrën e Vladimir Petkoviç për të prerë menjëherë biletën e Kupës së Botës dhe duke mos rrezikuar në 180 minutat e 4 dueleve të fundit europiane. Një mbrëmje pothuajse perfekte për luzitanët në shtëpi që duhej thjesht të fitonin për të kaluar dhe edhe pse me një ndeshje të kujdesshme, Portugalia arriti të fitonte me lehtësi. Goli që zhbllokoi sfidën erdhi në minutën e 41 kur Johan Djourou shtyu topin në rrjetën e tij, ndërsa në pjesën e dytë, Andre Silva vulosi suksesin e skuadrës së Santos. Po në këtë grup, Letonia shkatërroi Andorrën 4-0, ku Davis Ikaunieks dhe Valerijs Sabala me nga dy gola e mbyllën këtë fazë eliminatore me një fitore morali. Në takimin tjetër, Hungaria barazoi pa gola ndaj Ishujve Faroe.
Në “Stade de France”, blutë u imponuan me vështirësi 2-1 ndaj Bjellorusisë. Antoine Griezmann dhe Olivier Giroud në pjesën e parë krijuan iluzionin se Franca mund të arrinte një fitore të lehtë, por Anton Saroka shkurtoi diferencën në minutën e 44. Në Amsterdam, Holanda arriti një fitore të hidhur 2-0 ndaj Suedisë, duke u eliminuar zyrtarisht nga gara për një vend në play off, çka do të thotë se tulipanët nuk do të marrin pjesë në Botërorin 2018. Skuadra e Dick Advocat triumfoi 2-0 me gola të Arjen Robben, por diferenca prej 7 golash që duhej të rikuperonte ndaj Suedisë ishte e paarritshme dhe në këtë mënyrë, një prej emrave më të mëdhenj të futbollit botëror nuk do të jetë mes 32 më të mirëve verën e ardhshme në Rusi. Përballja tjetër mes Luksemburgut dhe Bullgarisë e vlefshme thjesht sa për statistika u mbyll në barazim 1-1.
Nuk kishte asnjë interes në Grupin H, ku Belgjika tashmë e kualifikuar fitoi 4-0 ndaj Qipros. Familja Hazard me Eden dy herë dhe Thorgan Hazard një gol vendosën fatin e këtij takimi, ndërsa Lukaku në minutën e 78 realizoi edhe rrjetën e katërt. Në Athinë, Greqia tashmë në play off, kaloi 4-0 Gjibraltarin modest. Mitroglu në formë mjaft të mirë shënoi dy herë, ndërsa golat e tjerë u regjistruan nga Gianniotas dhe Torosidis. Ndërkohë, Bosnje-Hercegovina fitoi 2-1 në transfertën e Estonisë.

Exit mobile version