Policia dështon në Elbasan, rendi në dorë të vrasësve

Në qytetin e Elbasanit situata po përkeqësohet çdo ditë e më tepër. Një grup vrasësish kanë marrë në dorë situatën dhe vrasin nën hundën e policisë. Vetëm brenda dy muajve nga hasmëria janë vrarë 4 vetë, kurse shtatë të tjerë janë të gjymtuar. Mbi 300 forca speciale të Policisë së Shtetit, RENEA dhe FNSH, u dyndën në Elbasan pas masakrës së 3 shkurtit, ku nga disa breshëri automatiku u vranë në një lokal 3 persona dhe u plagosën 8 të tjerë. Policia e Elbasanit u gjet e papërgatitur.

Forcat RENEA, FNSH e Fierit dhe policitë e disa qyteteve, si Tiranë, Durrës, Lushnjë, Librazhd e Gramsh u vunë në gatishmëri. Elbasani u blindua për disa ditë. Policia dërgoi në media filmime të shumta të kontrolleve të kryera gjatë ditës e gjatë natës, me persona të shoqëruar nga forca speciale të maskuara dhe të armatosura rëndë. Forcat e policisë qëndruan për disa javë në Elbasan. Por dy muaj pas masakrës dhe këtij mobilizimi të paparë ndonjëherë të policisë për një ngjarje kriminale, një tjetër vrasje ndodhi tw hwnwn.

Viktima e mëngjesit të së hënës është Saimir Beqiri. Ai është vëllai i Gentian Beqirit të vrarë në vitin 2012 në shtëpinë e tij, bashkë me babanë, të afërm të familjes Mema. Gentiani ishte dënuar për vrasjen e Sokol Çapes dhjetorin e vitit 2005. Ishte nxjerrë në arrest shtëpie, pasi kishte mbetur i paralizuar gjatë tentativës për t’i ikur policisë.

Si i dyshuar për vrasjen e tij u arrestua Florenc Çapja, i cili mbeti i plagosur ngjarjen e 3 shkurtit. Pas disa ditësh u lirua, pasi provoi që kishte kaluar në Maqedoni para ngjarjes dhe kishte hyrë pas saj, edhe pse prokurorët dyshonin se ai mund të kishte hyrë dhe dalë ilegalisht nga Shqipëria gjatë kësaj periudhe.

Ngjarja e 3 shkurtit, sipas grupit hetimor, u krye për hakmarrje. Dhe pjesëtarët e fiseve të dyshuara janë ndjekur gjatë kohës së hetimeve, që nuk kanë përfunduar ende, edhe me metoda speciale. Mes tyre edhe Saimir Beqiri. Por mëngjesi i 11 prillit e gjeti sërish të papërgatitur Policinë e Elbasanit. Saimir Beqiri u ndoq me makinë, më pas në këmbë dhe u ekzekutua me silenciator përpara një pike karburanti nga dy persona që mbanin paruke, por me fytyra të zbuluara.

Prokuroria ka dyshime të forta se eliminimi i tij është i lidhur me mbrëmjen e 3 shkurtit. Vrasësit mundën të largohen dhe policia ka arrestuar vetëm rojen e pikës së karburantit, për moskallëzim krimi, por asnjë nga autorët. Megjithatë, policia dështoi edhe njëherë që ta parandalonte valën e krimeve, ndonëse i kishte identifikuar prej kohësh personat që mund të ishin në shenjestër të hakmarrjes, që deri tani ka shkaktuar 12 viktima.

Sokol Çapja, Agron Çapja, Eno Bedalli e Ardit Sinakolli janë viktimat e njërës palë, ndërsa Fadil Mema, Ardian Ibrahimi, Gentian Beqiri, Nezir Beqiri (babai i Gentianit), Saimir Beqiri, Dritan Sheme, Roland Rexhepi e Ilir Rexhepi të vrarët nga pala tjetër.

Exit mobile version