“Po presim një arritje madhore”

Festa për fitoren me Rumaninë ia ka lënë vendin ankthit dhe tensionit të pritjes. Kombinimet e mundshme për kualifikimin e Shqipërisë në 1/8-at janë tema e përditshme e diskutimeve në radhët e kuqezinjve. Kjo pranohet edhe nga sulmuesi Sokol Cikalleshi.
“Pritja duhet parë në dy këndvështrime. Në anën pozitive, sepse po presim diçka madhore si kalimi i grupit. Është një arritje e madhe dhe shpresojmë të kemi një fund të lumtur. Por, kjo ka edhe anën negative, pasi jemi në tension, çdo natë flasim me lojtarët e tjerë si mund të kualifikoheshim”, u shpreh Cikalleshi.
Jo rastësisht, nga grumbullimi në Perros Guirrc, stafi dhe lojtarët e kombëtares grumbullohen në hollin e hotelit, për të ndjekur të gjitha ndeshjet e grupeve, me shpresën se do të vijnë rezultatet që do të kualifikonin Shqipërinë. “Në çdo moment kur ulemi. Edhe dje po ndiqnim ndeshjen e Anglisë, kur Vardi me shokë shpërdoronin rastet. Një shans e humbëm, por ka ndeshje të tjera. Është situatë e sikletshme, por po e presim me kënaqësi”, tha ai.
Kalimi i grupit është dëshira e të gjithëve dhe kjo i zbeh të gjitha diskutimet rreth faktit se cilët lojtarë luajnë në formacion. “Personalisht jam gati, por në fund është trajneri ai që vendos cili do të luante. Fillimisht do të isha i lumtur të kalonim grupin dhe të kishim një ndeshje tjetër, më pas zgjedhjet i bën trajneri”, tha Cikalleshi.
Nga titullar në kualifikuese, Sokol Cikalleshi ka luajtur më pak se 20 minuta në finalet e Europianit, kur u aktivizua nga stoli në ndeshjen e parë të grupit me Zvicrën. Megjithatë, sulmuesi kavajas e pranon se Armando Sadiku ka qenë në formë më të mirë dhe është i përqendruar vetëm te arritja e jashtëzakonshme e kualifikimit.
“Të jesh sulmues i kombëtares është nder dhe privilegj. Ai vend nuk ishte pronë e imja. Me paraqitjet në çdo ndeshje, çdo lojtar mund të luajë. Paraqitjet e Sadikut kanë qenë të mira dhe trajneri e ka menduar se ai ishte zgjedhja më e mirë për ekipin dhe unë e pranoj. Ajo që është më e rëndësishme është se po presim një arritje madhore”, përfundoi Cikalleshi.

Exit mobile version