PD nuk do lejojë farsë zgjedhore në Kavajë

Partia Demokratike nuk do t’i bojkotojë zgjedhjet bashkiake në Kavajë, por nuk do të lejojë që farsa zgjedhore të zhvillohet më 7 maj. Dje, Presidenti i Republikës dekretoi datën 7 maj, si ditën e mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme në Kavajë, pas shkarkimit të Elvis Rroshit. Forumi Rinor i PD përmes një reagimi deklaroi se në Kavajë ashtu si në gjithë Shqipërinë nuk mund të organizohen zgjedhje kur qytetarët s’mund të votojnë të lirë për shkak të terrorit të bandave të krimit të drejtuara nga Rroshi, blerjes së votave, si dhe shtimit fiktiv të listave me qytetarë të importuar nga qytete të tjera, jo banorë të Kavajës. “Nuk mund të ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme me 2 mijë qytetarë të importuar rezidentë nëpër tunele e kapanone të pabanueshme, por me pasaportizim për të votuar kandidatin e Rilindjes më 7 maj. Nuk mund të ketë zgjedhje me parcelat e kanabisit të mbjella në fshatrat e Kavajës dhe të ruajtura nga inspektorë të lartë të Policisë së Shtetit dhe paratë e saj të përdoren për të blerë vota, për të dërguar thasë me miell e gjela deti nëpër shtëpi. Nuk mund të ketë zgjedhje me presione ndaj mësuesve, doktorëve dhe mbarë nëpunësve të administratës shtetërore. Nuk mund të ketë zgjedhje me këtë bandë dhe këto banditë që përbëjnë Partinë Socialiste në Kavajë”, thuhet në reagim. Gjithashtu FRPD paralajmëron se nëse mazhoranca do të futet në zgjedhje për Bashkinë e Kavajës pa opozitën, atëherë ajo do të përballet me revoltën popullore të qytetarëve të Kavajës. “Ata që mendojnë se mund të futen në zgjedhje pa opozitën në datë 7 maj do të përballen me forcën më të egër të qytetarëve të lirë dhe guximtarë të Kavajës. Kavaja është e burrave dhe grave të ndershëm, jo e horrave dhe banditëve të Rilindjes”, thuhet në njoftim. Presidenti i Republikës, Bujar Nishani ka dekretuar datën 7 maj për zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme në Bashkinë e Kavajës. Dekreti i kreut të shtetit vjen një ditë pasi Gjykata Kushtetuese shpalli vendimin përfundimtar për heqjen e mandatit të kryebashkiakut Elvis Rroshi, i cili u prek nga ligji i dekriminalizimit. Rroshi u shkarkua nga detyra në fund të dhjetorit të vitit të shkuar, ndërsa çështja kaloi në disa gjykata deri në Gjykatën Kushtetuese, ku Roshi edhe humbi betejën ligjore. Po dje, kryetari i Grupit parlamentar i Partisë Demokratike, Edi Paloka deklaroi në mënyrë të prerë se me Ramën Kryeministër, nuk do të ketë zgjedhje në Kavajë dhe as më 18 qershor. “Presidenti ka zbatuar detyrimin e tij kushtetues, por ju jeni në dijeni të vendimit që ka marrë jo vetëm PD, por gjithë opozita, nuk ndryshon asgjë nga ai vendim. Zgjedhje me Edi Ramën, me bandën, paratë e pista të drogës dhe me kriminelë në Shqipëri nuk do të ketë, në Kavajë apo cilëndo zonë tjetër të Shqipërisë. Vendimi i opozitës është i parevokueshëm dhe nuk është thjesht vendim i disa partive politike të bëra bashkë, por një vendim i marrë nga qytetarët më 18 shkurt”, u shpreh kreu i grupit parlamentar demokrat. Paloka tha se asgjë nuk ndryshon në qëndrimin e opozitës, derisa kryeministri Edi Rama të largohet dhe të pranojë qeveri teknike. “Rama bën sikur nuk shqetësohet, britmat e tij i ngjajnë britmave të atij që në errësirë bërtet për t’i hequr frikën vetes. Ajo që jemi të vendosur është se asgjë nuk ndryshon në qëndrimin tonë deri ditën që Rama do të detyrohet të pranojë qeverinë teknike. Zgjedhje të tjera pa kushtet që do të përcaktojë qeveria teknike nuk do të ketë në Shqipëri”, tha Paloka. “Zgjedhje me opozitën e përjashtuar, Rama nuk do të zhvillojë, me bandat e krimit, paratë e drogës ta harrojë që mund të ketë zgjedhje në Shqipëri. Sot nuk është më koha për të pyetur Ramën, është i përjashtuar nga qytetarët shqiptarë dhe çdo vendim që do të merret, do të merret pa Ramën”, tha Paloka.

Kavaja do refuzojë bandën Rama-Rroshi

Prej tre vitesh, Elvis Rroshi dhe bandat e tij ushtruan terror ndaj qytetarëve, ndërsa vodhën dhe zhvatën ç’të ishte e mundur nga taksat e qytetarëve. Me zgjedhjet e reja Kavaja do të refuzojë Rroshin dhe bandat e tij për t’i hapur rrugën përfaqësimit të qytetit nga vlerat dhe përkushtimi në shërbimin ndaj qytetarëve. Elvis Rroshi ka qenë i dënuar në disa shtete si, në Itali për përdhunim në grup dhe trafik droge, në Zvicër për trafik droge dhe në Gjermani për trafik droge. Prokuroria i kërkoi KQZ-së heqjen e mandatit të Elvis Rroshit pas përgjigjes së mbërritur nga autoritetet italiane, të cilat bëjnë të ditur se (Ervin ose Elvis Rroshi) ka qenë i dënuar për veprën penale të “përdhunimit në grup” në vitin 1992. Sipas dokumentacionit të Ministrisë së Drejtësisë së Italisë dhe Çertifikatës Gjyqësore mësohet se, vendimi ndaj Elvis Rroshit, asokohe me emrin Ervin Rroshi, është dhënë më datë 13 nëntor të vitit 1992, nga Gjykata e Minorenëve të Campobassos së Italisë. Rroshi është dënuar për veprën penale të përdhunimit. Sipas Prokurorisë, Rroshi nuk ka deklaruar një dënim të vitit 1995 në Itali, një dëbim nga Zvicra në vitin 1993, pasi është ndaluar nga Policia e Zyrihut për një rast droge dhe një dëbim të dytë nga Zvicra në vitin 1997. Sipas Prokurorisë, ai ka fshehur gjithashtu faktin se ka përdorur pesë emra të ndryshëm në lëvizjet e tij në Europë. Në maj të vitit 2016, Rroshi deklaroi publikisht dorëheqjen, që nuk u zyrtarizua asnjëherë. Pas arrestimit me akuzën e “falsifikimit të vulave, stampave dhe formularëve”, gjykata vendosi hetimin e tij në gjendje të lirë. Rroshi u rikthye në krye të Bashkisë pas shuarjes së masës së arrestit. Më 31 maj 2016, Elvis Rroshi dha dorëheqjen si kryetari i Bashkisë së Kavajës, duke pranuar se ka qenë dënuar në Itali pa dijeninë e tij në një kamp refugjatësh. Rroshi tha se nuk ka bërë ndonjë ditë burg për këtë gjë, edhe pse dënimi ndaj tij është dhënë nga një Gjykatë Minorenësh, pasi ishte 17 vjeç. Pas tre ditësh, Rroshi u tërhoq nga dorëheqja, duke deklaruar se do të vijonte të ishte kryetar Bashkie. Më 30 dhjetor 2016, Rroshi u shkarkua nga detyra me vendim qeverie, por me mbështetjen e  Ramës, ai vazhdoi të kryente funksionet e kryebashkiakut deri në rrëzimin e ankimit të tij nga Gjykata Kushtetuese.

Exit mobile version