Paloka: PD të mos lejojë pengimin e hetimeve për përgjimet

Partia Demokratike i kërkoi dje Prokurorisë të mos lejojë pengimin dhe bllokimin e hetimeve mbi pajisjen e përgjimit që është futur në mënyrë të jashtëligjshme në Shqipëri ashtu siç është edhe përdorur. Përmes një deklarate për mediat, kreu i Grupit parlamentar demokrat, Edi Paloka shprehu shqetësimin mbi zvarritjen e hetimeve të kësaj çështjeje.
“Përgjimi i paligjshëm i kryer nga Saimir Tahiri, me dijeninë e Edi Ramës është një krim i rëndë shtetëror pesha e të cilit rritet, sa më shumë vonon zbardhja e tij, sa më shumë vonon hetimi i plotë e vendosja e përgjegjësve para ligjit.
U bë një muaj që skandali është bërë publik, që qytetarët e vendit, opinioni publik kanë mësuar se pajisja e përgjimit është futur në mënyrë të paligjshme, është përdorur në mënyrë të paligjshme, pa dijeninë dhe pa autorizimin e prokurorit të Përgjithshëm.
Kjo shkelje brutale e ligjit dhe e Kushtetutës është pranuar, mohuar e sërish pranuar nga ministri i Brendshëm dhe drejtori i Policisë së Shtetit, të cilët janë kapur në deklarime kontradiktore, gjë që dëshmon tensionin që ekziston mes tyre në lidhje me këtë skandal”, tha kreu i grupit demokrat.
Paloka theksoi rëndësinë e vënies së autorëve të këtij skandali para ligjit dhe drejtësisë, ndërsa i bëri thirrje Prokurorisë që të zbardhë sa më shpejt çështjen.
“Një herë Tahiri lë në baltë vartësit e tij, duke thënë se nuk është ai përgjegjësi. Pastaj vartësit e tij kërcënojnë se do të flasin, do të tregojnë, duke kërkuar mbrojtje e paprekshmëri, pasi Prokuroria ka nisur hetimin, ndjekjen penale. Po lojërat, thikat pas shpine dhe kulisat mes Tahirit dhe drejtuesve të policisë nuk i interesojnë shumë opinionit publik. Vendit dhe qytetarëve sot u intereson e vërteta rreth këtij krimi shtetëror. Të dalin para ligjit porositësit, kush e solli, kush e përdori, kë përgjuan, pse përgjuan, pse e mbajtën të fshehtë.
Partia Demokratike i bën thirrje Prokurorisë të tregojë vendosmëri e të mos lejojë pengimin e hetimit. Një hetim i plotë, i gjithanshëm, që nxjerr çdo përgjegjësi para ligjit, është domosdoshmëri për vendin, për të vendosur drejtësi e për të bërë që krime të tilla shtetërore të mos ndodhin më”.

Exit mobile version