Paligjshmëria, si formë e qeverisjes

Alban ZENELI

U bënë tre vjet që paligjshmëria është forma kryesore e qeverisjes, madje e vetmja formë që dini e aplikoni, do të thoja. Qytetarët dhe ne jemi dëshmitarë të shkeljes së përditshme të ligjit nga qeveria, nga Kryeministri.
Kryeministri kalon pikturat e veta pa i deklaruar në doganë, njësoj si Shullazi makinën. Nuk zbatoni vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Ministri i Brendshëm shet makinën në të zezë, i fshihet ligjit se nuk ia ka qejfi të zbatojë vendimin e gjykatës. Tjetri këtu kur ishte ministër i Ekonomisë ka kryer negociata të paligjshme me kompani të ndryshme, thotë s’kam bërë asnjë fluturim çarter pastaj i del emri dhe pasaporta në këto ecejake luksi dhe nuk thotë më asgjë. Keni deputetë të kapur në paligjshmëri nga Gjykata Kushtetuese. Deputetë të tjerë që kanë futur duart në dhjetëra tendera e fitojnë gjithnjë duke shkelur kriteret ligjore.
Jeni kapur më shumë se një herë në afera kriminale, haptazi kundër ligjit, duke fshehur urdhrin e Interpolit për deputetin tuaj apo duke ndihmuar e lehtësuar banditë e trafikantë. Dëmtoni gjurmët e gishtave për të dënuarin përjetë për vrasjen e komisarit, se është aleati juaj politik. Pakti kriminal në fuqi kudo. Pra, ju i keni kthyer rregullat, normat dhe ligjet të zbatueshme për të tjerët, por jo për ju. Prej 3 vitesh qëndroni sa herë t’iu teket mbi ligjin e Kushtetutën. Kjo ju ka rritur oreksin dhe ju ka bërë të mendoni se jeni të paprekshëm se keni licencë për të bërë gjithçka. Dhe ja ku erdhët me këtë mendje, në shkeljen më brutale të ligjit, tek përgjimet ilegale.
Ministri i Brendshëm e ka pranuar publikisht, edhe dje në Komisionin e Sigurisë Kombëtare, se pajisja e përgjimit ekziston, është në territorin tonë, është në duart e tij dhe ai vetë e ka pranuar se ajo pajisje përdoret. Ministri i Brendshëm e ka pranuar publikisht se pajisja nuk është regjistruar. Pra, ka hyrë në vendin tonë ilegalisht. Si mall ilegal. Si të ishte drogë, si të ishte armë pa leje. Njësoj i është shmangur ligjit. Dhe paturpësisht teksa pranon se kjo pajisje ka kaluar si mall kontrabandë, tregon me gisht doganierët. Thotë përgjegjësinë e kanë ata, sikur ne nuk e dimë se polic, doganier, ministër, këtu në këtë vend nuk është askush tjetër, përveçse grushti i njerëzve me Tahirë e me në krye Edi Ramën.
Pajisja dihet botërisht se ka kapacitet të përgjojë këdo, çdo bisedë e komunikim, madje edhe kur telefoni është i fikur. E pavarësisht këtyre fakteve, që janë të mjaftueshme për të vënë pas hekurave ministrin këtu e një zinxhir të madh drejtuesish të policisë që janë pjesë e këtij skandali, ju thoni se përgjimi nuk ka ndodhur. Pra, pajisjen ilegale e keni, pajisjen e paligjshme e përdorni, pajisja është aq e fuqishme sa përgjon gjithkënd, por qenkeni ju që nuk përgjoni. Pra, keni shkelur brutalisht ligjin dhe doni të na bindni me fjalë, se argumente nuk keni, se ju nuk përgjoni, dhe pse, se jeni çuna të mirë.
Kur ky skandal që qëndron mbi gjithë zullumin që keni kryer deri tani doli në shesh, filloi strategjia juaj. Sulm mbi opozitën, sulm mbi institucionet. Fillimisht nuk keni lejuar prokurorin të hetojë. Nuk i keni vënë në dispozicion pajisjen. Dhe me siguri edhe sot që flasim, po bëni ato marifetet tuaja kriminale për ta manipuluar atë. Se për prishje provash ia keni marrë dorën, në skena krimi, në laboratorin shtetëror që i vutë flakën. Prokurori i Përgjithshëm u pyet dje për pengimin e hetimit. Cila ishte përgjigjja?
Ai u kujtoi urdhëruesve dhe atyre që përdoren për të penguar hetimin, se kjo është vepër penale dhe do të mbajnë përgjegjësi para ligjit. Pra, ai nuk tha se nuk është penguar. Ai tha se penguesit e hetimit ligji i ngarkon me përgjegjësi, sepse pengimi i hetimit është vepër penale. Ne sigurisht e inkurajojmë, e nxisim Prokurorinë të bëjë një hetim të plotë e serioz dhe presim zbardhjen e kësaj ngjarjeje, pasi kemi të bëjmë me një çështje të mprehtë të interesit publik, të sigurisë kombëtare, të lirisë dhe të drejtave themelore të njeriut. Por nuk mund të reshtim dhe nuk do të reshtim së kërkuari transparencë nga qeveria, nga ju, nga ministri i Brendshëm për këtë skandal, mbi faktet tashmë të pranuara publikisht edhe nga vetë ju.
Kush e futi pajisjen e paligjshme?
Kur u fut?
Ku kaloi ajo?
Pse nuk u regjistrua?
Kush e përdor atë?
Ku gjendet ajo sot?
Për shkak se jeni të kapur, jeni të përfshirë kokë e këmbë në këtë histori, keni nxituar të prodhoni dhe alibi. Së fundmi po ia lini gjithçka partnerëve italianë. Vetë ministri dje, tentoi ta orientojë gjithë përgjegjësinë tek Interforca. Kjo është një pabesi skandaloze po ashtu.
Alibia tjetër që nxjerrin është sikur lejen për futjen e kësaj pajisjeje e paska dhënë Bujar Nishani në vitin 2007 kur ishte ministër i Brendshëm. Gënjeshtër, mashtrim. Ajo marrëveshje është marrëveshje kuadër bashkëpunimi dhe në asnjë prej atyre pikave nuk parashikon shkeljen e ligjit, futjen e mjeteve të paligjshme, mosdeklarimin e mosregjistrimin e tyre. Gjurmimi dhe përgjimi në Republikën e Shqipërisë bëhet vetëm me dijeninë dhe me autorizimin e Prokurorisë. Çdo formë tjetër është e paligjshme. Sidomos kur përgjimi është në duart e Saimir Tahirit, i cili këtë instrument ilegal nuk do ta përdorte kurrë kundër krimit, por në shërbim të tij.
Ky që rreh gjoksin sot, që është krenar, që dekorohet nga shefi i tij, a mund të na thotë nëse e ka përdorur pajisjen për të përgjuar Balilin që e kërkon gjysma e Europës. Sigurisht nuk e ka përdorur për atë punë, sepse Balili, që “CNN” e quan Eskobarin e Ballkanit, iku u arratis. Iku Balili se është njëri nga ju, e kishit vënë në krye të transportit rajonal të Sarandës kur ai ishte transportuesi më i madh i drogës në vend dhe ne ju patëm paralajmëruar për këtë fakt. Mos e ke përdorur pajisjen për të luftuar Shullazin? Jo se jo, se atë e ke mik dhe ta bëri pabesisht Prokuroria që gjendet sot në burg. Po për çfarë e ke përdorur? Të gjitha të dhënat janë se e ke përdorur për kundërshtarët politikë, për mediat, për kundërshtarët e bandave tuaja.
Ky është një moment kritik për vendin. Deputetët janë të thirrur në një detyrë, në një detyrim më saktë, të dalin mbi partitë, mbi interesat e ngushta të Tahirit dhe Ramës. Është në lojë siguria kombëtare, është në lojë interesi më i lartë publik dhe kjo u pranua dje dhe nga kreu i Shërbimit Informativ Shtetëror dhe nga prokurori i Përgjithshëm. Duke u mbledhur grusht bashkuar rreth partisë, ju nuk po i shërbeni vendit. Këtë treguat edhe dje në Komisionin e Sigurisë Kombëtare. Si mund të mos shqetësoheni për përgjimet e paligjshme? Me siguri dhe ju jeni në listën e zezë dhe bisedat tuaja, komunikimet tuaja janë në sirtarin e Tahirit dhe Ramës.
Si mund të dilni pro përgjimit të paligjshëm? Ky mosreagim, ky pajtim me këtë paligjshmëri është njësoj shqetësues. Ju ftoj sot të bëheni pjesë e kërkesës së qytetarëve dhe të opinionit publik për transparencë, për llogaridhënie, për zbardhje të kësaj afere deri në fund. Është në interes të vendit, në interesat e qytetarëve, të familjeve dhe fëmijëve tanë.
Nëse qeveria kalon edhe këtë prag kushtetushmërie, atëherë përfundimisht ne pranojmë se në këtë vend është instaluar një sundim mafioz. Dhe ju që jeni pro përgjimit, pranoni të sundoheni nga ky regjim mafioz. Ngrihuni sot në lartësinë e në përgjegjësinë e të qenit përfaqësues të popullit.
Partia Demokratike e ka bërë hapin e madh. Dje në Komisionin e Sigurisë u pa qartë se mes ngërçit, kontraditave dhe djersëve të ftohta, drejtori i policisë dhe ministri i Brendshëm e pranuan se ka përgjim dhe përgjimi ka ndodhur.
Ndërkohë një deputet i mazhorancës është shprehur në një televizion se pajisja është përdorur më 3 dhe 4 mars. Ndryshe nga kjo, Tahiri tha se pajisja ka hyrë më 12 mars. Atëherë çfarë kemi këtu? Kemi më shumë se një pajisje përgjimi apo jeni kapur aq keq në këtë skandal, sa nuk rakordoni dot as alibitë mes njëri-tjetrit.
Çfarë duhet të ndodhë më? Çfarë duhet të ndodhë tjetër në këtë vend? Kërkesa jonë politike sot është më legjitime se kurrë. Ky krim shtetëror duhet zbardhur sa më shpejt, duhet të hetohet plotësisht e të dalin të gjitha përgjegjësitë e përgjegjësit para ligjit. Por kjo nuk mund të ndodhë me Tahirin në detyrë që pengon hetimin, që manipulon provat. Largimi i tij është parakusht për të pasur drejtësi. Vetëm largimi i tij, i hap rrugën një hetimi të plotë e të pandikuar. Pikërisht ky hap, i hap rrugën një drejtësie që ky vend e meriton, qytetarët e meritojnë.

Exit mobile version