Pajisja e përgjimit e padeklaruar, fillimisht u vendos në Vlorë

Drejtori i Shërbimit Informativ të Shtetit, Visho Ajazi Lika raportoi dje në Komisionin e Sigurisë Kombëtare se pajisja e përgjimit që ndodhet në Drejtorinë e Policisë së Shtetit ka hyrë në Shqipëri pa lejen e Prokurorisë.
Kreu i Shërbimit Informativ deklaroi se ajo pajisje nuk ishte deklaruar në kufi.
“Dy muaj të shkuara morëm informacion se një pajisje kishte ardhur në Shqipëri. Ne u informuam që ajo pajisje ishte vendosur në Vlorë për trajnim. Se çfarë është kjo pajisje të gjithë mund ta shohin në internet.
Ajo pajisje na thanë se nuk ishte deklaruar. Për këto arsye, i shqetësuar se një pajisje e tillë mund të përdorej në mënyrë të paligjshme, raportova te prokurori i Përgjithshëm. Kaq informacion kishim ne. Lidhur se me çfarë është thënë në media, ne refuzojmë të shkojmë publikisht se kemi punën tonë.
I kërkuam Prokurorisë të marrë informacione më shumë për këtë pajisje. Për asnjë moment ne nuk kemi kërkuar të zbulojmë si përdoret kjo pajisje se ne nuk kemi tagër. Është tagri i Prokurorisë, i vetmi informacion që kishim është që pajisja kishte hyrë në Shqipëri dhe përdorej për trajnim nga policia italiane për policinë shqiptare. Të gjitha të tjerat janë nga Prokuroria, s’kemi asnjë informacion kush është përgjuar dhe si është përgjuar”, u shpreh në hyrje të fjalës së tij Visho Ajazi Lika.

-Kjo pajisje lejohet këtu? Është e ligjshme?
Nuk është në tagrin e shërbimit për të përcaktuar ligjshmërinë e saj. Organi i vetëm që ne njohim për përgjim parandalues është Prokuroria e Përgjithshme. Është ajo që përcakton nëse pajisje të tilla duhen përdorur. Kjo pajisje nëse hyn në Shqipëri, Prokuroria duhet të japë OK e saj. Unë e kam raportuar vetëm te Prokurori i Përgjithshëm këtë, më vonë kam biseduar edhe me institucione të tjera të shtetit.

-Pajisja është përdorur për trajnim apo keni informacione se është përdorur për përgjim? Prokurorin e Përgjithshëm e informuat me shkresë? Cilin drejtues të lartë të shtetit keni informuar? Keni kontaktuar ministrin e Brendshëm?
Ne nuk kishim informacion për çfarë është përdorur pajisja përderisa dinim se kishte shkuar për trajnim. Nuk kemi informacion që është përdorur për përgjim. Pas prokurorit të Përgjithshëm jam thirrur nga Presidenti. Nuk kam kontaktuar me ministrin e Brendshëm.

-Kush ka tagër të bëjë përgjim? Punonjësit e policisë që trajnohen? Çfarë kapaciteti ka kjo pajisje? Ka të drejtë ministri i Brendshëm ta përdorë pa lejen e prokurorit?
Është një pajisje e domosdoshme për të gjitha agjencitë e zbatimit të ligjit. Është krejt legjitime për ta pasur atë. Nuk e kam parë asnjëherë këtë pajisje, nuk kam informacion për kapacitetet. Pajisje të tilla janë mjaft të fuqishme.

-Në katër vjet ka pasur pajisje të tjera që kanë cenuar sigurinë kombëtare? Pse nuk e keni informuar Kryeministrin, pse nuk e keni zbatuar ligjin?
Për pyetjen e parë ruaj diskrecionin për t’u përgjuar. Duke informuar prokurorin e Përgjithshëm që është personi përgjegjës për përgjimet, unë kreva detyrën time. Ai ishte informacion i pakonfirmuar dhe nuk mund ta informoja Kryeministrin për një informacion të pakonfirmuar.

Pjerin Ndreu: Edhe një herë, sipas jush pajisja është përdorur për trajnim apo përgjim? Takimin me prokurorin e Përgjithshëm e keni bërë gojarisht apo me shkresa? Cilin drejtues të lartë të shtetit keni informuar? A e keni kontaktuar ministrin e Brendshëm për shqetësimin?
Kreu i SHISH: Ne nuk kishim informacion se për çfarë ishte përdorur përveçse ishte përdorur për trajnim.
Pjerin Ndreu: Për përgjim ju s’keni informacion?
Kreu i SHISH: Jo!
Noka: Me qetësi, qytetarët duan përgjigjen. Ju lutem, mos bëni debate me njëri– tjetrin.
Kreu i SHISH: I pari Llalla, pastaj jam thirrur nga Presidenti, e kam informuar. A jam thirrur nga Tahiri? Jo, se unë kisha detyrim kryeprokurorin.
Dogjani: Ju thatë se fillimisht ishte vendosur në Vlorë për trajnimin e punonjësve të policisë. Institucioni juaj ka disa aparatura për punën. Në dijeninë tuaj, punonjësit e trajnuar nga Interforca për këtë pajisje, a është e drejtë që të trajnohen dhe kush e ka tagrin të përgjojë? E dimë që e ka të drejtën Prokuroria të japë leje, por kush e kryen? E dyta: Desha ta di nga ju, çfarë kapaciteti ka, a përdoret për përgjimin apo siç kemi dëgjuar nga ministri e kam përdorur për përgjimin e personave në kërkimeve? A ka të drejtë ai ta përdorë pa lejen e Prokurorisë? A është kapur ndonjë person në kërkim nga përdorimi i saj?
Kreu i SHISH: Kjo është pajisje e dosmodoshme për të gjitha agjencitë e zbatimit të ligjit. Ne do të ishim të privilegjuar ta kishim një të tillë. Nuk ka asnjë problem me përdorimin e saj nëse është në zbatim të ligjit. Sa për kapacitete nuk e kam parë dhe asnjë punonjës i shërbimit s’ka pasur kontakt fizik me të. Pajisje të tilla janë të fuqishme, mund të bëjnë çdo gjë dhe siç tha ministri, vetëm për gjurmim ose… Pyetja tjetër ishte, a ka drejtë ministri për përgjimet? Kjo është komplet jashtë tagrit tonë kështu që nuk mund të përgjigjem.
Qefalia: Ju jeni në vitin e katërt të punës. A ka pasur pajisje të tjera që kanë cenuar sigurinë kombëtare? Ju keni detyrim ligjor të informoni direkt Kryeministrin? Pse nuk e keni informuar drejtpërdrejtë Kryeministrin?
Kreu i SHISH: Pse nuk e kemi informuar? Siç e thashë, duke informuar kryeprokurorin unë mendoj se e kreva detyrën time. Ai ishte një informacion i pakonfirmuar dhe unë nuk mund të shkoja tek Kryeministri me këtë informacion. Do të ishte në tagrin e kryeprokurorit për të informuar organet superiore. Ta përçonte nëse ishte e vërtetë dhe nëse vërtetohej, ndahej me Kryeministrin dhe ministrin e Brendshëm.
Keltis Kruja: Meqenëse nga parashtrimi juaj del se këtë pajisje nuk dihet kush e ka futur dhe me këtë kapacitet që ka mund të kryejë të gjitha funksionet dhe ne nuk e dimë se çfarë programesh ka. A përbën kjo pajisje një kërcënim për sigurinë kombëtare apo jo?
Kreu i SHISH: Në opinionin tonë po, përbën kërcënim gjithmonë nëse është e vërtetë. Një pajisje e tillë nëse është me kapacitete përgjuese, të gjithë janë vulnerabël ndaj pajisjeve të tilla. Gjithmonë nëse është e vërtetë. Kjo është arsyeja që unë e ndava me prokurorin e Përgjithshëm.
Stërkaj: A vazhdon Shërbimi Informativ me thashetheme? A nuk mund të jeni më të qartë nëse ajo pajisje ka hyrë kontrabandë apo ka hyrë nëpërmjet shërbimeve aleate? Pyetja e dytë: Këto pajisje shiten në treg të lirë në Londër, ju e dini mjaft mirë. Po a ka ardhur kjo për shërbimet aleate? Pse i rrëshkasim ne kësaj? Se edhe informacioni që i ke dhënë prokurorit ka qenë i cunguar. Dhe më shqetëson fakti që ju nuk e keni informuar Kryeministrin, sepse ai është njeriu më i lartë i qeverisë. Kjo ka lidhje me kulisat e lidhjet shoqërore? Ju vazhdoni me gojë në SHISH apo me shkresa? Marrëdhëniet me Presidentin i keni me gojë apo me shkresa? Kryeministri pse nuk është njoftuar? Se kjo me gojë ju komprometon rëndë. Prokurori i Përgjithshëm mund të tregohet oportunist dhe të cenojë sigurinë kombëtare?
Kreu i SHISH: Pse me gojë? Sepse ne kishim informacion me gojë, jo me shkrim dhe e ndava me gojë me prokurorin e Përgjithshëm. Arsyeja se pse nuk e dhashë me shkrim ishte se unë informacionin nuk e kam marrë me shkrim. Dhe për këtë do të flasim më mbrapa. Ka plot informacione të tjera që i kam ndarë gojarisht me Kryeministrin. Unë thjesht e iniciova këtë proces tek institucione të tjera për ta ndjekur, pra për çfarë konkretisht ishte kjo pajisje. Duke qenë se ishte një dyshim që lidhej me institucionin bazë, unë e ndava me prokurorin e Përgjithshëm. Lidhur me Presidentin, ka qenë ai që më ka kërkuar ta informoja për atë që dija. Kjo është ajo që kam bërë.
Astrit Patozi: Z. Ajazi i dha faktet e tij, kurse ne po e nxisim të japë opinionet. E gjithë kjo është një lojë e pavlerë. Tani na duhen faktet. Të tregohemi racionalë. Të marrim atë që na duhet nga dëgjesa dhe secili të nxjerrë konkluzionet e tij.
Pjerin Ndreu: Ne nuk kemi kërkuar opinionet e z. Ajazi, se ai është thirrur këtu në emër të SHISH dhe jo personalisht. Një informacion që transmetohet gojarisht. Nëse drejtuesi i SHISH thotë këtu se i takon prokurorit të Përgjithshëm t’i thotë Kryeministrin kjo është gafë. E treta, nëse drejtuesi i SHISH pretendon se problematika cenon rëndë sigurinë kombëtare dhe nuk përfshihet Kryeministri, kjo është një tymnajë që është gatuar me thashetheme, me internet. Të na thotë pse Kryeministri është lënë jashtë kësaj.
Flamur Noka: Ju bëj me dije se e kemi thirrur kreun e SHISH të na informojë për këtë pajisje që cenon të drejtat e njeriut dhe sigurinë kombëtare. Të lutem, të përmbahemi tek thelbi i asaj që jemi mbledhur dhe asaj që qytetarët presin prej nesh. Kush ka pyetje, të bëjë një pyetje dhe të vazhdojmë.
Luan Rama: Zoti drejtor i SHISH. Ju thatë se patët një informacion se në Vlorë është instaluar një pajisje e atyre të dhënave në një ambient trajnimi. Ishte ambient privat, publik apo çfarë lloji? Ambient policie, shkolle apo çfarë? Pyetja e dytë. Duke qenë se e konfirmoj se është një praktikë pune në komunikimin e funksionarëve të lartë dhe shkëmbimi në takime informale të informacioneve të konfirmuara apo jokonfirmuara, se nuk e shoh si problem ndarjen e këtij informacioni në mënyrë gojore me prokurorin e Përgjithshëm, por pas këtij, a e keni pyetur se çfarë u bë me atë informacion që ju ndatë? Ju thatë se ishit thirrur për këtë informacion tek Presidenti i Republikës. A shkuat me të njëjtin informacion atje apo shkuat tek prokurori i Përgjithshëm që të pyesnit se çfarë kishte ndodhur me këtë informacion. Ju thatë se edhe me Kryeministrin ndanit informacione gojore dhe kjo ishte një praktikë korrekte. Por në bazë të ligjit për SHISH, Kryeministri është ligjërisht drejtuesi i kësaj detyre, e keni atë epror përgjegjës ligjërisht. Pas takimit me Llallën dhe Nishanin, nuk e patë të arsyeshme ta ndanit këtë informacion me Ramën?
Kreu i SHISH: Lidhur me ambientet e trajnimit nuk kam informacion. Pas ndarjes së informacionit me kryeprokurorin nuk më është kërkuar të vazhdoj kërkimin për këtë pajisje. Pra, nuk mund të vazhdoja. Lidhur me, a keni folur sërish me prokurorin e Përgjithshëm. Sigurisht, kam folur dhe është pak a shumë ajo që dhashë në parashtrimin tim. Procedurialisht ne përjashtohemi kur Prokuroria fillon hetimin. Tek Presidenti, a kemi pasur informacione shtesë? Jo, unë kam informuar ekzaktësisht atë që kam informuar tek kryeprokurori.
Deputet: Informacionin e more nga burimet tuaja apo nga partnerë?
Kreu i SHISH: S’kam koment.
Çuko: Ju thatë se nga interneti duken qartë kapacitetet e kësaj pajisjeje. Tek ajo në Vlorë që paskeni zbuluar ju, çfarë kapacitetesh ka ajo? Më ka ngelur në mendje, deklarata e ish-Kryeministrit që tha: Rama, Kryeministri aktual ka 170 minuta telefonata me gjyqtarët e Kushtetueses për çështjen e Kokëdhimës. Ka lidhje kjo deklaratë me këtë aparaturë?
Kreu i SHISH: Unë besoj se ju përgjigja. Ne nuk kemi pasur asnjë kontakt fizik me këtë pajisje dhe nuk mund të them se çfarë kapacitetesh ka. Nuk kam informacion për të.
Dogjani: A ka detyrim drejtuesi i SHISH të informojë Kryeministrin për këto pajisje që futen në mënyrë të paligjshme. A ka ndodhur në praktikën tuaj që punonjësit tuaj ose ju keni pasur ndonjë përgjim? Kush ka të drejtë t’i trajnojë punonjësit e policisë? Pse në Vlorë dhe a ka të drejtë Interforca të përgjojë qytetarët e Shqipërisë dhe të trajnojë? Po mjetet që fusin diplomatët, të huajt, në territorin e Shqipërisë, a nuk kanë të drejtë institucionet shqiptare t’i kontrollojnë?
Kreu i SHISH: Për të parën nuk kam koment se nuk është target i yni.
Selami: Këtë informacion që ju thatë ishte i pakonfirmuar, që ishte si “thashethem” ju thatë se ishte i pakonfirmuar. Pse Presidentit ia thatë dhe Kryeministrit nuk ia thatë?
Kreu i SHISH: Unë raportoj rregullisht tek Kryeministri dhe atje flitet për probleme që ka siguria kombëtare. Ju thoni pse e keni ndarë, unë jua tregova se Nishani më kërkoi specifikisht ta informoja për këtë. Kur ne kemi indicie për një informacion, ne e ndajmë.
Lutaj: Z. Ajazi unë e vlerësoj shqetësimin tuaj se pajisja cenonte sigurinë kombëtare. Pse nuk keni respektuar detyrimin tuaj ligjor ndaj Kryeministrit dhe qeverisë për ta vënë në dijeni për këtë gjë. Pyetja ime: Inspektorin e Përgjithshëm e keni vënë në dijeni? Janë deklaruar në konferenca në shtypi 375 qytetarë të përgjuar? A keni dijeni ju qoftë dhe për një rast të tillë?
Noka: Ore, mos u mundoni të bëni mjegullnajë. Përmbajuni çështjes.
Lutaj: Lidhur me këtë pajisje do të ishte mirë të mos na çonit te interneti, po në dijeni tënde i përmbush kushtet ligjore të përgjimit apo jo?
Noka: Bëhuni seriozë, e dha përgjigjen.
Lutaj: Në kushtet e cenimit të sigurisë kombëtare, a nuk do të ishte e udhës të informonit Ministrinë e Brendshme? Keni komunikuar me shkresë apo me gojë me prokurorin e Përgjithshëm? Zyrtarisht apo informalisht?
Kreu i SHISH: Lidhur me pyetjen pse s’e kam informuar zyrtarisht Kryeministrin ishte se ishte informacion i pakonfirmuar. Po të ishte i konfirmuar unë do të kisha dërguar shkresë dhe do t’i thosha se cenon sigurinë kombëtare.

Exit mobile version