Pa energji për 30 Min, Ing.Duleviç: Nuk ka pasur efekt zinxhir, duan të heqin vëmendjen nga sistemi i shpërndarjes

Përrreth 30 minuta është shkëputur në të gjithë vendin energjia elektrike.

Inxhinieri Azmer Duleviç tha përmes një lidhjeje “Skype” me studion e lajmeve të MCN Tv se po qarkullojnë dy teori për këtë ‘black out” që përfshiu vendin tonë, ajo që ka bërë të ditur OST e cila tha se ka ardhur si pasojë e një defekti në rrjetin e transmetimit nga Greqia dhe ajo që po qarkullon në mediat e Malit të Zi dhe Kroacisë ku thuhet se defekti ka ardhur nga ana e tyre.

Më tej, Duleviç tha se Shqipëria nuk e ka komoditetin ta mbulojë 100% me energji elektrike territorin e vet në këtë periudhë të vitit.

Inxhinieri tha se dje dhe sot kanë qenë ditë shumë të nxehta ku konsumi i energjisë ka kapur vlerat maksimale, dhe ka mbingarkuar rrjetin tonë që është i amortizuar.

Janë dy informacione të ndryshme, informacionet që qarkullojnë në vendin tonë por edhe informacionet që kanë vendet e rajonit. Në vendin tonë është thënë se ka ardhur si pasojë e një defekti në rrjetin e transmetimit nga Greqia. Në mediat e Malit të Zi dhe të Greqisë thuhet se kishte ardhur nga ana e tyre. Zyrtare është se Shqipëria mbeti për 30 minuta për shkak të Black Out-it” të furnizimi me energji elektrike.

Linja 400 kilovolt janë linjat e interkonjuksionit ose linjat që lidhin shtetet me njëra-tjetrën për shit-blerjet e energjisë dhe në momentin që ka pasur probleme supozojmë në Malin e Zi është ndërprerë dhe Shqipëria nuk e ka komoditetin në këtë periudhë të vitit ta mbulojë 100% me energji territorin e vet dhe për këtë arsye ka pasur shkëputje.

Kjo ka ardhur për një arsye shumë të thjeshtë sepse sot është ditë shumë e nxehtë që ka filluar që dje ku konsumi i energjisë është në maksimum dhe mbingarkohet rrjeti. Kur mbingarkohet rrjeti, e aq më shumë rrjeti ynë që është i amortizuar ndodh që ka shkëputje të energjisë elektrike, ka dëmtime të transformatorëve, të nënstacioneve elektrike dhe shpeshherë shkëputet këto linjat që janë midis nënstacioneve deri tek abonentët familjarë.

Shoh një problem tjetër, ka 3-4 ditë në Tiranë dhe zonat bregdetare ka luhatje të theksuara të tensionit. Tensioni nuk i shkon 230 volt, por në një fragment të shkurtër kohor shkon nga 160-230-250 volt që do të sjellë më pas dhe dëmtimin e elektroshtëpiakeve.

Kjo vjen si pasojë e rrjetit tonë. U bë disa muaj që i ngre këto shqetësime, se jemi i vetmi vend në Ballkan që kemi 11 016 transformatorë 604 6000 kryesisht në zonat e veriut që kanë 38 vite punë.

Duleviç sqaroi se nuk ka efekt zinxhir, por deklarata e bërë nga OST-ja është për të tërhequr vëmendjen nga sistemi i shpërndarjes që është në gjendje katastrofike.

Nuk është efekti zinxhir siç është thënë nga OST-ja, besoj janë shprehur gabim. Ne në vendin tonë nuk kemi defekt, të paktën në rrjetin e transmetimit, që mund të kemi dëmtim shtyllash, apo dëmtim transformatorësh, apo dëmtim përcjellësish në linjën 400 kilovolt. Për arsye mbrojtje, sistemi ynë shkëputet për të mbrojtur pjesën tonë. Ky është shpjegimi që ata kanë thënë. I thonë qytetarëve dhe kjo bëhet për të tërhequr vëmendjen nga sistemi i shpërndarjes që për hir të vërtetës është në gjendje katastrofike.

Exit mobile version