Ortaku i Shullazit tek Vollga, ndërtuesi i Ramës në Surrel

Është e njohur shprehja që kriminelët lënë gjithnjë gjurmë në vendin e krimit. Sado të mundohet kryeministri Rama të mohojë lidhjet e tij të ngushta të partneritetit në krime me Emiljano Shullazin, është diçka krejt e pamundur, njësoj si të mbulosh diellin me shoshë.
Dokumentat e pronësisë mbi hotelin e famshëm “Vollga” në Durrës tregojnë bashkëpronarë të saj Shullazin dhe çiftin Kodra. Prokuroria ka vënë sekuestron mbi këtë pronë, pas hetimeve se kjo pasuri është përfituar përmes grabitjes, mashtrimit dhe pastrim parash, vepra kriminale që kryeministri Rama dhe administrata e tij i kualifikojnë me termin “mirënjohje”.
Sipas dokumentacionit të hipotekës së Durrësit rezulton se Fejzi Kodra, së bashku me Shullazin janë ortakë në Hotel Vollgën. Fejzi Kodra është gjithashtu sot edhe administratori i kompanisë Eurocol, në pronësi të Pandi Carapulit. Se kush është Carapuli,  tashmë kjo dihet. Ai është një nga përfituesit e mëdhenj të tenderave të Ramës, të cilët i fiton me ofertën më të lartë.
Ortakëria e Ramës me Carapulin është një gjë e konfirmuar nga vetë Rama gjatë një interviste që dha nëntorin e shkuar për gazetarin Sokol Balla, ku ai e konfirmoi si një nga miqtë e tij të ngushtë.
Carapuli dhe firma Eurocol rezultojnë gjithashtu të jenë edhe ndërtuesit e vilës në Surrel të Ramës. Pra, ortaku i Shullazit në Hotel Vollga rezulton të jetë në të njëtën kohë edhe ndërtues i vilës së Ramës.
Të gjithë këta emra, Carapulin, Kodrën dhe Shullazin i bashkon Edvin Rama. Të gjitha interesat dhe lidhjet e tyre përputhen vetëm në drejtim të Ramës. Ai qëndron si favorizuesi i madh i Shullazit me sfondin e të gjitha krimeve dhe gjobave ndaj biznesit dhe i Carapulit dhe Kodrës me tenderat prej dhjetra milionë eurosh. Ndërkohë si kompensim prej tyre, merr nga i pari terrorin në fushata elektorale dhe ndarjen e gjobave dhe nga të dytët edhe vilën në pajë.
Rasti është në flagrancë që provon edhe me letra se Rama rezulton të jetë në ortakëri me Shullazin. Kjo është prova e krimit të tij, prova se ai qëndron pas Shullazit dhe se ai është sponsori kryesor i krimeve të kryera prej tij.
Kjo është prova më e rëndë e kësaj lidhje kriminale mes Shullazit dhe Ramës. Ortakëria e tyre, që nis tek Vollga dhe përfundon tek ndërtimi i vilës në Surrel është një çështje që duhet të jetë për hetim nga Prokuroria për t’i shkuar deri në fund.
Ky është një rast ku mund të provohet qartë se si i kryen Rama dhe mafia transkasionet e parave të pista të krimit dhe të korrupsionit në një skemë të pistë favoresh të ndërsjellta. Ende nuk dihet se çfarë ka në dosje Prokuroria për krimet e Shullazit, por ky rast që RD po denoncon sot është një provë e fortë e ortakërisë së kreut të qeverisë me kryekriminelin e vendit.

Akuzat

Kryeministri Edi Rama i akuzuar në një raport të përpiluar nga OSBE se ka transferuar mbi 200 milionë euro në parajsat fiskale, dihet se ka në pronësi një sërë pronash dhe objektesh shumëmilionëshe në mbarë vendin, duke përdorur emrat e të tjerëve. Hotel “Vollga” është një provë se si i bën pronat (krimet) dhe fsheh emrin e tij Edi Rama. “Vollga” në mënyrë tepër të dyshimtë ka ndryshuar tre herë pronësi nga muaji gusht deri në dhjetor 2014. Fillimisht bëhet kalimi nga pronarët e ligjshëm drejt disa arabë të padëgjuar, pastaj kundrejt një shume rreth 700 mijë euro bëhet ortak i saj Kodra, administratori i pasurive të Carapulit dhe në formë “mirënjohjeje” tërhiqen arabët për të lënë pronarë Shullazin, administratorin e krimeve të Ramës. Në katër muaj, një operacion tërësisht kriminal ka bërë pronarë Carapulin dhe Ramën, sigurisht, duke përdorur emrat e punëmarrësve të tyre. Kryeministri Edi Rama është i detyruar të shpjegojë pronësinë e tij mbi “Vollgën” dhe sa ka qenë i përfshirë në manipulimin e dokumentave nga zyrtarët e administratës së tij me vullnet ose në tytën e pistoletës së Shullazit. Sigurisht, edhe Carapuli, ndërtuesi i Sarajeve të Surrelit duhet të shpjegojë se si i ka transferuar milionat nën emrin e administratorit të tij dhe përfshirjen e tij në këtë aferë kriminale. Rama dhe Carapuli duhet të shpjegojnë se sa herë të tjera e kanë përdorur këtë skemë Al Kapone “korrupsion dhe frikësim” për të përvetësuar prona të tjera në mbarë vendin.

Exit mobile version