Nipi i nënkryetarit të Bashkisë merr peng inxhinierin e pyjeve

Banditët e PS kanë ushtruar dhunë dhe kanë tentuar të rrëmbejnë me makinë inxhinierin e pyjeve në Pukë vetëm pse ai ka denoncuar nipin e nënkryetarit të Bashkisë së Fushë Arrëzit, Ndue Doda për masakrën në pyje. Inxhinieri Pashuk Lulashi i është drejtuar me një mesazh kreut të Departamentit të Mjedisit në PD, Jamarbër Malltezi, duke i kërkuar ndihmë, pasi jeta e tij po rrezikohet nga banditët e PS. Ai shkruan se, Mikel Mark Doda, nip i nënkryetarit të Bashkisë së Fushë Arrëzit ka tentuar ta rrëmbejë me forcë në makinën e tij.
“Tentativë rrëmbimi nga nipi i nënkryetarit të Bashkisë së Fushë Arrëzit, Ndue Doda. E kam denoncuar për vjedhje në pyje me vlerë 50 milionë lekë. Ka tentuar të më fusë me forcë në mjetin e tij. Më ka gjuajtur me shkelma. Dua ndihmën tuaj, ing. Pashuk Lulashi”, shkruan inxhinieri i pyjeve të Pukës në mesazhin dërguar kreut të Departamentit të Mjedisit në PD, Jamarbër Malltezi.
Inxhineri i Pyjeve në Pukë, Pashuk Lulashi, denoncoi para pak kohësh masakrën pyjore që po bëhet nga njerëzit në pushtet. Ai deklaroi se kishte gjobitur me nga 50 milionë lekë gjobë vëllezërit e nënkryetarit të Bashkisë Fushë Arrëz. Ai kishte njoftuar zyrtarisht instancat shtetërore për masakrën që po bëjnë në pyje njerëzit me pushtet, por nuk u muar asnjë masë.
Inxhinieri Lulashi i është drejtuar me një mesazh edhe ministrit të Mjedisit, Lefter Koka, ku e informon për dënimet sipas ligjit për personat që kanë kryer masakër në pyjet e Pukës, por për këtë arsye, ai është pushuar nga puna. “Mirmbrëma z.Lefter Koka, ministër Mjedisi. Denoncova, godita krimin në pyjet e Pukës, mora shkarkim. Godita krim të veshur me pushtet, sepse proçedova vëllezërit e zëvendës/bashkiakut Fushë Arrëz 2 herë nga 50 milionë. Sepse krushku i Inspektorit të ISHMP, zoti Pal Vata vjedh pyllin dhe unë Pashuk Lulashi e godita, gjobë 50 milionë. Dëmet janë të bëra në Pukë. Do i referoj sipas fotove që disponoj”, shkruan inxhinieri Lulashi në mesazhin dërguar ministrit Koka. Ai thotë se i ka dërguar ministrit edhe fotot e prerjes së pyjeve nga njerëzit me pushtet.
Pyjet në Pukë po priten në mënyrë masive për biznes nga njerëzit me pushtet. Për çdo natë makina të mbushura me drogë kalojnë nën hundën e policisë, ndërsa askush nuk e ndal këtë masakër. Hapja e zonave për mbjelljen me kanabis është qëllim kryesor i kësaj masakre. Lënda drusore shqiptare përdoret gjithashtu për eksport apo për industrinë përpunuese. Banditët e PS që qëndrojnë pas kësaj masakre kërcënojnë inxhinierin dhe cilindo që guxon që të ngrejë zërin për mbrojtjen e pyjeve.
Në të gjithë vendin, pyjet po masakrohen nën kujdesin e Ramës dhe banditëve të tij në pushtet. Në pyjet e Librazhdit po bëhet një masakër e vërtetë prej kohësh, pasi kontrabandistët janë njerëz të afërt të pushtetarëve dhe të deputetit të PS, Taulant Balla. Policia e Librazhdit as që guxon t’u afrohet kamionëve me lëndë drusore të kontrabandistëve të Ballës. Kontrabandistët u janë vërsulur pyjeve të Qarrishtës, Shebenikut e Stravanit të Librazhdit, me ditë e me natë, pa kursyer asgjë.
Motosharra vazhdon të godasë në çdo kohë në zemër të pyjeve. Nëse do të dalësh pyjeve të Stravanit, Sopotit, rrugës shikon makina që gulçojnë nga ngarkesa e lëndës drusore. Ndërsa, banorët ndjehen të kërcënuar dhe nën një presion të madh. Kjo masakër pyjore sigurisht që nuk është vepër e fshatarëve të varfër të zonës, por e njerëzve që kanë mbështetjen e qeveritarëve. Banorët e zonës, të frikësuar dhe nga presioni, flasin nën zë se në pyjet e Stravanit është një masakër e vërtetë, me largimin e specialistëve të pyjeve është shtuar akoma më shumë shkatërrimi i çdo druri që është në këmbë. Madje, banorët e kësaj zone shprehen se, janë të terrorizuar nga të “fuqishmit” dhe agallarë që nuk mundet të hapësh as gojën, “pasi na bëjnë dhe presione të ndryshme për të mos folur”.

Exit mobile version