Ndërkombëtarët apel Ramës: Hiq dorë nga kapja e mediave!

Projektligjet e hartuara nga qeveria që parashikojnë krijimin e një regjistri të medias online pranë Autoritetit të Komunikimeve Elektronike e Postare (AKEP) si dhe vendosjen e përmbajtjes së medias online nën mbikëqyrjen e Autoritetit të Medias Audiovizive dhe një Këshilli Ankesash, ka shtyrë organizatat ndërkombëtare të medieve të reagojnë. Kjo paketë parashikon se Këshilli i Ankesave do të jetë një komision pranë AMA, i cili do të ketë fuqinë të gjykojë nëse media është e njëanshme apo e paanshme, nëse ajo cënon moralin publik apo jo dhe nëse e gjykon të arsyeshme, mund të vendosë gjoba deri në 8 mijë euro si dhe të urdhërojë mbylljen e këtyre mediave.
Federata Europiane e Gazetarëve, Qendra Europiane për Liri të Medias dhe të Shtypit, PEN International dhe Reporterët pa Kufijë, me anë të një letre të përbashkët i kanë kërkuar Ramës të tërhiqet nga ky vendim.
Në letrën e tyre ato shprehen: “Iniciativa juaj është kundër rekomandimeve të OSBE-së dhe shkakton shqetësime të mëdha për ne”.
Sipas organizateve të medieve, “Nëse projektligjet e propozuara miratohen nga parlamenti, ato do të dëmtojnë rëndë qarkullimin e lirë të informacionit dhe do të kenë efekt pengues për median në internet e do të kufizojnë të drejtën e qytetarëve shqiptarë për akses në informim”.

Në vijim të letrës së tyre, thuhet se “Shprehim zhgënjim të thellë se ky ligj është hartuar pas dyerve të mbyllura, pa përfshirë gazetarë dhe organizata të shoqërisë civile përgjatë procesit të hartimit. Ne ju kërkojmë ju të ndërprisni menjëherë iniciativën për të amenduar këto dy projektligje dhe të përfshini gazetarët, shoqërinë civile, përfaqësuesin e OSBE-së për Lirinë e Medias, Bashkimin Europian dhe Këshillin e Europës në çfarëdolloj iniciative që prek lirinë e shprehjes, median dhe gazetarët”.

1 8 1

Exit mobile version