Mungesa në mbrëmjen e FIFA, Injesta kërkon ndjesë

Mungesa e futbollistëve të Barcelonës në ceremoninë e çmimeve të FIFA-s shihet nga mediat spanjolle edhe si një rrezik për të përçarë boshtin e kombëtares, që përbëhet nga lojtarë katalanas dhe të Realit të Madridit.
Për t’i dalë para këtij rreziku ka menduar kapiteni i Barçës, Andres Injesta, i cili u ka telefonuar personalisht futbollistëve madrilenë për t’u kërkuar ndjesë.
Mesfushori blaugrana u sqaroi kolegëve të Realit se mungesa në Zyrih ishte një çështje që nuk kishte të bënte me ta, por erdhi si pasojë e mospërputhjeve në hierarkinë e klubit.
Vetë krerët e klubit blaugrana ishin të pranishëm në ceremoni, ndërsa mospjesëmarrjen e lojtarëve e arsyetuan me përgatitjet për ndeshjet e ardhshme. Sidoqoftë, me apo pa arsyetim, drejtuesit e Realit kanë mbetur të zhgënjyer nga mungesa e lojtarëve katalanas.
Kritik ishte edhe mbrojtësi i Juventusit, Dani Alvesh, pjesë e 11-shit më të mirë të vitit, i cili u shpreh: “Ata (lojtarët e Barcelonës) më lanë vetëm me të Realit. Duhej të kishin ardhur”.
Ronaldo shprehu keqardhje gjatë marrjes së trofeut për mospjesëmarrjen e lojtarëve të Barcelonës. “Më vjen keq që disa njerëz nga Barcelona nuk janë këtu, por kjo është e kuptueshme. Do të doja që Mesi të ishte i pranishëm”, u shpreh Ronaldo.

Exit mobile version