Mjekët në protestë kundër koncesionit të laboratorëve spitalorë

Mjekët e laboratorit në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” dhe në disa spitale rajonale të vendit kanë bojkotuar punën paraditen e djeshme, duke u hedhur në protestë për rreth një orë. Mjekët dhe laborantët thanë se kundërshtojnë nismën e Ministrisë së Shëndetësisë për të dhënë me koncesion të plotë këtë shërbim, pasi në këtë mënyrë iu rrezikohet vendi i punës dhe se monopolizimi nga një kompani private rrezikon sigurinë e shërbimit.
Njëkohësisht protestat janë zhvilluar në 18 spitale publike të vendit, duke i kërkuar ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj, të tërhiqet nga dhënia me koncesion e laboratorëve. Mjekët dhe laborantët thanë se po shkatërrohet një shërbim i mirëfilltë shëndetësor, duke u dhënë me koncension. Frika më e madhe për profesionistët e shëndetësisë është humbja e vendit të punës pas dhënies së laboratorëve privatit. Reagimi i laborantëve vjen vetëm pak ditë, pasi ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj paraqiti në Kuvend draftin për dhënien me koncesion 10-vjeçar të laboratorëve të 5 spitaleve terciare, 11 spitaleve rajonale dhe dy spitaleve bashkiake.
Për koncesionin e radhës sipas modelit PPP, Ministria e Shëndetësisë do t’i paguajë partnerit publik privat 800 milionë lekë të reja në vit, nga 600 milionë që shpenzon aktualisht nga buxheti i saj. Me paratë e shtetit, koncesionari premton të realizojë 160 lloje analizash kundrejt 96 të tilla që kryhen sot në QSUT, referuar kjo deklaratës së ministrit Beqaj bërë në Komisionin e Shëndetësisë.
Kundër saj është shprehur ish-ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, i cili tha se laboratorët nuk mund të administrohen plotësisht nga privati dhe se nuk ka arsye pse të mos bëhen publike të dhënat e studimit, nga i cili mund të njihen avantazhet dhe disavantazhet e dhënies me koncesion.
Mjekët dhe laborantët lajmëruan protesta të përditshme deri në anulimin nga ministri të procedurës së nisur.

Exit mobile version