Mister mbi vrasjen e policit nga kolegu i tij në Peshkopi

Një efektiv policie ndërroi jetë në spital, pasi u plagos me pistoletë nga kolegu i tij në Dibër pas një sherri mes tyre. Ngjarja e rëndë ka ndodhur rreth orës 19:10 të mbrëmjes së djeshme në qytetin e Peshkopisë. Sipas burimeve të policisë, shtetasi Ardian Roçi me detyrë Specialist i IT, (punonjës civil në Drejtorinë Vendore të Policisë Dibër) mbeti i plagosur rëndë dhe ndërroi jetë në Spitalin e Peshkopisë.
Autori i dyshuar për ngjarjen është shtetasi Naim Murliu, 55 vjeç, banues në Peshkopi, punonjës policie, me detyrë Ndihmës Specialist në Seksionin e Teknologjisë dhe Përgjimit në Drejtorinë Vendore të Policisë Dibër. Një helikopter i Ministrisë së Mbrojtjes u nis drejt Peshkopisë për ta përcjellë drejt Tiranës për ndihmë të specializuar, por i plagosuri nuk ia doli, duke ndërruar jetë në spital.
Sipas burimeve, të dy punonjësit e policisë po ktheheshin nga një drekë në Dibrën e Madhe dhe gjatë rrugës kanë debatuar me njëri-tjetrin. Në konflikt e sipër, polici Naim Murliu, 53 vjeç ka qëlluar me armë zjarri Ardjan Roçin, 50 vjeç. Autori mësohet se e ka sjellë afër spitalit të plagosurin dhe më pas është vetëdorëzuar në polici. Megjithë ndërhyrjen e mjekëve, 50-vjeçari Roçi ka ndërruar jetë në spital.
Policia bëri të ditur nëpërmjet një njoftimi për shtyp se, rreth orës 19:10, policia u njoftua se është dërguar në spital për të marrë ndihmë mjekësore një shtetas i plagosur me armë zjarri. “Menjëherë është ngritur grupi hetimor dhe nga verifikimet paraprake ka rezultuar se shtetasi Naim Murliu, 55 vjeç, banues në Peshkopi, punonjës policie, me detyrë Ndihmës Specialist në Seksionin e Teknologjisë dhe Përgjimit në Drejtorine Vendore të Policisë Dibër, duke u kthyer me mjetin e policisë nga një shërbim pune nga Maqellara për në Peshkopi, me shtetasin A.R., me detyrë Specialist i IT, (punonjës civil në Drejtorinë Vendore të Policisë Dibër), dyshohet se pas një konflikti të çastit e ka plagosur me pistoletë këtë të fundit”, thuhet në njoftimin e policisë.
Policia bën të ditur se, i dëmtuari ndodhet në gjendje të rëndë për jetën në Spitalin e Peshkopisë. “Një helikopter i Ministrisë së Mbrojties është nisur për ta përcjellë drejt Tiranës për ndihmë më të specializuar. Autori i dyshuar është arrestuar për veprën penale “Plagosje e rëndë me dashje”. Grupi hetimor vijon hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje. Në drejtim të Dibrës është nisur menjëherë Zv/drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit së bashku me një grup specialistësh”, përfundon njoftimi i policisë.
Ende mbete mister vrasja e efektivit të policisë. Burime nga Policia e Dibrës bënë të ditur se dy efektivët e policisë po ktheheshin nga një drekë në Dibrën e Madhe dhe pas një sherri në makinë Naim Murliu ka nxjerrë pistoletën dhe ka qëlluar kolegun e tij Ardian Roçi. Ndërkohë, Policia e Dibrës bëri të ditur se dy efektivët po ktheehsin nga një shërbim pune nga Maqellara për në Peshkopi.
Nuk ka asnjë njoftim pse dy efektivët janë grindur mes tyre, duke udhëtuar me makinën deri në nxjerrjen e armës nga njëri prej tyre. Policia bëri të ditur se po hetohet për shkaqet e kësaj ngjarje të rëndë.

R.POLISI

Exit mobile version