Mirdita në protestë kundër taksës për Rrugën e Kombit

Banorët e Mirditës kanë bllokuar me anë të një proteste Rrugën e Kombit duke kundërshtuar taksën që do të vendoset në këtë aks nacional të vendit. Protestuesit thanë se e kundërshtojnë taksën e rrugës pasi sipas tyre përbën një zhvatje të xhepave të tyre. Deputetja e PD, Albina Deda ka mbështetur banorët e revoltuar. Ajo është shprehur se, rruga është bërë për të bashkuar kombin dhe se qeveria me këtë taksë, po bën të kundërtën, po ndan kombin. Më herët në protestë janë hedhur dhe banorët e Kukësit. Taksën e ka kundërshtuar edhe shoqata “Biznesi për Biznesin”, e cila ka dhënë edhe argumentet ekonomikë se përse kjo taksë nuk duhet aplikuar. Para disa ditwsh banorët e Kukësit kanë protestuar kundër taksës për Rrugën e Kombit dhe dhënies me koncesion të saj. Protesta ishte organizuar nga shoqëria civile dhe e mbështetur nga FRPD. Protestuesit i bënë thirrje Qeverisë që të përjashtojnë nga taksimi banorët e këtij qarku.  Ata paralajmëruan përshkallëzim të protestave deri edhe në bllokim të rrugës në rast se kërkesa e tyre nuk merret parasysh. “Sot është një protestë paqësore, do të ketë bllokim të Rrugës së Kombit dhe tunelit të Kalimashit nëse qeveria nuk merr vendim për anulimin e taksës. Qarku i Kukësit është më i persekutuar. Rruga e Kombit është e qytetarëve, jo e pushtetarëve”. Në fillim të muajit gusht Ministria e Transportit shpalli fituesin që do të marrë me koncesion Rrugën e Kombit, pjesë e rrjetit të rrugëve kombëtare që përbën projektin më të madh inxhinierik rrugor të ndërtuar në historinë e Shqipërisë. Duke lidhur Milotin, rreth 60 km në verilindje të Portit të Durrësit në detin Adriatik, me Morinën në kufirin e Kosovës, rruga formon seksionin qendror të autostradës Kosovë-¬Shqipëri, që lidh Durrësin me Prishtinën. Dhënia e mirëmbajtjes me koncesion në këtë aks synon një tarifë 5 euro me TVSH për një periudhë 30¬-vjeçare. Nëse autostrada realizon minimumin e trafikut për një aks të këtij niveli, 7 mijë makina në ditë, siguron një të ardhur vjetore minimumi 13 milionë euro pa llogaritur tarifat më të larta se 6 euro që pritet të vihen ndaj automjeteve të rënda (furgonëve, autobusëve dhe kamionëve). Kjo shumë prej 13 milionë eurosh do të paguhet nga përdoruesit e rrugës që janë kryesisht qytetarë të zonës veriore dhe verilindore të vendit, kosovarëve dhe bizneseve që tranzitojnë dhe eksportojnë mallra nga kjo rrugë. Ndërkohë që kostoja e mirëmbajtjes së aksit është vlerësuar nga Ministria e Transportit me 8 milionë euro. Mirëpo kjo pagesë është e treta që qytetarët po bëjnë për Rrugën e Kombit. Së pari, taksa e qarkullimit mbi karburantin me 27 lekë për litër, që kryesisht ka funksion të gjenerojë fondet për mirëmbajtjen, paguhet nga të gjithë përdoruesit e automjeteve kur konsumojnë naftën. Kështu vetëm nga taksa e qarkullimit, buxheti i shtetit vjel 19 miliardë lekë ose afërisht 150 milionë euro, shumë kjo e mjaftueshme për mirëmbajtjen e rrugëve.

Exit mobile version