Ministri pas krimit

Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri duhet të arrestohet për bashkëpunim, mbështetje dhe mbulim të krimeve të bandës së Emiljano Shullazit. Ka një sërë aktesh kriminale të bandës famëkeqe që lidhin ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri me bandën kriminale, por më flagranti, publiku dhe me më shumë dëshmitarë është përpjekja e tij për të mbuluar dhunën dhe terrorin që banda ushtroi për ditë me radhë ndaj dy akademikëve të njohur, Dhori Kule dhe Mynyr Koni.
Dy akademikët ranë viktimë e dhunës dhe presionit terrorist të bandës së Shullazit, që ishin urdhëruar nga Rama të bënin të mundur zgjedhjen e një militanteje socialiste në krye të Universitetit të Tiranës. Tashmë është tërësisht e dokumentuar dhuna ndaj Konit, të cilit banda e Ramës i kërkonte të tërhiqej nga gara për rektor, ndërsa ish-rektori Dhori Kule është terrorizuar në mes të Tiranës nga e njëjta bandë.
Të dy akademikët i janë drejtuar për ndihmë Kryeministrit Edi Rama dhe ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, por kapobanda dhe ushtari i Shullazit i kanë lënë profesorët nën mëshirën e bandave. Rektori Koni u detyrua të japë dorëheqjen dhe të largonte familjen nga Shqipëria, pasi ushtari i Shullazit – ministër i Brendshëm – nuk siguroi mbrojtje jo për të garuar për pozicionin e rektorit, por as për jetën. Po njësoj, akademiku Kule, nuk është vënë nën asnjë masë mbrojtjeje pavarësisht se ishte kërcënuar nga banda e partisë, që njihej për dhjetëra e dhjetëra krime të rënda dhe lidhje direkte me Kryeministrin, ministrin e Brendshëm dhe drejtuesit e lartë të policisë.
Po të mos kishte qenë denoncimi publik i ish-Kryeministrit Sali Berisha dhe paralajmërimi i qartë që i bëri Ramës dhe banditëve të tij, sot do të kishim Klodin rektore dhe një universitet me buxhet dhe prona të hipotekuara në emër të Shullazit, sikurse është bërë edhe me mbi 100 prona të tjera publike dhe private në tre vitet e fundit. Banda u arrestua mbrëmjen e së shtunës, pasi ditë me radhë akademikët jepnin e merrnin pa sukses me ministrin dhe trafikantët që ai ka vënë në krye të Policisë së Shtetit.
Heshtja dhe mosveprimi i ministrit të Brendshëm për ditë dhe orë të tëra në mbrojtje të jetës së dy akademikëve është një krim i mirëfilltë, për të cilin ai, kapobanda dhe ushtarët e krimit të organizuar duhet të përgjigjen. Tritoli që Shullazi i vuri bizneseve të babait të tij trafikant nuk mund të jetë një justifikim për të mos mbrojtur jetën e dy akademikëve, por edhe të çdo qytetari të thjeshtë në këtë vend. Nëse mafia në pushtet i zgjidh hesapet me favore, privilegje dhe ndarje zonash influence të trafikut, akademikët dhe qytetarët e thjeshtë paguajnë taksat që Kryeministri, ministri i Brendshëm dhe Policia e Shtetit të sigurojnë jetën e tyre. Nëse shpërthimet, grushtet dhe shkelmat që i japin njëri-tjetrit “ia vlejnë barra qiranë” për milionat që sigurojnë përmes krimit dhe korrupsionit, qytetarët e thjeshtë nuk mundet të mbeten në mëshirë të fatit. Ndaj kushdo që nuk bën detyrën që i ka dhënë Kushtetuta dhe ligji, pavarësisht arsyeve duhet të përgjigjen para drejtësisë.
Rasti i akademikëve tregon se qytetarët shqiptarë janë një popull i tradhtuar nga një klikë që i qeveris në kontratë me krimin. Kryemafiozi Rama, njësoj si në regjimin e martesës me Lindën, i ka ndarë 50 me 50 pazaret me krimin e organizuar në Shqipëri, ndaj tritolet shpërthejnë çdo ditë në shtëpitë dhe pronat e qytetarëve, zhduken dhe vriten çdo ditë qytetarë, qindra plantacione droge janë krijuar nga Jugu në Veri dhe kushdo ndjehet i kërcënuar me jetën.
Rasti i akademikëve tregon se iniciativa ligjvënëse e ish-Kryeministrit Berisha duhet futur sa më shpejt në axhendën e Parlamentit dhe qytetarët të kenë mundësi të mbrojnë jetën e tyre, familjet, pronat dhe dinjitetin para një pushteti në simbiozë me krimin. Qytetarët duhet të vetëmbrohen sa kohë që Edi Rama, Saimir Tahiri dhe eksponentët e tjerë të krimit janë në pushtet dhe në liri.

Exit mobile version