Mesi: Patëm durimin për të shkuar në Rusi

Icardi? Higuain? Aguero? Cili do të jetë numri 9 titullar te Argjentina në Botërorin e Rusisë 2018? Një zgjedhje shumë e komplikuar për Jorge Sampaoli, por trajneri e di që ka në dispozicion të tij tre sulmues të mëdhenj, pavarësisht se cili prej tyre do të qëndrojë në qendër të ofensivës së bardhekaltërve të Argjentinës. Pikërisht në lidhje me këtë çështje kaq të nxehtë dhe delikate, në përfundim të ndeshjes miqësore që Argjentina diskutoi kundër Rusisë, ishte vetë Lionel Messi ai që tha fjalën e tij.
“Kun, Pipa dhe Mauro, janë sulmues të ndryshëm mes tyre dhe të rëndësishëm, vendimi i përket trajnerit”, deklaroi Messi, i cili më pas theksoi se si skuadra ka rifituar qetësinë, pasi siguroi kualifikimin për në Kampionatin Botëror, që do të zhvillohet vitin e ardhshëm në Rusi. “Në pjesën e parë e shfaqëm. Luajtëm shumë të qetë krahasuar me herët e tjera, nuk sulmuam të shfrenuar si në ndeshjet e kaluara kundër Venezuelës ose Perusë. Patëm durimin për të krijuar raste”, komentoi Messi.
Një tregolësh i Leo Messit kundër Ekuador ka kualifikuar Argjentinën në Botërorin Rusi 2018, duke detyruar Perunë që të shkojë në play-off. Kualifikueset për në Rusi 2018 kanë qenë vërtetë të vuajtura dhe shumë të dhimbshme për përfaqësuesen argjentinase, që si nënkampione e botës në fuqi ka rrezikuar fuqishëm eliminimin. I intervistuar nga “Fox Sports” në prag të miqësores ndaj Nigerisë, Messi është rikthyer të flasë në lidhje me emocionet e atyre ditëve, pa mohuar se emocioni që dominonte ishte frika.
“Në vigjilje të ndeshjes kundër Ekuador e bëmë në brekë… Ndjenim presionin e paevitueshëm të momentit. Pasi nuk kishim shfrytëzuar shanset kundër Venezuelës dhe Perùsë, që do të na kishin evituar të diskutonim gjithçka në ndeshjen e fundit, e dinim që nuk mund të gabonim më. Të mbeteshim jashtë Botërorit do të ishte absurd”, tregon Messi.
Por, tani që u arrit kualifikimi, nevojitet të jesh mes protagonistëve: “Sa më shumë ndeshje kalojnë, aq më shumë mësohemi me atë që na kërkon trajneri Sampaoli. Në lojën e tij, anësorët janë shumë të rëndësishëm, ndërsa ne ishim mësuar të luanim me tre në sulm. Fatkeqësisht te kombëtaret nuk ke kohë në dispozicion, aq më pak kur duhet të ndryshosh filozofi. Duhet të përfitojmë maksimalisht nga të gjitha momentet dhe ndeshjet, për të krijuar një amalgam sa më të mirë”, përfundoi ylli i Barças dhe Argjentinës, Leo Messi.

Exit mobile version