Mes zgjedhjeve të lira e të ndershme dhe trazirave…

Nga Kastriot ISLAMI

Kriza aktuale ka nisur që me mbarimin e zgjedhjeve 2013, në qershor 2013 kur Rama do t’i drejtohej karriges së kryeministrit me mandatet e i) individëve me rekorde kriminale, ii) individëve me pasuri të dyshimta të vendosura me lejet e ndërtimit, privatizimi i aseteve publike dhe tenderat me fondet publike dhe iii) 18 mandatet e LSI. Për herë të parë në 22 vjet, Shqipëria do të kishte një mazhorancë të kontrolluar nga “oligarkët dhe kriminelët”.
Kjo krizë do të thellohej dhe veçanërisht do të merrte trajta ekstremale me përdorimin e kultivimit masiv të kanabisit jo vetëm për qëllime pasurimi të paligjshëm, por veçanërisht për të manipuluar zgjedhjet, mekanizëm i testuar me sukses në zgjedhjet e pjesshme në Dibër. Sa më shumë do të afroheshin zgjedhjet e 2017, aq më shumë kriza do të bëhej e dukshme për t’u bërë e qartë për të gjithë në vjeshtën e vitit 2016 e në vijim në fillim të vitit 2017. Ajo është tashmë legale dhe shumë e thellë, është krizë besimi mes aktorëve politikë, duke kërcënuar zgjedhjet e 2017 dhe më tej stabilitetin e vendit nëse nuk do të mund të zgjidhet përmes zgjedhjeve të përgjithshme.
Tri janë elementët bazë në themel të kësaj krize, politike, legale dhe mbi të gjitha me ndikim mbi zgjedhjet: i) përdorimi i parave të dyshimta për blerjen e votave; ii) lidhja e shtetit me krimin dhe përdorimi i kësaj lidhjeje për të kërcënuar votuesit e politikanët dhe iii) përdorimi i kultivimit të kanabisit e narkotrafikut për manipulimin e zgjedhjeve.
Basha në krye të PD kërkon zgjedhje të lira e të ndershme me një qeveri teknike, pa Edi Ramën dhe ka shprehur qëndrimin e vendosur qytetar se nuk ka e nuk mund të ketë asnjë ndryshim nga ky qëndrim. Rama është i vendosur të shkojë në zgjedhje në krye të qeverisë, qoftë edhe i vetëm, madje edhe nëse jo vetëm opozita, por edhe LSI e aktorët e tjerë politikë nuk bien dakord me opsionin e tij. Meta është shprehur fillimisht se nuk do të futej në asnjë rast në zgjedhje pa opozitën, por me kalimin e kohës duket se lëkundet ky qëndrim…
Nëse PD do të lëvizte nga qëndrimi i saj me siguri zgjedhjet do të ishin një farsë dhe Parlamenti i ardhshëm përveç se do të ishte i mbushur me “oligarkë, kriminelë e kanabistë” do të kishte një opozitë fasadë, disa parti të vogla fasadë, e ndoshta deri edhe një parti “king-maker” fasadë…
Nëse Rama do të lëvizte nga qëndrimi i tij kjo do t’i hapte rrugën zgjedhjeve të lira e të ndershme ose më saktë të pranueshme nga të gjithë dhe gjasat do të ishin të eliminoheshin/reduktoheshin në maksimum “oligarkët e kriminelët” dhe Parlamenti të kishte një parti fituese të pranueshme nga të gjithë, një parti opozitare që do të pranonte cilësinë e zgjedhjeve, një parti king-maker të vërtetë dhe disa parti të tjera të përfaqësuara realisht.
Nëse as PD dhe as PS nuk do të ndryshonin qëndrimin e tyre, atëherë LSI do të kishte dy mundësi lëvizjeje: i) të bashkohej me PS për të shkuar pa opozitën në zgjedhje duke eliminuar pluralizimin pra, duke e futur vendin në spiralen e trazirave e destabilitetit apo të vendosjes së një sistemi autoritar të rrezikuar në çdo moment destabilizimi prej së brendshmi dhe/ose për së jashtmi; ii) ose të bashkohej me PD për të larguar Ramën nga drejtimi i qeverisë dhe hapur kështu rrugën zgjedhjeve të lira e të ndershme…
Opsioni i trazirave dhe destabilitetit, në rastin kur mazhoranca aktuale do të shkonte e vetme në zgjedhje pa opozitën, mund të ndodhte para, gjatë, por edhe menjëherë pas zgjedhjeve, ndonëse PS e LSI mund të gjykonin ndryshe. LSI duket më e lëkundur në këtë opsion që çon drejt trazirave. Kurse Rama, duke qenë shumë i frikësuar nga një humbje pa kthim e karriges së kryeministrit në rastin e zgjedhjeve me një qeveri pa Ramën kryeministër, shkon deri aty sa të deklarojë se “do të dalë edhe i vetëm në zgjedhje, dhe nuk ka asnjë shqetësim në një Parlament pa opozitë”. Në këtë rast Rama do të ishte jo vetëm pengesa për zgjedhje të lira e të ndershme, por edhe shkaktari i trazirave dhe destabilitetit të vendit. Meta me shumë gjasa nuk do ta ndiqte dhe nëse do ta ndiqte do të bashkëndanin të njëjtën përgjegjësi dhe të njëjtin fat… Nga kjo marrëzi nuk do të mund ta shpëtonte Ramën asnjë “ndërkombëtar” në mos do ta zhyste edhe më thellë me “mbështetjen” e tij të porositur.

Exit mobile version