Menaxhimi i incidenteve: 7 Këshilla për biznesin nga ekspertët e IUTE

Menaxhimi i incidenteve është një nga mjetet më të rëndësishme të menaxhimit të rrezikut të një kompanie – ai i pasuron menaxherët me një panorame të plotë të rreziqeve të mundshme të kompanisë te cilat mund të materializohen. ALMA HASANAJ, Drejtore e Riskut në iute Shqipëri thekson pse menaxhimi i incidenteve është një temë që ia vlen t’i kushtohet vëmendje.

Menaxhimi i incidenteve është procedura e regjistrimit , përpunimit dhe menaxhimit të ngjarjeve apo situatave negative të shkaktuara kryesisht nga njerëz, sisteme, procese apo faktorë të jashtëm dhe të cilat materializohen në humbje monetare apo reputacionale. Qëllimi i menaxhimit të incidenteve është të identifikojë pengesat dhe joefektivitetin në operacionet e kompanisë dhe të parandalojë materializimin e rreziqeve. Alma më poshtë shpjegon rëndesinë e menaxhimit të incidenteve dhe dobishmerinë e tij në biznes.

1. Menaxhimi i incidenteve është një pasqyrë e realitetit

Çdo kompani që respekton veten duhet të kuptojë se cilat rreziqe ndikojnë në operacionet e saj dhe çfarë duhet bërë për të parandaluar materializimin e rreziqeve dhe dëmtimin e biznesit. Shumë kompani hartojnë dhe vlerësojnë rreziqet; disa madje hartojnë kontrolle, por të pakta janë ato kompani që krijojnë një pamje holistike të tyre. Një pamje holistike do të thotë një qasje e plotë drejt menaxhimit të rrezikut, pra të kuptosh te gjitha rreziqet dhe shkaqet e tyre, të ndikosh në zbutjen e tyre nëpërmjet masave mbrojtese të kontrolleve dhe, më e rëndësishmja, të matësh shpeshtësinë e tyre. Pikërisht për të matur shpeshtësinë e ndodhjes së rreziqeve ndihmon regjistrimi i incidenteve të cilat janë ngjarje apo situata negative që nuk duhet të kishin ndodhur, janë devijime nga rezultati ose qëllimi i pritur i procesit. Me fjalë të tjera, menaxhimi i incidenteve është një mjet që i ndihmon kompanitë të matin, ndër mjete te tjera, se si po ecën biznesi dhe pse nuk po i përmbush objektivat e tij.

2. Përmirësimi i nivelit te kënaqësisë së klientit

Aftësia për t’iu përgjigjur shpejt çdo incidenti ndihmon në përmirësimin e proceseve dhe, për rrjedhojë, në ndërtimin e besimit të klientit. Shumë kompani përdorin sondazhe në internet për të vlerësuar se sa të kënaqur janë klientët e tyre me kohën e përgjigjes, cilësinë e shërbimit dhe përvojën e përgjithshme. Klientët janë më se të lumtur të japin reagime pozitive për një kompani nëse vertet mendojnë dhe besojnë se kompania kujdeset për shqetësimet e tyre. Një kompani që fsheh ankesat e klientëve të saj dhe nuk regjistron incidente të lidhura me ta mund të përjetojë e të përballet me mospërputhje të konsiderueshme te informacionit te cilat do të përkeqesojnë nivelin e kënaqesisë së klientit. Zgjidhja e ankesave të klientit ndihmon në përmirësimin e proceseve. Një klient i lumtur do të thotë palë të interesuara të lumtura sikurse jane investitoret, rregullatorët etj .

3. Ulja e kostove të biznesit

Bizneset mund të kursejnë duke reduktuar ndodhjen e incidenteve të cilat mund të jenë të kushtueshme, por së pari, ky informacion duhet të raportohet dhe të regjistrohet. Për shembull, nëse incidentet ndodhin në njësi të ndryshme biznesi dhe nuk komunikohen është e vështirë që këto incidente të trajtohen e të përmirësohen në një qasje sistematike. Për ta bërë më konkrete, nëse për të ruajtur të dhënat sensitive të biznesit, apo të dhënat e klientit nuk janë vendosur kontrollet e duhura, mund të rezultojë me kosto të larta monetare apo reputacionale, Megjithatë, incidentet zakonisht ndodhin sepse të gjithë besojnë se kontrollet e rrezikut funksionojnë shumë mirë ose besojnë se nuk ka fare rrezik. Një mentalitet i tillë është shenja e parë që diçka nuk është në rregull.
Të qenit i vetëdijshëm për incidentet, të krijuarit e një raporti për incidentet dhe të dokumentuarit e të gjitha detajeve janë hapa shumë të rëndësishëm në parandalimin e humbjeve. Bizneset duhet të identifikojne shkaqet e incidenteve dhe duhet të zhvillohen procedura të përshtatshme për t’i parandaluar ato.

4. Ndërtimi i besueshmërisë

Menaxhimi i incidentit kërkon që një kompani të jetë transparente dhe të demonstrojë ndershmëri dhe integritet. Integriteti duhet të vlerësohet mbi pëlqyeshmërinë objektivat- përndryshe, do të krijohet një pamje e shtrembëruar e biznesit, duke çuar në marrjen e vendimeve të gabuara. Nëse një kompani përjeton një incident serioz sigurie psh. të dhënat e klientit, apo informacionet konfidenciale të biznesit bëhen publike, besimi do të humbasë. Po bëhet gjithashtu gjithnjë e më e rëndësishme për investitorët, rregullatorët dhe palët e tjera të interesuara të shohin që kompanitë po menaxhojnë incidentet me transparencë dhe integritet të plotë.

5. Përfshirja e punonjësve

Bizneset duhet të synojnë të ndërtojnë një kulturë të raportimit dhe menaxhimit të incidenteve duke hartuar pocedura dhe duke perfshirë të gjithë punonjësit në programe trajnimesh periodike në lidhje me to. Një procedurë e mirë-artikuluar e menaxhimit të incidenteve u jep punonjësve një mesazh se ata janë të rëndësishëm për kompaninë.
Në programet e trajnimeve dhe ndërgjegjësimeve me punonjësit, kompanitë duhet të jenë transparente me ta dhe të sigurohen që të gjithë të kuptojnë se cfare masash merren nëse ndodh diçka, të shpjegojnë se duke shmangur ndodhjen e situatave negative gjithashtu mund të shmangin edhe problemet morale apo ligjore.
Është shumë e rëndësishme që punonjësit të kuptojnë se incidentet ndikojnë drejtpërdrejt tek ata, sepse nëse kompania nuk arrin të përmbushë objektivat si rrjedhojë e humbjeve të shkaktuara nga incidentet, është gjithashtu e vështirë të rrisë edhe mirëqenien e punonjësve.

6. Zbutja e rreziqeve ligjore dhe të perputhshmërisë

Për të gjitha bizneset, është thelbësore të respektojnë rregullat dhe rregulloret. Kur një biznes operon në një fushë të rregulluar, kjo luan një rol rendesishem për kompaninë, pasi puna sistematike për përmirësimin e sistemit të kontrollit të brendshëm ofron edhe nje siguri dhe opinion te pavarur dhe objektiv per rregullatorin.
Në fund të fundit, menaxhimi i incidenteve behet në mënyrë të organizuar për t’u vërtetuar edhe palëve të interesuara (klientë, investitorë, rregullatorë) se kompania është në gjendje të përmbushë objektivat e biznesit në përmbushje te plote me kërkesat e detyrueshme ligjore e rregullatore.

7. Mbrojtja nga dëmtimi i reputacionit

Rreziqet, nëse nuk trajtohen, përgjithësisht karakterizohen nga përshkallëzimi. Dështimi për t’u marrë me incidentet ose zgjidhja joadekuate e tyre vetëm sa rrit mundësinë e materializimit të rreziqeve. Reputacioni është një nga asetet e rëndësishem për biznesin. Është shumë e zakonshme që, Kur rreziqet materializohen, reputacioni i kompanisë gjithashtu dëmtohet e si rrjedhoje nuk ka klientë, partnere apo investitore, pra nuk ka biznes.

Iute Shqiperi është një filial i Grupit iute, një kompani fintech e themeluar në vitin 2008 në Estoni. Grupi është i specializuar në kredine konsumatore, shërbimet e pagesave,sherbimet bankare dhe produktet e sigurimit. Ai u shërben klientëve në Shqipëri, Bullgari, Moldavi dhe Maqedoninë e Veriut. Grupi iute financon portofolet e tij të kredisë me kapital, depozita dhe obligacione të siguruara në Tregun e Rregulluar të Bursës së Frankfurtit dhe Nasdaq Baltic Main List.

Exit mobile version