‘Më kanë shkulur thonjtë dhe djegur…’, ish-deputeti rrëfen torturat: Si më dhunuan me urdhër të Metës!

Ish-deputeti Azgan Haklaj ka bërë një rrëfim tronditës që lidhet me një ngjarje të disa viteve më parë.

Haklaj tregon se në 21 janar të vitit 2001 është dhunuar dhe ka qenë shënjestër e shumë atentateve nga policia e kryeministrit të asaj kohe, Ilir Metës, ku një ndër ta ishte atentati me eksploziv në banesën e tij ku vdiq gazetarja dhe mbesa e tij Shote Haklaj.

“Kam qenë pjesë e disa atentateve, jam arrestuar politikisht në mënyrën më të dhunshme, më barbare nga policia e kryeministrit të asaj kohe Ilir Meta nga 21 Janari të vitit 2001 në mënyrën më banditeske duke dhunuar edhe vajzën time që sapo kishte filluar të ecte. Më kanë shkulur thonjtë, më kanë djegur me cigare, më kanë shtrirë në dysheme zbathur, zhveshur nga Tropoja gjer në Tiranë.

Më mbajtën 7 muaj në burg. Po në këtë banesë në mesnatën e 31 tetorit të vitit 2001, ku kisha edhe ditëlindjen e djalit 4-vjeçar është vendosur një sasi e konsiderueshme tritoli e përzier me C4 ka hedhur në erë një pallat të tërë dhe ka vdekur gazetarja Shote Haklaj.

Ka qenë një ngjarje shumë e tmerrshme, një akt terrorist i pashembullt. Ngjarje ende e pazbardhur, në atë kohë janë vënë në pikëpyetje jeta e 20 familjeve, ka fluturuar një vogëlushe nga kati i pestë në të tretin në mënyrë diagonale me djep.

Është shembur i tërë pallati, kanë mbetur disa të plagosur dhe ka vdekur Shote Haklaj. Fakti qe unë isha arrestuar, ku u akuzova për prishje të mitingut të zotit Ilir Meta në Tropojë, i cili ishte në 26 shtator të vitit 2000 në fushatën e zgjedhjeve lokale dhe turma ka dalë jashtë kontrollit dhe është përplasur me komisariatin dhe unë u burgosa dhe Zoti Meta vendosi që të më arrestonte në atë mënyrë duke qenë pjesë e trupës që dërguan për të më arrestuar mua edhe njerëz që nuk ka qenë efektivë të policisë së shtetit, askush nuk ka mbajt përgjegjësi gjer sot, prandaj ka pasur hetime të njëanshme.”, tha në Top News ish-deputeti Haklaj.

Exit mobile version