Mbi nivelin e detit

Nga Adri Kalaja

Shpesh kam dashur të shkruaj dy rreshta për poezi por nuk ja kam mbërritur dot. Jo sepse nuk kam lexuar poetë të denjë apo poezi, ato vetë të denja por se nuk kam gjetur një personazh që mishëron dhe jeton poezinë e tij. I tillë është Ervin Hatibi. Mendoja shpesh se rreth tij ishte krijuar një mitologji, një mitologji urbane e tillë dhe e ngjashme me ato mitologjitë që u krijuan në Kosovë gjatë lufte dhe pas lufte. Le të kujtojmë pak sesi u soll historia me Ukshin Hotin dhe sa të drejtë i dha populli që banonte trojet e Kosovës historisë. Por ky është tjetër muhabet.

Për ato që nuk e njohin, Ervin Hatibi ka bërë bujë të madhe në një periudhë të shkurtër në letrat shqipe. “Përditë shoh qiellin” në fund të fundit erdhi në një moshë fare të re dhe me një parathënie nga Ismail Kadare. Ato që akuzojnë andej e këndej për një “hije” të Kadaresë lëshuar mbi poetin e ri e kanë fare gabim, nuk është rasti këtu të flasim për këtë. Kadare ka lëshuar shumë hije dhe një nga këto më të mëdhatë mbi Shqipërinë vetë, edhe mbi letërësinë shqiptare në përgjithëse, aq sa kësaj të fundit mezi ju hoq qafe pritshmëria e një “Kadareje të dytë”. Në fund të fundit ky nuk është një arsyetim letrarësh, është një arsyetim tifozësh, dhe arsyetimet e tifozëve nuk janë të mira për letërsinë në përgjithësi dhe për lëvruesit e prozës specifikisht.

Këtu dalim dhe pak në temë. Ervin Hatibi nuk është lëvrues proze, Ervin Hatibi është një poet race, dhe nga ato të vjetrit madje. Nuk mund të pretendosh nga ai sonete por as poezi me lule dhe gomerë. Poezitë e Hatibit mbajnë brenda tyre mendim dhe jo mistikë. Kjo është diçka e çuditshme duke njohur Ervin Hatibin si person, dhe duke parë konvertimin e tij të beftë në islam. Por, me sa duket, Islami për të është më shumë mënyrë jetese se prirje shpirtërore. Stili i tij i të shkruarit është rritur nga viti në vit por nuk ka ndryshuar, nuk është transformuar, nuk ka pësuar mutacion të përbindshëm, për fatin tonë të mirë.

Në vitin 2020, që ishte dhe viti simetrik i pandemisë ne lexuesit patëm fatin e madh të preknim me dorën tonë një libër të bardhë me një emër në germa të vogla dhe foton e një këmbe kukulle në ballinë. Ky libër titullohej “Transkript nga krevati tjetër” dhe kishte për autor pikërisht Ervin Hatibin. Nuk ishte një libër i fryrë po as një libër pompoz. Por ishte megjithatë një libër që pritej. Shtëpia botuese “Onufri” e kishte bërë mirë punën e saj. Lexuesi pësoi një ndjesi ngopjeje.

Libër me poezi. Por një libër me poezi që nuk i ngjajnë asfare poezive që të githë janë mësuar të lexojnë. Libër me poezi që lodhin por kjo lodhje është një lodhje e kënqshme, është një lodhje që e përjashton për dere e përjashta menjëherë lexuesin mediokër, lexuesin që nuk shkon deri në fund të faqes por lexon vetëm titullin. Sigurisht që titulli ka një magji të vetën. Ja, përshembull shikoni këtë, menjëherë lind pyetja, kush ishte krevati i parë, mos ishte krevati i të sëmurit, krevati i lexuesit, krevati ku u bë tradhëti bashkëshortore, krevati ku u ngjiz një bebe. Imagjinata të çon në shumë shtigje dhe shumë prej tyre nuk janë aspak rrugë pa krye, por nuk janë as rrugë të mundimshme. Mendoj se më shumë se çdo gjë tjetër, krevati është ai i dikujt që ka harruar dritën ndezur pasi është tashmë nën mbulesa ose ai i dikujt që i vjen të shkojë në banjë përnjëherësh sa është rehatuar në dyshek, ose dhe i atij që shkel mbi një kapak plastik stilolapsi edhe më plastik kur zgjohet përnjëherësh në mëngjes.

Mendoj se ky krevat është krevati i njeriut që jo vetëm nuk e ka thënë fjalën e fundit ndaj botës por nëse e ngacmoni, mund edhe ti kanoset asaj me ulërima, me sharje e ku di çfarë tjetër. Shumë prej nesh censurojmë për hir të parimeve tona shumë nga vetja por poeti në këtë rast censuron veten aq sa do ai, domethënë nuk varet nga një faktor i jashtëm siç mund të jetë morali, feja, apo shteti.

Pikërisht në lidhje me “shtetin” del edhe një tipar tjetër i poezisë së Ervin Hatibit, asnjëherësh ai nuk është nominalist, në kuptimin që kritikon me emra të mëdhenj apo të kritikojë fenomenin në përgjithësi. Shpeshherë, jo si çdokush ai përpiqet të ngrejë më shumë sesa të godasë, të “japë një dorë” më shumë se të përpiqet të fusë stërkëmbësha apo të hedhë një shishe molotov për të lënë shenjë në murin e një ndërtese. Nuk mund të thuash se është gandist apo revolucionar megjithatë, kurrsesi nuk mund të jetë dikush aq i cekët sa ta thotë një gjë të të tillë.

Poezia e tij nuk është një poezi e meditimeve të mëdha, e mejtimeve të mëdha. Është një poezi me varg të lirë, pa rimë, që nuk përpiqet të thotë më shumë sesa mund të thotë, nuk është një poezi lakonike, një poezi e mbështetur te figura që riterritorializohet në diçka tjetër. Është një poezi e shkoqur, një poezi që të jep mundësi të kapesh dorë për dore me të dhe të ecësh ngadalë duke dëgjuar, jo duke parë më kot në hava.

Përsa i përket stilit gjuhësor nuk është as një poezi e mbështetur shumë te turqizmat, apo e mbështetur në mënyrë pretencioze te turqizmat. Kemi vënë re shpesh se ka lloj shkrimtarësh që meqënëse nuk lexojnë, nuk lexojnë si duhet apo refuzojnë të lexojnë zgjedhin të përdorin fjalën e popullit dhe ja këpusin. Ja këpusin dhe aty ku nuk mund të ja këputësh, edhe tek gjërat që pikërisht se janë të thjeshta janë të sakta. Gjithmonë për të rënë në sy për mirë.

Këtu del dhe një çështje tjetër, Ervini bie gjithmonë në sy për mirë, duke filluar nga vargu “më mbaruan cigaret në stacion të autobusit duke pritur revolucionin e radhës” e deri te mënyra e tij e të folurit, aq dëgjuese dhe aq e qetë. Vargu i tij nuk ka një numër të përcaktuar rrokjesh, nuk vepron me një kornizë të caktuar që duhet përmbushur me të gjithë mënyrat. Në fakt është fat për ne që poetin nuk mund ta lodhim me gjëra të këtij lloji, nuk duhet ti lodhim shumë poetët tanë sepse janë shumë të rrallë dhe mund të mërziten me ne, sikur të mos ishin tashmë shumë të mërzitur. Akoma për lypësit poshtë pesëmbëdhjetë katëshit duhet të shkruajë dikush?

Sigurisht që kjo nuk është e vërteta tërësore pse është mërzitur poezia me ne, jo poetët. Gjithçka që është e lodhshme ka më pas një reagim të natyrshëm që i bie të jetë mërzia. Kuptojmë se nuk kemi të bëjmë aspak me inat, sesa me rrjedhën e natyrshme të gjërave. Poezia është lodhur me ne se i kemi sakatosur trup e shpirt poetët tanë, kemi ndërtuar përmendore të përbindshave dhe nuk ja kemi vënë veshin kurrnjëherë magjistarëve të fjalës ato që duke bërë vetë pjesë nga të bukura të paktën e kemi të shkruar në akull që dinë mirë ta njohin të keqen, të përçudnuarën, jo grotesken apo gotiken, sepse ajo është tërheqëse, si në romanet e Hygoit. Në fund të fundit aristokracia franceze argëtohej me të shformuarën, kishte shërbëtorë të saj artistë të groteskes, hajdutë fëmijësh dhe masakrues, kompraçikosë që nuk i linin gjë mangut satanait. Shkuam pak larg.

Poezia e parë titullohet (red devils), e librit pra, dhe ka frazën “jashtë nisi shi, trotuare çlironin era diell, qe dy qershor”. Kjo është një frazë e cila në lexim të parë mund të të shpëtojë e të arratiset nga ti, lexuesi. Megjithëse është në fillim fare. Mendoj se nuk ka frazë më të bukur se të përshkruash tharjen e shiut në trotuarin që më parë e ngrohur dielli, një shi shumë i shkurtër, një shi pak çalaman. Dita nuk ka aq rëndësi për poetin sa ka rëndësi të kapësh me fjalë momentin, të përshkruash dhe të japësh me fjalë momentin. Të thuash diçka nuk është njëlloj si ta përjetosh dhe ta përshkruash atë. Mund ta përshkrush mirë diçka dhe me fjalë tërësisht të gabuara. Këto fjalë mund të jenë të bukura, apo të shëmtuara, ndjenja mund të jetë e bukur apo e shëmtuar, kur bëhen bashkë të dy anët e shkëlqimit, atëherë kemi poezinë. Disi matematike, apo jo?

Në fakt, te “Poetika”, Aristoteli është mbështetës i madh i këtij matematiciteti në poezi, kësaj ndjesie të matjes dhe të masës, përkundër teprive të zakonshme të popullit grek. Ndoshta mund të tregohemi të guximshëm dhe të themi që ndoshta, po të kishte qenë Aristoteli diçka tjetër dhe jo grek, mund të kishte folur në mënyrë tjetër, këtë thotë në njëfarë mënyre dhe Monteskjeja kur shkruan “Frymën e ligjeve”, sigurisht duke ju referuar një tematike krejt tjetër. “e kaq”, kështu mbyllet poezia për të cilën e kishim fjalën.

Poezia e Ervin Hatibit nuk është minimaliste dhe as nuk mund të përkufizohet nga negativja, domethënë dy gjëra, të përkufizohet, dhe të përkufizohet nga çfarë nuk është. Prandaj dhe poema e dytë nuk i ngjan të parës si nga rreshtimi i fjalëve në letër, ashtu dhe nga për çfarë bën fjalë. Gati harruam subjektin. Kujt i drejtohet dhe kush flet. “Ku ti je anonim bjond, kaq mjafton si profesion”

Këtë herë titulli është « Kryqëzata e fëmijëve » dhe autori thotë më shumë me më pak, pra nuk ka përdorur presjen për të futur më shumë lëndë për mendim, ka lënë këtë herë vetëm mendimin, radhitja është shumë e rëndësishme pasi lexuesi është mësuar tashmë disi me këtë teknikë, brenda vetes ai ka krijuar një standard. Dhe më pas godet. Krijon një personazh. Ta bësh këtë me poezi është e vështirë. E ka bërë Poe me Timur Lengun por ai nuk ka qenë i vetmi. “Plak dhe punoje të plotësoje vitet për pension. Shteti s’të lëshonte pa ta gjobitur rininë kur kalëroje”.

Harallamb P. është figura që deri diku i ngjan xha Gorioit të Balzakut e deri diku të gjithë baballarëve tonë. Këtu kemi pak politikë dhe shumë humanizëm. Kemi shumë identifikim me tjetrin dhe pak kronikë. Vargu thotë shumë por mbart pak ngjarje. Me gjëra që i ndodhin të gjithëve poeti surprizon, bën shumë, nuk jep një mesazh dhe as nuk ndërton një tablo, këto punë ja lë të tjerëve. Nuk cilëson një fenomen specifik por të jep një këshillë. Nuk është ai që ja thonë nënat e reja fëmijëve bullafiqë me akullore në dorë “mëso shumë ose do bëhesh fshesaxhi”, është tjetër nga kjo. Dëgjo fshesaxhinë çka për të të thënë.

Poeti Hatibi shpik gjuhë të re, një gjuhë të spastruar nga klisheja por që flet gjithsesi për të njëjtën, të prekshmen, atë që nuk është hyjnore si dashuria apo lotët, atë që nuk fluturon bashkë me zogjtë për tu shndërruar në epike si troja. “Popull i zotit e popull i shtetit, ndarë përmes nga vrima e çelësit, dy pjesë të afreskut”. Ja pra dhe mosmarrëveshja në art. Për poetin ka një zot, dhe më e rëndësishmja, shteti nuk është ky zot, shteti nuk është asgjë për atë që beson te zoti, funksionari është askushi në terrenin ku banojnë njerëzit e besimit. “Kjo gjithë është ç’mbaja mend e harroja nga fëmijëria, shtëpia, gjer kur mu shfaq në pulpë një plagë”. Kujtesa dhe besimi kanë rëndësi të madhe për poetin. Ai akoma nuk e ka inaguruar një botë të hajdutëve e vjedhësve, madje për të, ku bëhet satirik, më budalla është ai që beson se mund të vidhet afër vendeve të shenjta sesa ai që vërtet vidhet afër vendeve të shenjta.

Kjo është e çuditshme ta mendosh, por i tillë është besimi. Pa të nuk mund të jetohet e pa të nuk mund të jetosh. Shpeshherë arti ka dhe thashetheme, këto mungojnë në poezi, në poezi nuk ka ngjarje dhe personazhe dytësore që mund të shërbejnë si momente relaksi kur temat e mëdha na lodhin. Përderisa nuk ka as tema të mëdha, vetëm atëherë kur ato dalin si hije të të voglave. “Aty ku të jem gjithçka mund të isha, kapakët ulur mbi gjunjë, gjunjët dy hëna të grisura.”

Ndonjëherë njeriu ka nevojë të pushojë pak në breg të detit të kërruset e të përqafojë veten, të arratiset nga një botë që bëhet përherë e më e madhe në vend të asaj botës së vogël që na kanë gënjyer sa e sa herë që kur kemi qenë të vegjël. Ndonjëherë njëri ka nevojë të bëjë diçka që nuk është histori apo shkencë. Këtë rol luan dhe poezia këtu. Poezia e Hatibit nuk është shkencë dhe as histori, megjithatë, ajo, si çdo që ka vlerë mëson nga këto dy disiplina për ti folur një lexuesi më të gjerë dhe më pak të specializuar. Pse është e nevojshme kjo? Do të thonim se artet kanë nevojë për kastën e tyre që i vlerëson dhe studion, do të thonim se është e nevojshme një etikë e caktuar dhe një elitë e caktuar që të shijojë e ndoshta dhe të krijojë art të mirë. Jemi mësuar sa na është shpifur me pamjet e salloneve të kulturës së lartë e me gratë me fustane të ngrira e gota shampanjash në duar, imazhe filmikë këto që edhe thjesht si imazhe e bëjnë dëmin e tyre. “Për çfarë shkruan? Për zogj apo traktorë?”- kjo ishte pyetja e madhe e Poradecit.

Realizmi socialist ishte një formë arti që sillej sikur varfëri nuk kishte pasur asnjëherë, sillej ashtu duke e kthyer varfërinë në karikaturë, duke i mbijetuar afeksionit të përnjëherët që ajo ngjall dhe duke e transformuar këtë afeksion në diçka morboze dhe të shpifur, diçka për të cilën asesi nuk ja vlen të shkruash dhe të kompozosh. Realizmi socialist e bën qesharak poezinë, realizmi i jep asaj dinjitet, e vë në vendin e vet, në më më misteriozin mes arteve dhe më të vështirin mes arteve të shkrimit. Të jesh vjershëtor nuk është e thjeshtë apo çështje rime. Nuk duhet të të vijë ndoresh gjuha por duhet të gjesh gjithmonë fjalën e duhur, të mos jesh kurrë patetik dhe popullor. Ky është dhe rreziku për vdekje që i kanoset këtij arti. Po të shkruash shpesh mund të rrezikosh të bëhesh barcaletë, po të shkruash rrallë mund të bëhesh mit. Prandaj dhe shumë autorë të mëdhenj kanë kaluar nga poezia në prozë. Nuk është kjo thjesht një çështje rritjeje apo pjekurie si autor, është dhe çështje frike. Sa më i zbuluar të jesh në shkrim aq më afër është rreziku se do zbulohet, se do zbulohesh se njeriu dhe bashkë me njeriun dhe autori është një hiçmosgjë. Çdo gjë që supozohet se mbajmë brenda, çdo përvojë është e përsëritshme dhe, më e tmerrhshmja, ka qenë e përsëritur përpara.

Sa e tmerrshme do ishte bota po të mos ekzistonte harresa, nuk do të mund as të hidhnim një hap përtej pragut të shtëpisë nga dhimbja, do të çmendeshim.

Kujtesa vepron fort te poetët. Ato janë të ndjeshëm dhe ndryshe sa paraqiten, edhe të prekshëm. Edhe Hatibi është i tillë. Ka shumë legjenda për të që kanë lindur pikërisht nga ky iluzion i prekjes së autorit. Ka pasur sigurisht dhe fansa që donin ta prekin, në fund të fundit ai ka shkruar dhe muzikë. Sigurisht ai për një periudhë kohe edhe humbi, nuk gjendej më, e më pas u rifshfaq, edhe më pas humbi sërish. Nuk kam humbur ndonjëherë, thjesht ju keni qenë të kënaqur që më keni gjetur përsëri ndoshta do të thoshte poeti me një buzagaz. “Por gjithçka ka humbur kuptimin, veç lekut që m’dhemb në dorë, ky ishte dhe çmimi që duhej paguar, për tiu afruar një burri sharruar”.

Kjo përbuzje ndaj shoqërisë që konsumon çdo gjë, edhe fjalën konsumim duke e kthyer në konsumerizëm, kjo përbuzje e mban gjallë poezinë. Poezinë që nuk e çudit asgjë dhe dehashpirt merr përdore poetin dhe i dhuron atij vargun, jo fjalën, kurrsesi fjalën, ky do ishte mëkat në tempullin e poezisë. “Mos ki turp, edhe ne jemi njerëz pa hundë”.

Qyqja fjalë fluturon në pellgjet që krijon poeti si një zog mbi qytetin e tij të preferuar, si zogjtë mbi qytetin e vet. Vetëm zogjtë e kanë të drejtën të fluturojnë, njerëzit mjerisht kanë dy këmbë, mundet vetëm të ecin. “Gjithë qyteti qe një afresk, korniza-korniza e premë, sipas forcës që na përket, çdo kornizë një maskë qe, dragoi zaptoi një portret”. Është e lejueshme për poetët të bëhen pak delirantë, në fund të fundit i pari poet, Orfeu, qe aq i çmendur sa gënjeu zotin e të vdekurve me muzikë, dhe këtu qendron çështja, ai e bëri vetëm me muzikë, pa histori dhe pa subjekt. Duket sikur grekët përdornin aq pak fjalë sa tepria e fjalëve do të thoshte medoemos një gënjeshtër. Sigurisht që arti nuk e ka primare të vërrtetën, por nuk ka as gënjeshtrën, arti nuk ka primare asgjë. Megjithatë përdorimi i tij praktik i vetëm është kënaqësia. Ka edhe një të mirë poezia, ajo nuk është kurrë modeste. Me kollajllëk flet për jetën dhe vdekjen, për zjarrin dhe uji. “Ndiq hartën gjeopolitike të gjumit, zyrë pas zyre, pafundësisht më të paktë, zvogëlohen mbi dyer numra romakë”.

Po të mos besonim nuk do të flinim kurrë, do ruheshim gjithmonë nga diçka. Ama, problemi me besimin nuk është se bazohet te gënjeshtra, është se është gjëja më e afërt me gënjeshtrën. “Piloti e di mirë, sapo i ngrehu një katedrale ateizmit, kjo bombë sa kulm i qytetërimit, poshtë sapo zhduku gjithë një qytet”.

Në njëfarë mënyre Ervin Hatibi ka aftësinë ta shndërrojë besimin në diçka të papërdorshme, të pakollufitshme nga pushteti, në diçka që është e shenjtë pa e ditur tamam për çfarë është e shenjtë, nëse Niçe përdori artin e poezisë për ta transformuar mendimin fetar në atë mënyrë saqë ai bëhej qesharak te “Zarathustra” Ervin Hatibi përdor të njëjtin art për ta bërë besimin të prekshëm edhe për ato të cilëve nuk ju është hapur dera e parajsës.

Në fund të fundit kam përshtypjen se besimi është vetëm bota më e mirë pas një hovi besimi që mund të kemi në një moment të caktuar dhe e marrim ne përsipër, dhe e marrim ne parasysh se kur do ndodhë kjo gjë. Bota bëhet automatikisht më e mirë nëse ne në një moment kemi besim se nuk do na vjedhin biçikletën pasi na e kanë vjedhur dy herë. Por edhe sikur të mos ta gjejmë më biçikletën te puna ja vlen barra qeranë për botën që do duket më e ndritshme dhe më me ngjyra, jo sepse bota do jetë vërtetë më e mirë, më e bukur dhe më e ndritshme, po do jenë njerëzit e tjerë që në njëfarë mënyre, me ndihmën e tyre do ta bëjnë këtë një botë më të mirë për njëri tjetrin. Kështu, ai që nuk beson do të jetë qesharak dhe për të tjerët. “Shpëtimi i kafshëve u bë urgjent, sa më parë, një superrezervat, një program, u ndreq, e quajtëm senat: simulime virtuale pylli, transfuzion me gjakun tonë e transplante, masazh, pastrime profesionale për felinë, thundrakë, dieta sintetike fare e saktë, lojëra elektronike me gjah”.

Besoj që një poeti të tillë duhet ti lavdërohemi që përdor vargun e lirë sepse me një varg tjetër, një gradë e tillë mendimi do ishte thjesht e pamundur, ose do të kalonte në misticizëm, ose do bëhej parodi. I ndjeri Moikom Zeqo është përpjekur me shumë ngulm ta bëjë këtë nëpër poezitë e tij deri diku më tradicionale dhe ja ka dalë deri diku, por të shkruash vjersha me motive filozofike do ishte thjesht qesharake dhe pavlerë. Dhe Ervin Hatibi është ashtu si ka vargun, i lirë. Le ta mbyll këtë shkrim të shkurtër me vargun, ndër ata që rimojnë. “Dyzet ikën vitet, zemra nuk po rritet”.

Shkodër, 2024

Exit mobile version