Masakra në Butrint, si u legalizuan në mënyrë të paligjshme mbi 140 objekte

Plot 45 objekte janë ndërtuar në zonë historike dhe arkeologjike në Parkun e Butrintit dhe këto ndërtime madje janë legalizuar nga zyrtarët e ALUIZN-t në kundërshtim me ligjet. Është dashur auditimi i Kontrollit të Lartë të Shtetit për të zbuluar skandalin e abuzimeve të drejtuesve lokalë të ALUIZNI-t në Sarandë.
KLSH kallëzoi në Prokurori ish-drejtorin, 2 ish-përgjegjës sektori dhe 2 specialistë të Drejtorisë Rajonale të ALUIZNI-t Sarandë. Ata akuzohen se kanë kryer legalizime në zona të ndaluara me ligj, në zonën arkeologjike të Butrintit dhe në zona të mbrojtura mjedisore, afër rrugës kryesore, afër bregdetit, lumenjve, kanaleve kryesore, pa dokumentacion. Në këtë mënyrë, ata kanë shmangur pagesat e detyrimeve financiare, si dhe nuk kanë arkëtuar të ardhura të taksës për infrastrukturën, në vlerën 48.9 milionë lekë.
Në njoftimin për media KLSH ka renditur dhjetëra raste, të cilat konstatohen me shkelje dhe për të cilat ky institucion i ka kërkuar Drejtorisë së ALUIZNI-t Sarandë dhe Drejtorisë së Përgjithshme të ALUIZNI-t në Tiranë, fillimin e procedurave administrative për masa disiplinore për 11 punonjës aktualë të ALUIZNI-t Sarandë.
“Duke i konsideruar veprimet e kryera nga ish-drejtuesit dhe specialistët e Drejtorisë Rajonale të ALUIZNI-t Sarandë, të cilët, në mospërmbushje të detyrës së tyre funksionale dhe në shkelje të Ligjit nr. 9482, datë 03.04.2006 “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje” i ndryshuar dhe akteve të tjera nënligjore dalë në zbatim të tij, kanë konsumuar elementë të veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës”, të parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal, KLSH i ka dërguar Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor, Sarandë, me shkresën nr. 513/9, datë 10.10.2017 Raportin Përfundimtar të Auditimit si indicie, pasi janë kryer shkelje të disiplinës financiare në vlerë 48.852 milionë lekë dhe janë cënuar interesat publike. Për pasojë, KLSH gjykon se duhet të kryhen hetime të mëtejshme, duke i dërguar Prokurorisë të gjitha provat dhe dokumentet përkatëse”, thuhet në njoftimin e KLSH-së.
Gjithashtu, zyrtarët kanë legalizuar edhe 97 objekte të ndërtuara në zonën e mbrojtjes mjedisore “A” Parku Kombëtar i Butrintit. Për shkeljet e kryera, KLSH ka kallëzuar ish-drejtorin, dy ish-përgjegjës sektori dhe dy specialistë të Drejtorisë Rajonale të legalizimit të banesave informale në Sarandë.
Ndërkohë, edhe në plazhin e Borshit, janë legalizuar tre ndërtime pa leje, ndërkohë që në vijën bregdetare të Borshit nuk lejohen legalizimet e objekteve deri në hartimin e planit të integruar sektorial për vijën bregdetare. Gjithashtu, ata kanë shmangur pagesat e detyrimeve financiare si dhe nuk kanë arkëtuar të ardhurat e taksës për infrastrukturën, në vlerën 48.9 milionë lekë.

 

Exit mobile version