Marcelo i pakënaqur te Reali, Juve gati ta rrëmbejë

Juventusi do të tentojë ta transferojë mbrojtësin e krahut të majtë të Real Madridit, Marcelon, gjatë afatit kalimtar të vitit 2019, raporton gazeta italiane Tuttosport.
Që nga transferimi i Cristiano Ronaldos nga Real Madridi në Juventus këtë verë për 117 milionë euro, është spekuluar se Juventusi do të tentojë ta transferojë edhe mbrojtësin brazilian, Marcelon. Ai ka luajtur së bashku me Ronaldon për nëntë vite në Real Madrid, ku kanë krijuar një marrëdhënie të mirë si brenda fushës, ashtu edhe jashtë saj, transmeton Gazeta Express.
Megjithatë, Juventusi nuk tentoi ta transferojë brazilianin këtë verë për shkak të arsyeve financiare. Klubi italian nuk dëshironte të blinte më shumë se sa që kishte shitur. Pasi që Alex Sandro nuk u largua, përkundër interesimin nga Manchester Unitedi dhe Paris Saint-Germaini, Juventusi nuk kishin nevojë për një lojtar në pozitën e Marcelos.
Tuttosport raporton se Juventusi do të tentojë ta bindë presidentin e Real Madridit, Florentino Perez, me ofertë prej 50 milionë euro, por kjo gjë do të ndodhë vetëm nëse Alex Sandro largohet nga klubi.
Marcelo, për momentin, në Real Madrid ka pagë prej 11 milionë eurosh në sezon. Kjo do të thotë që Juventusit, përveç shumës që do t’i duhet t’ia paguajë Real Madridit, do t’i duhet të shpenzojë shumë para edhe për pagën e Marcelos, në mënyrë që ta bindin edhe atë të transferohet në Itali.
Marcelo luan për skuadrën e Real Madridit që 11 vite. Ai u transferua te “Los Blancos” në janar të vitit 2007 nga klubi brazilian, Fluminense, për 6.5 milionë euro.

Exit mobile version