Manaj kthehet në verë te Interi

Pas Peskarës, Rei Manaj nuk ka bindur as drejtuesit e Pizës. Klubi i Serisë A mund të ushtronte të drejtën për të blerë kartonin e tij në fund të sezonit, por jo vetëm që vendosi të mos e bënte një gjë të tillë, por edhe largoi lojtarin në mesin e sezonit. Manaj u sistemua menjëherë te Piza, por edhe aty nuk ka marrë sinjale për zgjatjen e bashkëpunimit për sezonin e ardhshëm.
Sipas burimeve të portaleve italiane pranë Interit, Manaj do të kthehet te kjo skuadër sapo të mbyllet sezoni në Serinë B. Por qëndrimi te zikaltërit nuk është i garantuar dhe me shumë mundësi karriera e tij do të vazhdojë jashtë Italisë, i shitur apo përsëri në huazim.
Lojtarit nuk i mungojnë oferta nga Seria A dhe B, pasi kanë qenë disa klube të gatshme të sigurojnë shërbimet e tij. Por Manaj ka njëkohësisht oferta edhe në Spanjë e Gjermani, që e tërheqin dhe që do e ndihmonin në karrierën e tij. Las Palmas në La Liga dhe Ingolshtad në Bundesligë e kanë ndjekur edhe në janar, por pritet të mësohet nëse do të shfaqin këtë interes edhe gjatë verës për sulmuesin shqiptar. E vetmja kërkesë e tij, kudo që të shkojë, është që të luajë me rregullsi, arsye për të cilën ai vendosi të largohej nga Interi në këtë sezon.

Exit mobile version