Lufta mes kartelit Xhafa të drogës dhe kartelit Tahiri

Luftë mes klaneve Habilaj-Xhafa për drogën në Vlorë. Tonelatat e drogës të kapur në Llakatund i përkasin klanit Habilaj, ndërsa informacioni është dhënë nga klani Xhafa. Ka qenë një oficer i Policisë së Vlorës që i është drejtuar me një mesazh ish-Kryeministrit Berisha ku e informon se droga e bllokuar ishte e klanit të Habilajve, njerëzve të ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri. Duke iu referuar mesazhit të oficerit të Policisë së Vlorës, Berisha shkruan se, droga që u kap në Llakatund ishte e grupit të Habilajve, ndërsa informacioni është dhënë nga klani Xhafa. Po ashtu oficeri i Policisë shkruan se, gjatë operacionit janë sekuestruar 25 ton drogë dhe jo 15 tonë, siç njofton Policia.
Në një postim në Facebook, Berisha shkruan se, Haki droga betohet para policëve për kokën e Noriegës! Duke iu referuar mesazhit të oficerit të Policisë së Vlorës, Berisha shkruan se, droga që u kap në Llakatund ishte e grupit të Habilajve, ndërsa informacioni është dhënë nga klani Xhafa. “Haki droga ju betohet policëve për kokën e Noriegës! Kapen në Vlorë 25 tonelata drogë e klanit Habilaj, i cili paditet nga klani Xhafa! Haki droga betohet para policëve për kokën e Noriegës.
Njeriu që së bashku me Noriegën dhe Saje qorrin krijoi narko-republikën e parë në Europë, ju tha dje policëve: “do ta çojmë këtë operacion deri në fund dhe i kemi premtuar për ta realizuar me sukses këtë prioritet të qeverisë shqiptare nën vëmendje dhe kujdes të veçantë të kryeministrit shqiptar”! Hahaha?! Lexoni më poshtë mesazhin e oficerit dixhital”, shkruan Berisha.
“Përshëndetje doktor, droga e kapur në Llakatund nuk është 15, por 25 tonelata. Kjo drogë është e klanit Habilaj, kushërinjve të Saimir Tahirit. Informacioni për drogën është dhënë nga klani Xhafa, i cili ka pësuar disa goditje në trafikun e drogës falë autoriteteve italiane, e fundit ishte skafi që u mbyt para një jave në det”, shkruan oficeri i Policisë.

Çako fshehu 10 tonelata drogë, u kapën 25 ton

Në Vlorë u sekuestruan 25 ton drogë, por 10 tonelata u fshehën nga drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Haki Çako. Policia deklaroi dje se, gjatë operacionit u sekuestruan 15 ton drogë në Llakatund, ndërsa një oficer policie i është drejtuar me një mesazh ish-Kryeministrit Berisha ku e informon se gjatë operacionit janë sekuestruar 25 ton drogë dhe jo 15 tonë, siç njofton Policia. Droga është kapur mesditën e të enjtes, rreth orës 14:00 sipas një informacioni që kishte Policia dhe nën drejtimin e Prokurorisë u bë zbulimi i sasisë kolosale të drogës, por Çako ka urdhëruar që të mos publikohet operacioni derisa ai të shkojë vetë në Vlorë. Pas fshehjes së 10 tonelatave të drogës nga Çako, lajmi është publikuar në orët e para të ditës së djeshme, ku Policia njoftoi se, janë sekuestruar 15 ton drogë në Llakatund.
Policia njoftoi dje se, mbi 15 ton kanabis u zbuluan në një superoperacion të Policisë. Sipas Policisë, pjesa më e madhe e lëndës narkotike u kap në tre banesa në zonën e Llakatundit të Vlorës, në fshatin Drithas.
Njëra prej shtëpive i përket oficerit të Policisë, Lirim Lamaj. Në të u gjetën të mbjella 270 bimë kanabis. Ai u arrestua së bashku me të vëllain e tij, Astrit Lamaj. Polici tjetër i arrestuar, Avdul Sinanaj, akuzohet për shpërdorim detyre. Në pranga është vënë dhe kryeplaku i Drithasit, Balil Gjata 69 vjeç për moskallëzim krimi.
Kanabisi është ende në proces peshimi dhe burime të policisë thonë se sasia mund të rezultojë edhe më e madhe. Ajo ishte e përpunuar dhe e gatshme për t’u trafikuar dhe dyshohet se do të transportohej për në Itali me mjete lundruese.

Dy punonjës policie tek tonelatat e drogës

Dy punonjës policie dhe kryeplaku i fshatit Llakatund në Vlorë janë arrestuar për tonelatat me drogë që u gjetën në Llakatund. “Gjatë operacionit, duke qenë se hetimi nxorri se në këtë veprimtari kriminale ishin implikuar edhe punonjës policie, veprimet proçeduriale për punonjësit e Policisë janë kryer në bashkëpunim me SHÇBA për arrestimin e tyre. Nga kontrolli i ushtruar në këto banesa, shërbimet e policisë kanë konstatuar sasi të konsiderueshme me lëndë narkotike nëpër dhoma, në formë presimi dhe çokollate, të ndara nëpër pako dhe thasë plastikë të zinj.
Është konstatuar një bazë e gjërë materiale si; 3 presa, sita, përbërës kimikë, vaj hashashi etj, të cilat shërbenin jo vetëm për presimin e lëndës narkotike, por edhe të përpunimit të saj me përbërës kimikë, duke i dhënë formën e çokollatës etj. Janë sekuestruar 5 armë zjarri automatik  kallashnikov. Janë bllokuar dhe sekuestruar 4 automjete: ML-“Benz”, “Mitsubishi”, “Jeep” dhe “Furgon”.
Gjatë operacionit është zbuluar një parcelë e kultivuar me bimë narkotike në oborrin e banesës së një punonjësi policie, konkretisht në banesën e inspektorit të Policisë, Lirim Lamaj, në oborr u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 270 bimë të mbjella, të dyshuara si kanabis sativa”, thuhet në njoftimin e policisë.
Më tej, policia bën të ditur se, nga hetimet e menjëhershme intensive, në lidhje me ngjarjen janë shoqëruar dhjetëra persona, prej të cilëve janë arrestuar në flagrancë 9 prej tyre, si autorë të dyshuar përgjegjës dhe të implikuar në këtë veprimtari.
Inspektor Lirim Lamaj, 49 vjeç, me detyrë SPZ në Komisariatin e Policisë Vlorë, për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike” dhe “Shpërdorim detyre” parashikuar nga nenet 284 e 248 të Kodit Penal.
Inspektor Avdyl Sinanaj, 56 vjeç, me detyrë SPZ në Komisariatin e Policisë Vlorë, për veprën penale “Shpërdorim detyre” parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal. Astrit Lamaj (vëllai i Lirim Lamajt), 37 vjeç, banues në fshatin Drithas, Vlorë, arrestuar për veprën penale “Kultivim i bimëve narkotike”, parashikuar nga neni 284 i Kodit Penal.
Balil Gjata, 69 vjeç, banues në fshatin Drithas të Njësisë Administrative Shushicë, Vlorë, me detyrë Kryeplak i fshatit Drithas. Arrestuar për veprat penale “Shpërdorim detyre” dhe “Moskallëzim krimi”.
Myzafer Tushaj, 66 vjeç, banues në fshatin Drithas, Vlorë. Ervin Tushaj, 42 vjeç, banues në fshatin Drithas, Vlorë. (Babë e birë, të cilët kishin strehuar lëndën narkotike në banesën e shtetasit Z.A). Rakip Arapaj, 58 vjeç, banues në fshatin Drithas, Vlorë (iu gjet sasi e konsiderueshme me lëndë narkotike në banesën e tij).
Kudret Tushaj, 71 vjeç, banues në fshatin Drithas, Vlorë. Elion Tafili, 43 vjeç, banues në fshatin Llakatund, Vlorë. Babë e birë, iu është gjetur një pjesë e lëndës narkotike në banesën e tyre në fshatin Drithas”, thuhet në njoftimin e policisë.

Droga në Llakatund e stampuar me iniciale

Droga ishte e paketuar me iniciale. Prandaj inicialet janë të ndryshme për të ndarë edhe pronarët e lëndës narkotike. Pritet që të ketë ende detaje, pasi policia po punon për zbardhjen e të gjithë ngjarjes dhe personave që janë të implikuar në këtë rrjet të mirëorganizuar të trafikimit dhe kultivimit të lëndës narkotike.
Burimet cilësojnë se nëse do të fokusohen tek fotografitë që ka dërguar deri më tani Drejtoria e Policisë e Qarkut të Vlorës bëhet fjalë për iniciale me gërma të vendosura mbi sasi të ndryshme të lëndës narkotike, që do të thotë inicialet e vendosua aty hedhin dritë edhe mbi personin që e posedon.

Tjetër sasi droge, sekuestrohen edhe 600 kg në Drithas

Një sasi tjetër droge është sekuestruar, kësaj here në fshatin Drithas të Vlorës. 600 kilogramë kanabis u sekuestruan gjatë kontrollit në territorin ku u gjet sasia e madhe e drogës. “Lënda narkotike u gjet e fshehur nëpër shkurret e një përroi, e vendosur në disa thasë sintetikë, të cilët përmbajnë pluhur të imët, të ngjashme me atë të llojit kanabis sativa. Dyshohet se kjo sasi mund të jetë rreth 600 kg. Krehja e zonës është kryer gjithashtu edhe me ndihmën e qenit antidrogë të specializuar për konstatimin e saj”, sqaron Policia.
Nga hetimet paraprake, kjo pjesë territoriale dyshohet se është pronë e shtetasit Myzafer Tushaj dhe të vëllait të tij F.Tushaj. Vazhdojnë veprimet e mëtejshme të transportimit të saj drejt ambienteve të Policisë Vlorë.

R.POLISI

Exit mobile version