Lubonja: Dhunës do t’i përgjigjemi me dhunë

Analisti i njohur, Fatos Lubonja ka reaguar ashpër dje ndaj dhunës së ushtruar me urdhër të Ramës nga gardistët ndaj tij dhe analistëve të tjerë të njohur, të cilin tentuan të merrnin pjesë në dëgjesën publike të qeverisë në lidhje me projektin e ri për stadiumin.
Në një pronocim për mediat, Lubonja ka deklaruar se dhunës së urdhëruar nga Rama do t’i përgjigjen me dhunë. “Këtu bashkohet arroganca, dhunë e pastër kjo e sotmja. Shoqëria Civile është prononcuar për këtë projekt, shumë individë janë prononcuar dhe pse na u shfaq në këtë mënyrë, si rezultat i këtij presioni na thanë hajdeni dëgjoni dhe nuk na lanë. Ne do të përdorim çdo mjet të mundshëm, siç tha arkitekti italian, do të lidhem me litar që të mos shembet kjo vepër. Po këto akte duhet që të ndalohen, këto akte të turpshme. Por nëse do të përdoret dhuna, fatkeqësisht dhunës i përgjigjet me dhunë. Bashkohet injoranca, arroganca, mungesa e çdo lloj diplomacie për një politikan, është dhunë e pastër, mos të dalin e të thonë aty pse thotë Berisha rrëmbeni armët, kështu vjen puna kur ti nuk ke asnjë lloj diplomacie për popullin, pse organizon takim me publikun në një objekt privat”, u shpreh Lubonja”.
Ndërkohë që gjoja dje hap qendër dialog, por dialog është kur merr një vendim dhe merr mendimin e të tjerëve, dëgjon ekspertët dhe këtu ke gjithë shoqërinë civile që duan të mësojnë. Tani del bodigardi të ndalon, kjo është skandaloze, nuk qëndron”, tha Lubonja. Ai denoncoi mënyrën e paskrupullt që zgjodhi Rama për të prezantuar projektin klientelist dhe skandaloz të stadiumit. “Me sjelljen e tij Kryeministri tregoi se partneriteti publik privat është për të penguar transparencën ndaj shoqërisë civile dhe të ashtuquajturat prezantime janë vetëm propaganda mediatike për të mos lejuar një debat të shëndetshëm dhe të plotë mbi efektet negative që shkakton ky projekt për qytetarët e Tiranës. Me pretekstin për të ndërtuar një stadium me standarde europiane qeveria është duke përkeqësuar standardin urban të qytetit. U ftuam si publik për prezantimin e një projekti si stadiumi kombëtar. Çuditërisht ky takim u organizua në ambientet e një privati (klient i tenderave të Kryeministrit) dhe jo në një ambient publik. Çudia s’mbaron këtu. Rojet e këtij privati ndalojnë me dhunë hyrjen në sallë të atyre që Kryeministri i ka në listë si kritikë të projektit. Në sallë hyjnë vetëm yesmen-ët e tij. Dhe e gjithë shfaqja transmetohet live si paraqitje para publikut e projektit. Kjo është për mua zhveshja krejtësisht e maskës”, u shpreh ndër të tjera Lubonja.
“Treguesi se në çfarë shkalle shteti është kapur nga privatët, të cilët në bashkëpunim me maskat e tyre si Kryeministri e shërbëtorët e tij grabisin publikun dhe rrahin apo ndalojnë sa herë tentojnë të mbrojnë pronën publike që po u grabitet. Përdorimi i policëve privatë për të bërë akte të tilla, ndërkohë që projekti është kryer në kundërshtim edhe me ligjet në fuqi tregon se shteti ynë funksionon si organizatë kriminale. E gjitha kjo që ndodhi e tejkalon shumë çështjen e një projekt stadiumi. Dhe meqë është folur shumë për ‘Wemblin’ si shembull i një stadiumi historik që prishet duke na krahasuar me britanikët, po ju them se po të ishte vepruar kështu siç veproi sot ky Kryeministër në Londër sot do të ishte djegur nga londinezët selia nr. 10 në Downing Street, jo thjesht për të mbrojtur një stadium, por për të mbrojtur demokracinë, lirinë dhe dinjitetin qytetar. Kjo paturpësi nuk mund të arrijë deri këtu. Ky është privatizim i shtetit, kuptoni apo jo”, tha Lubonja.
Pas ngjarjes, një replikë Rama-Shoqëria Civile është kryer në distancë. Kryeministri Edi Rama është pritur me protestë jashtë “Hotel Tiranës” ku ka prezantuar projektin për stadiumin e ri “Qemal Stafa” për anëtarët e kabinetit të tij dhe deputetët e PS-së. Disa dhjetëra aktivistë të shoqërisë civile dhe gazetarë e kanë pritur atë në fund të mbledhjes pasi ka dalë për të hipur në makinë, me një pankartë të madhe “Stop Arrogancës”.
Por Rama është mjaftuar vetëm me një replikë me shoqërinë civile: “Merrni votat një herë pastaj hajdeni…”.
Makina e Kryeministrit Rama u mbulua nga truprojat e Gardës, ndërkohë që pasi ai u largua me eskortën e tij, pas tij kanë dalë të gjithë anëtarët e kabinetit qeveritar dhe deputetë të PS-së, që ishin në takim.

Arben Shahini

Exit mobile version