Leksionet e “CNN” ndaj një të marri

Nga Uashingtoni, Kryeministri Rama ka dhënë një intervistë të shkurtër për rrjetin televiziv amerikan “CNN”.
Edhe pse është intervistuar nga Richard Quest- reporteri kryesor i “CNN” për biznesin ndërkombëtar- në mënyrë të pashpjegueshme Kryeministri Rama ka preferuar të mos flasë për ekonominë, turizmin apo investimet e huaja në Shqipëri për të përfituar nga audienca e lartë ndërkombëtare e “CNN”-it, por ka zgjedhur të flasë kundër Donald Trumpit.
“CNN” e ka shkurtuar intervistën në më pak se tri minuta, të gjitha kundër Trumpit.
Qëndrimi i pazakontë i Kryeministrit Rama i ka bërë përshtypje gazetarit Quest, i cili, i është drejtuar atij:
“Duhet të jeni i vetëdijshëm, natyrisht, se mirësjellja diplomatike, zakonisht, kërkon që udhëheqësit e huaj të mos komentojnë për zgjedhjet në një vend tjetër. Duket se ju keni vendosur se kjo çështje është më e madhe se sa, le të themi, protokolli diplomatik?”.
Kryeministri, ndoshta i papërgatitur për një reagim të tillë, ka dhënë një përgjigje pa koherencë, me të folur të zvarritur dhe anglishte të çalë:
“Unë nuk kam komentuar për zgjedhjet. Unë thjesht bëra diçka që unë, unë ëëë pastaj kuptova që nuk ishte i vetmi dhe nuk ishte i pari, që i tha, të tjerë udhëheqës në Europë kanë shprehur të njëjtat shqetësime, sepse Amerika dhe Shtetet e Bashkuara është shumë më e madhe dhe shumë më e rëndësishme se sa për veten dhe në vetvete. Është ëëë në sytë tanë, udhëheqës botëror që ne e ndjekim si një shembull shumë, shumë frymëzues dhe ky shembull frymëzues është ndërtuar mbi vlera dhe parime mbi të cilat Amerika ka luftuar dhe e bën Amerikën të madhe”.
Richard Quest duket se ka dashur t’i thotë Kryeministrit Rama se, qëndrimi i tij mund të mos jetë shumë në interesin e vetë atij, sepse Donald Trump mund të jetë vërtet kandidat apo dhe President i SHBA-ve, ndaj iu drejtua zotit Rama:
“Nëse bëhet e qartë dhe ju i ndiqni këto ngjarje nga afër, se Trump do të jetë kandidati për President, atëherë situata bëhet më e ndërlikuar apo jo, për të gjithë ata që janë të interesuar dhe që kanë këto frikëra”?
Në përgjigjen e tij, Kryeministri nuk reflektoi fare mbi fjalët e Questit, por e çoi qëndrimin e tij në ekstrem, duke u shprehur:
“Zoti mos e dhëntë! Unë mendoj se do të dëmtojë shumë Amerikën, do të dëmtojë shumë botën demokratike, sepse ai në fund do të duhet të bëjë të paktën disa nga gjërat që ai thotë se do të bëjë. Dhe atëherë, natyrisht do të jetë shumë e dëmshme dhe unë shpresoj shumë që ndërkohë, ai do të jetë në gjendje të mësojë më shumë për botën, të mësojë më shumë për myslimanët, të mësojë më shumë për, se si ka shumë komunitete dhe popuj krenarë, pavarësisht feve të tyre, pavërësisht etnive të tyre, që jetojnë me vlerat që Amerika përfaqëson dhe që i mbrojnë këto vlera madje edhe duke sakrifikuar vogëlushët e tyre së bashku me amerikanët”. Këtu “CNN” e ka prerë videon e intervistës që ka publikuar.

Exit mobile version