“Largimi i profesionistëve jashtë vendit është problem në sektor”

Flet Anisa Dizdari, Drejtore ekzekutive Qendra TISS 

Ishte viti 2014, kur numri i fëmijëve të diagnostikuar me autizëm pati një rritje të ndjeshme dhe nga ky vit e në vijim, sipas psikologes dhe punonjëses sociale Anisa Dizdari, në Shqipëri u rrit edhe numri i qendrave të ofrimit të shërbimeve që lidhen me logopedinë dhe terapi të tjera.

Sipas saj, kostoja e terapive është një problem për familjet që nuk kanë mundësi, si dhe emigrimi i mjekëve jashtë… 

Si lindi ideja e hapjes së një qendre multidisiplinare për fëmijët me autizëm?

Qendra TISS e ka nisur rrugëtimin profesional prej dhjetë vjetësh, me një ekip të konsoliduar profesionistësh dhe orientohet në dhënien e shërbimeve multidisiplinare për fëmijët me autizëm, por edhe problematika të tjera neurozhvillimore.

Ishte viti 2014, kur numri i fëmijëve të diagnostikuar me autizëm pati rritje të ndjeshme.

Në Shqipëri kishte vetëm një qendër multidisiplinare që ofronte shërbime për fëmijët me autizëm dhe kështu e konsideruam të nevojshme ngritjen e një institucioni që të ofronte shërbime cilësore dhe profesionale për këta fëmijë.

Në këtë mënyrë vendosëm të bëjmë bashkë një grup profesionistësh, mjek psikiatër infantil, pediatër zhvillimi, psikologë klinikë, specialistë të sjelljes, logopedë, psikomotricien, etj.

 

Cilat janë sfidat kryesore me të cilat përballeni në tregun shqiptar?

Për t’ju përgjigjur kësaj pyetje, më duhet të bëj një përmbledhje të të gjitha sfidave me të cilat jemi përballur në 10 vjet.

Si fillim duhet të mbijetonim si institucion, sfidat ekonomike kanë qenë të mëdha, sepse shërbimet që duhet të ofronim kishin kosto ekonomike dhe shumë prindër nuk kishin mundësi t’i përballonin.

Nga njëra ana, duhet të mendonim të luftonim për kauzën dhe të edukonim sa më shumë prindër që të trajtonin fëmijët, t’i mbështesnim ata në çdo problem me të cilët përballeshin (informacion jo i saktë rreth autizmit, paragjykime, probleme sociale etj.), ndërkohë, nga ana tjetër, duhet të përballonim kostot ekonomike që kërkonte menaxhimi i një institucioni të mirëfilltë të shëndetit mendor.

Mbështetje ekonomike nga ana institucionale shtetërore nuk kishim dhe kështu u detyruam të lobonim fort në institucione private për gjenerim fondesh, në mënyrë që të rrisnim cilësinë e shërbimeve që ofronim, por edhe të mbështesnim ekonomikisht prindër që nuk kishin mundësi të paguanin shërbimin për fëmijët e tyre.

Një tjetër sfidë me të cilën jemi përballur, por edhe vazhdojmë të përballemi, është largimi i profesionistëve jashtë vendit.

Një rëndësi të madhe i kushtohet edhe formimit të vazhdueshëm profesional të stafit në mënyrë që të rritet cilësia e shërbimit.

Por, edhe pasi ne investojmë shumë nga ana profesionale, profesionistët e rinj zgjedhin të largohen për të punuar jashtë vendit. Kjo kthehet në sfidë sepse ne duhet të rekrutojmë dhe aftësojmë vazhdimisht profesionistë të rinj.

Sot që flasim, sfidat ekonomike janë edhe më të mëdha. Rritjet e çmimeve na e kanë vështirësuar shumë punën.

Për të mbajtur një institucion në këmbë, ka kosto të jashtëzakonshme, si pagesat e stafit, pagesat e ekspertëve të vendit dhe të huaj, taksat, tatimet, qiratë shumë të larta, blerja e vazhdueshme e materialeve didaktike cilësore dhe profesionale, trajnime të vazhdueshme dhe kualifikime të stafit etj.

Qendrat joqeveritare dhe sociale nuk kanë asnjë mbështetje ekonomike nga shteti dhe çdo kosto duhet ta mbulojnë vet.

 

Si e shihni konkurrencën në një treg kaq të vogël sa Shqipëria?

Është e vërtetë në fakt që shumë zyra apo klinika janë hapur dhe ofrojnë përgjithësisht shërbimin e logopedisë. Në fakt, nga njëra anë, ne ndihemi mirë sepse ofrohen mundësi për të punuar dhe për të ndihmuar fëmijët.

Ne si qendër kemi punuar fort në rritjen e informimit dhe ndërgjegjësimit te prindërit, për t’u dhënë ndihmë fëmijëve që në momentet e para kur ata dyshojnë se diçka nuk shkon në zhvillimin e fëmijës.

Gjithashtu kemi kontribuar shumë në rritjen e kapaciteteve profesionale, duke ofruar si qendër trajnime të vazhdueshme për kualifikimin e profesionistëve të rinj.

Nga ana tjetër, gjatë këtyre viteve, kemi vënë re se shumë klinika janë hapur nga persona të pakualifikuar, të patrajnuar apo të paspecializuar në ofrimin e shërbimeve.

Shumë logopedë me mbarimin e bachelor-it hapin zyra dhe marrin përsipër trajtimin e fëmijëve. Kjo është kthyer në shqetësim të madh për rënien e cilësisë së shërbimit dhe keqtrajtim të rasteve, duke shkaktuar dëme te fëmijët.

Është një kaos i madh informaliteti në këtë shërbim. Qendra apo klinika që qëndrojnë të fshehura nga shteti, nuk deklarohen, nuk punësojnë profesionistë, nuk kontrollohen dhe mbikëqyren në punën që bëjnë.

Ne themi që konkurrenca kur është e drejtë dhe e shëndetshme, të rrit dhe të motivon në punë, por në rastet e lartpërmendura, ku shumë qendra janë informale dhe joprofesionale, nuk mund të jenë konkurrentet tona.

 

Me sa duket, numri i qendrave vitet e fundit është rritur, ndërkohë shërbimet publike mungojnë ende. Çfarë ndikimi ka kjo te klientët?

Sigurisht që për Shqipërinë kemi ende shumë nevojë për ndërhyrjen e politikave shtetërore në përmirësimin e cilësisë së ofrimit të shërbimeve kur flasim për shëndetin mendor.

Janë bërë hapa pozitivë në ngritjen e qendrave komunitare të shëndetit mendor, rritjen e numrit të mësuesve mbështetës në kopshte dhe shkolla për fëmijët e diagnostikuar.

Megjithatë mendoj se shteti ka mundësi të bëjë më shumë në rritjen e shërbimeve dhe cilësisë së këtyre shërbimeve.

Kemi nevojë të kemi pediatër të konsultoreve të mirëtrajnuar për identifikimin e shenjave të autizmit, por edhe problematikave të tjera zhvillimore, kemi nevojë të ngremë më shumë qendra shtetërore, ku fëmijët të vlerësohen, diagnostikohen dhe të marrin shërbim pa pagesë, kemi nevojë të dërgojmë si mësues mbështetës staf të kualifikuar dhe me profil të duhur akademik, që t’u vijnë në ndihmë fëmijëve, kemi nevojë për më shumë klasa burimore nëpër kopshte dhe shkolla, kemi nevojë për më shumë aktivitete sportive, kulturore, rekreative, ku fëmijët të argëtohen pa pagesë.

Dhe sigurisht, më e rëndësishmja, kemi nevojë që shteti të jetë rregullator i qendrave që ofrojnë shërbime profesionale nga qendrat informale.

 

Si mendoni se ka ndikuar rritja e numrit të fëmijëve me autizëm në qendrën tuaj? Çfarë hapash keni ndërmarrë?

Rritja e numrit të fëmijëve me autizëm është një problem shumë i madh, sot flasim për shifra ku 1 në 36 fëmijë dignostikohet me autizëm sipas CDC (Center for Disease Control and Prevention).

Kjo rritje sigurisht ka ndikuar edhe në shërbimet që ne ofrojmë.

Jemi fokusuar edhe më shumë në trajnime dhe kualifikime të profesionistëve që mund t’u vijnë në ndihmë këtyre fëmijëve, kemi rritur numrin e stafit që ofrojnë shërbim si numrin e selive të Qendrës TISS.

Aktualisht ofrojmë shërbime në dy qendra në qytetin e Tiranës dhe dy qendra në qytetin e Durrësit.

Jemi munduar të rrisim numrin e aktiviteteve me karakter informues dhe ndërgjegjësues për prindërit, në mënyrë që të evidentojnë, kuptojnë dhe të kërkojnë shërbim sa më të hershëm për fëmijët e tyre.

Kemi ngritur grupe vullnetare trajnimi për edukatoret nëpër kopshte, në mënyrë që të mësojnë si të punojnë dhe si të menaxhojnë problematikat e fëmijëve brenda kopshtit.

Takimet tona kanë qenë të vazhdueshme edhe në rang tryezash politikëbërëse, në mënyrë që të ngremë zërin dhe pasqyrojmë këto problematika edhe në ministritë përkatëse për të ndikuar sadopak në ndërmarrjen e reformave në ndihmë të fëmijëve dhe të rinjve me nevoja të veçanta.

 

Cilat janë planet tuaja për të ardhmen, duke pasur në konsideratë edhe numrin e shtuar të problematikave zhvillimore dhe gjuhësore te fëmijët?

Për sa i përket punës sonë të përditshme në lidhje me shërbimin terapeutik, ne studiojmë dhe përvetësojmë vazhdimisht qasjet teraupetike dhe risistë shkencore që vijnë në ndihmë të këtyre problemeve.

Puna e përditshme ka sfida pafund, ne duhet të jemi të përgatitur çdo herë për t’u përballur dhe për t’i kapërcyer ato dhe kjo bëhet vetëm duke studiuar mirë, në mënyrë konstante çdo model shkencor që na ofrohet.

Unë e them gjithmonë: – Leximi dhe të mësuarit nuk mbaron kurrë në këtë profesion.

Një nga planet tona për të ardhmen që kemi filluar ta vëmë në zbatim është krijimi i një rrjeti institucionesh dhe profesionistësh që ofrojnë shërbime të kontrolluara dhe profesionale për fëmijët.

Ky rrjet do të shërbejë si mbështetje profesionale mes anëtarëve brenda tij, por gjithashtu do të shërbejë edhe si një mekanizëm që do të nxisë instancat qeveritare të ndërmarrë hapa reformues në dobi të fëmijëve dhe familjeve të tyre./Monitor.al

Exit mobile version