Ku i gjeti Gregor Rama paratë për të pasur një palë syze 60 mijë euroshe?

Partia Demokratike kërkoi dje bërjen e transparencës se ku i ka marrë paratë djali i kryeministrit, Gregor Rama për blerjen e syzeve 60 mijë euro apo kush ia ka dhuruar këto syze nëse ia kanë dhuruar. Përmes një deklarate për shtyp, Belind Këlliçi, kreu i FRPD deklaroi dje: “Media ka zbuluar se studenti më i pasur në vend dhe ndoshta në rajon, është i papuni Gregor Rama, djali i Kryeministrit. Zbulimi nuk ka qenë shumë i vështirë për t’u bërë, pasi Gregu, studenti i papunë, është pjesë e arrogancës rilindase që ka dëshirë ta tregojë luksin, edhe pse shokët e tij të klasës nuk kanë lekë të pinë një kafe, le më të paguajnë tarifat e rritura të universiteteve nga babai i tij, edhe pse 46.2 për qind e familjeve shqiptare jetojnë në varfëri me 5 dollarë në ditë.
Syzet që mban djali i papunë i Edi Ramës, janë “Maybach” që sipas medias dhe ekspertëve kushtojnë të paktën 60 mijë euro.
Syze tipike të oligarkëve të Lindjes, të qeveritarëve të korruptuar, të njohur botërisht për pasurinë e luksin që kanë vënë në kurriz të popullit.
Vlera e këtyre syzeve që mban Gregu është sa dy muaj pagë e Presidentit amerikan, Obama.
Përveçse një çështje morale, që tregon harbutërinë e rilindjes, kontrastin e thellë mes Edi Ramës, njerëzve të tij dhe popullit që nuk ka me se të ushqehet, ky është dhe një problem i mprehtë ligjor.
Djali i Kryeministrit, duhet të tregojë se ku i ka marrë paratë për të pasur një palë syze 60 mijë euroshe. Të tregojë burimin e parave. Është i detyruar me ligj.
Nëse i ka dhuratë, duhet të tregojë se nga kush i ka dhuratë:
Nga Hakmarrja për Drejtësi?
Nga Emiliano Shullazi?
Apo nga kompania kineze që po përgatitet të marrë koncesionin e TVSH, së bashku me xhaxhain e tij Olsin?
Këto pyetje janë shqetësim publik dhe Gregor Edi Rama është i detyruar të japë përgjigje.

Exit mobile version