Kriza tek Interi

Fillimisht skuadra fitonte pa bindur, më pas filloi të fitojë dhe të bindë, por tani Interi as nuk fiton dhe as nuk bind. Prej 9 takimesh radhazi zikaltrit nuk gjejnë fitoren, ndërsa në 7 ndeshjet e fundit në kampionat, kanë marrë vetëm 5 nga 21 pikët e mundshme.
Kjo situatë është nga më negativet dhe tani duket se në shtëpinë zikaltër ka rënë edhe imuniteti i Spallettit. Nëse deri në fund të dhjetorit trajneri mund të justifikohej me mungesën e alternativave, kundërshtarët e fortë, por edhe dëmtimet në repartin e mbrojtjes, pas sfidës me Spalin duket se kanë përfunduar alibitë edhe për të.
Në sfidën ndaj Spal u pa një Inter shumë i paqartë, që gabonte shpesh pasimet më të thjeshta, ndërsa liderët e skuadrës nuk dukeshin fare me lojën e tyre. E nëse Spalletti vendosi të largojë Candrevën në fillim të pjesë së dytë, duket e pakuptimtë zgjedhja e tij për të mbajtur për 90 minuta Ivan Perisiçin, që prej shumë javësh nuk bind aspak me paraqitjet e tij.
Kroati ishte shumë i rrëmujshëm dhe shpesh bënte zgjidhje të gabuara, duke injoruar pasimin për shokët e skuadrës. Për më tepër, ndonëse kishte në stol një futbollist si Rafinha, që mund të ndihmonte zikaltrit të mbanin topin dhe të organizonin më shpejt kundërsulmet, Spalletti preferoi të hedhë në fushë Gagliardinin, duke menduar shumë herët për mbrojtjen e rezultatit.
Deri në fund të muajit nëntor, te Interi luanin të njëjtët lojtarë dhe Spalletti justifikohej me shprehjen se “skudara që fiton, nuk ndryshohet”, ndërsa në periudhën në vazhdim, zikaltrit nuk fitojnë prej 9 ndeshjesh, por tekniku sërish refuzon të ndryshojë, duke lënë thuajse jashtë projektit futbollistë si Dalbert apo Karamoh, që kanë treguar se mund të jenë shumë të vlefshëm për skuadrën, nëse u jepet vazhdimësi.
Kur kanë mbetur edhe rreth 80 orë nga mbyllja zyrtarisht e merkatos, tifozët zikaltër shpresojnë shumë në afrimin e Pastores, që mund të rindizte entuziazmin brenda ekipit, ndërsa Spalletti duhet të mendojë mirë për ndeshjen e të shtunës në mbrëmje, përballë Crotones, pasi çdo rezultat përveç fitores, do të trondiste seriozisht pozitat e tij në pankinën zikaltër.
Interi nuk ka mundur të marrë më shumë se një pikë në udhëtim te Spal, duke pranuar gol për 1:1 në minutën e 90-të, për barazimin e katërt me radhë në Serie A, për herë të parë pas 14 viteve.
Sipas faqes për histori dhe statistika “Opta”, Interi ka barazuar 4 ndeshje me radhë në Serie A për herë të parë që nga nëntori i 2004. Në përgjithësi, kjo ishte ndeshja e shtatë në Serie A që Interi nuk di për fitore.

Exit mobile version