Kreu i Antimafias: Bashkëpunim për drogën, pas ikjes së Tahirit

Ish-kreu i Antimafies italiane në Leçe, Cataldo Motta tha dje në Tiranë se, bashkëpunimi mes dy shteteve gjatë kohëve të fundit është duke sjellë vënien nën kontroll të situatës së trafikut të drogës. Bashkëpunimi mes Italisë dhe Shqipërisë për goditjen e trafikut të drogës është forcuar, pasi u largua Tahiri si ministër i Brendshëm. Gjatë tre viteve e gjysëm që Ministria e Brendshme u drejtua nga Saimir Tahiri, i gjithë vendi u kanabizua dhe tonelata droge u futën nga Shqipëria në Itali. Tahiri bashkëpunoi me trafikantët, duke lejuar që ata të mbillnin plantacionet me kanabis, pasi t’i jepnin që në fillim 30 përqindshin. Policia jo vetëm që nuk ndërhynte për të shkatërruar plantacionet me kanabis ku ishte bashkëpronar edhe Tahiri, por ato ruheshin me forca të amatosura.
Në fillim të muajit mars, Rama u detyrua të largojë Tahirin nga drejtimi i Ministrisë së Brendshme, duke e lënë si kryetar të PS-së së Tiranës. Pasi u pasurua me paratë e pista të drogës, Tahiri drejton partinë në Tiranë, duke mbajtur nën kontroll bazën. Po me paratë e drogës, ai do të bëhet sërish deputet i PS.
Kultivimi dhe trafikimi i drogës bëhej pa asnjë problem, pasi kishte dalë garant Tahiri me mbështetjen që i bënte Rama. Megjithë reagimet e fuqishme të autoriteteve italiane për tonelatat e drogës që trafikoheshin nga toka, ajri dhe deti, Tahiri vihej në mbrojtje të trafikantëve, duke manpiluar edhe deklaratat e policisë italiane dhe të Guarda di Finanzas.
Tahiri arriti deri aty sa të mashtroi për ekzistencën e një raporti të Guardia di Finanza për gjoja shkatërrimin e 99.8 për qind të sipërfaqeve të mbjella me kanabis. Më 7 tetor 2016, Tahiri shpërndau të dhënat e një “raporti”, të cilin ai pretendonte se ishte hartuar nga Guardia di Finanza italiane. Ky raport pretendonte se në vitin 2016, Policia e Shtetit kishte shkatërruar 99.8 për qind të sipërfaqeve të mbjella me kanabis në vend. Edhe pse vështirë se dikush i besonte ato shifra, ministri Tahiri i përdori ato në mënyrë agresive për të heshtur kundërshtarët dhe për të sulmuar opozitën.
Në një postim në Facebook, Tahiri shkroi: “Për ata që kanë sy e vesh, më poshtë të dhënat zyrtare të Guardia di Finanza dhe Policisë së Shtetit […]:
[…] Në 2016, policia shkatërron 99.8% të hapësirës së kultivuar. Në 2012 shkatërronte 0% dhe në 2013 shkatërronte 7,5%. Kush është narkotrafikanti?!?! Qeveria e lidhur me bandat e drogës kush është?!?!” Para pak ditësh ishte vetë Ministria e Brendshme që konfirmoi se, nuk ekzistonte asnjë raport i Guarda di Finanza për shkatërrimin e parcelave me kanabis në Shqipëri.

Motta: Prodhimi në Shqipëri i kanabisit u rrit

Ish-kreu i Antimafies italiane në Leçe, Cataldo Motta thotë se, bashkëpunimi mes dy shteteve është duke sjellë në një farë mënyre vënien nën kontroll të situatës së trafikut të drogës. Kjo falë skuadrës së përbashkët të hetimit që u ngrit në dhjetor. I pranishëm në Tiranë në konferencën  ndërkombëtare, “Qasjet e reja hetimore ndaj organizatave kriminale që përdorin internetin”, Motta tha se prodhimi i kanabisit në Shqipëri është rritur. Duke iu referuar të dhënave nga Guardia di Financa, Motta thotë se, prodhimi është në sasi të konsiderueshme, por vlerëson shumë të mirë bashkëpunimin dhe sekuestrimin e sasive të mëdha të ngarkesave me drogë.
“Situata e trafikut të drogës mund të thuhet që është nën kontroll. Në kuptimin që kemi një bashkëpunim me autoritetet shqiptare dhe kemi ngritur një skuadër të përbashkët hetimi (që u ngrit në dhjetor) dhe hetimet po japin rezultate të mira. Është përmirësuar shumë bashkëpunimi. Hetimet e përbashkëta janë shumë të rëndësishme, sepse punohet për të njëjtin hetim, parë nga këndvështrime të ndryshme. Secili vë në dispozicion të tjetrit njohuritë që ka përfituar në hetim. Ndër të paktat gjëra që besoj është bashkëpunimi internacional.
Prodhim ka pasur. Lazarati ka qenë një zonë e njohur e prodhimit. Është e pamundur që nga një moment në tjetër të ndërpritet. Pasi sasia ka qenë e konsiderueshme dhe nuk mund ta zhdukësh nga një moment në tjetrin”, është shprehur Cataldo Motta.
“Sipas të dhënave të “Guardia di Financa”, prodhimi është në sasi të konsiderueshme, por është e rëndësishme që falë hetimeve bëhen dhe një numër i madh sekuestrosh, si në ujërat e kanalit të Otrantos ashtu dhe me destinacion Leçen.
Do të kërkojë një ndërhyrje shumë të gjatë për të çuar në pakësim, nuk mund të mbarojë nga momenti në moment. Besoj se rezultat i mirë janë sekuestrimet, do të thotë që ka një bashkëpunim shumë të rëndësishëm dhe skuadra investigative e përbashkët po ia del”, u shpreh Motta.
Ish-kreu i Antimafies italiane në Leçe, Motta tha se, sipas të dhënave të Guardia di Financa, prodhimi është në sasira të konsiderueshme, por është e rëndësishme që falë hetimeve bëhen dhe një numër i madh sekuestrosh, si në ujërat e kanalit të Otrantos ashtu dhe me destinacion Leçen.

R.POLISI

Exit mobile version