Kosova do të votojë sërish më 22 tetor

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka caktuar datën 22 tetor 2017, për mbajtjen e zgjedhjeve lokale.
Këtë vendim, Thaçi e mori pas një takimi konsultativ me partitë politike, ku kryesisht u propozua data 22 tetor për mbajtjen e këtyre zgjedhjeve.
Presidenti ka udhëzuar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve që t’i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për organizimin dhe mbajtjen e zgjedhjeve lokale, në përputhje me vendimin e tij dhe legjislacionin në fuqi.
Përfaqësuesit e partive politike kanë preferuar që zgjedhjet komunale të mbahen brenda afatit kushtetues dhe siç u tha, “mundësisht në një mot sa më të mirë, për të mos hyrë në stinën e dimrit”.
“Zgjedhjet për organet vetëqeverisëse lokale mbahen ditën e dielë për çdo katër vite. Zgjedhjet nuk mund të mbahen më herët se gjashtëdhjetë ditë para përfundimit të mandatit dhe jo më vonë se tridhjetë ditë pas përfundimit të mandatit”, tha Thaçi.
Edhe kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve u shpreh e gatshme të organizojë zgjedhjet e rregullta për organet vetëqeverisëse lokale dhe të sigurojë mbarëvajtjen e tyre.
Zgjedhjet lokale do të mbahen në 38 komunat e Kosovës. Ato pritet të prodhojnë kryetarët e rinj të komunave dhe përbërjet e reja të asambleve komunale.
Viti 2017, po cilësohet si vit i zgjedhjeve në Kosovë. Më 11 qershor, u zhvilluan zgjedhjet e parakohshme parlamentare nga të cilat pritet që të konstituohet përbërja e re e Kuvendit të Kosovës, i cili më pas pritet ta votojë edhe formimin e qeverisë.

Exit mobile version