Kondogbia: Është i mundur Champions

Geofrey Kondogbia nuk dorëzohet. Mesfushori i skuadrës së Interit u bëri apel shokëve të tij, që kurrë nuk duhet të tërhiqen në arritjen e objektivave sezonalë, edhe atëherë kur matematika nuk lë shumë hapësira për të shpresuar, në një mision siç është kualifikimi për në Champions League. “Asgjë nuk ka përfunduar. Personalisht jam i idesë që nëse kërkon me të vërtetë diçka, atëherë duhet të luftosh deri në fund. Besoj fort te kjo skuadër, sepse i ka të gjitha mundësitë për të arritur kualifikimin për në Champions. Ka ende shumë  ndeshje për t’u luajtur. Nuk do të jetë e lehtë, por nëse japin maksimumin asgjë nuk është e pamundur”, u shpreh Kondogbia.
Më tej, francezi foli dhe për marrëdhënien e tij me trajnerin Stefano Pioli si dhe iu përgjigj edhe pyetjes nëse duhet të jetë apo jo 51-vjeçari në krye të stolit zikaltër sezonin e ardhshëm. “Trajneri më ka transmetuar besimin e tij dhe unë e falendëroj për këtë gjë. Ai e mori ekipin në një moment të vështirë dhe sot falë tij jemi më të organizuar taktikisht. Përsa i përket të ardhmes së tij, mund të them që fokusi ynë kryesor është kampionati”, tha ai.
Jashtë vëmendjes së Kondogbia nuk mund të qëndronte as derbi i Madoninës, që do të luhet më 15 prill, Inter-Milan. 24-vjeçari deklaroi se ai së bashku me shokët e tij të skuadrës dhe mbështetjen e tifozëve do të japin gjithçka për ta fituar.

Exit mobile version