Koncesioni tjetër, 336 miliardë lekë për 34 km të rrugës së “Arbrit”

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka njoftuar sot se është mbledhur Komisioni i dhënies me koncesion të procedurës me objekt “Përmirësimi, ndërtimi, operimi dhe mirëmbajtja e rrugës së “Arbrit”.
Nga shqyrtimi i sistemit elektronik, rezultoi se kishin shprehur interes 3 (tre) operatorë ekonomikë dhe konkretisht:
1) Operatori Ekonomik Adem Pojani
Nga shqyrtimi paraprak i sistemit, rezultoi se ky operator kishte paraqitur disa dokumenta, të cilat nuk rezultojnë të mjaftueshme për tu konsideruar ofertë zyrtare;
2) Operatori Ekonomik Shoqëria “Alb-Star”sh.p.k.
Nga shqyrtimi paraprak i sistemit, rezultoi se ky operator kishte paraqitur disa dokumente, por nuk u konstatuan të dhënat e ofertës financiare.
3) Operatori Ekonomik Shoqëria “Gjoka Konstruksion” sh.a;
Nga shqyrtimi paraprak i sistemit, rezultoi se ky operator kishte paraqitur dokumentacionin teknik, financiar dhe ligjor si dhe kishte paraqitur Propozim Financiar. Nga shqyrtimi paraprak i Propozimit Financiar rezultoi se Operatori Ekonomik Shoqëria “Gjoka Konstruksion” sh.a; kishte propozuar si vlerë projekti shumën prej 33,6 miliardë lekë.
Në përputhje me përcaktimet ligjore, brenda afatit ligjor 60 ditor, komisioni do të kryejë shqyrtimin e plotë dhe të detajuar të ofertave të paraqitura dhe do të dalë me vendimmarrjen përkatëse.
Qeveria ka shpërblyer me një bonus sa dhjetë për qind të pikëve ofertën e një kompanie private për ndërtimin e rrugës së “Arbrit”. Sipas ofertës së propozuar nga kompania “Gjoka Konstruksion”, rruga do të kushtojë 33.6 miliardë lekë, ose rreth 250 milionë euro dhe ndërtimi i saj do të zgjasë 46 muaj.
Vepra do të financohet përmes një skemë të përbashkët mes kompanisë private dhe buxhetit të shtetit. Më saktësisht, kompania do të financojë rreth 190 milionë euro nga paratë e veta, ndërkohë që shteti do të paguajë 60 milionë euro të tjera nga buxheti, gjatë periudhës së ndërtimit.
Pasi të ketë përfunduar plotësisht ndërtimin, kompania do të paguhet me këste nga buxheti për një periudhë që mund të shkojë deri në 15 vjet, sipas programit 1 miliard euro të rindërtimit që është lancuar nga qeveria.
Aktualisht rruga e “Arbrit” ka përfunduar plotësisht në 20.1 kilometër, ndërkohë që 15 kilometra të tjerë janë ndërtuar pjesërisht.
Kompania private ka propozuar një variant, sipas të cilit gjatësia totale e rrugës është 69 kilometër dhe përfshin një tunel. Veç kostove të ndërtimit, në ofertë kompania ka marrë përsipër edhe mirëmbajtjen e rrugës dhe tunelit për një periudhë 10-vjeçare pas ndërtimit. Pas këtij vendimi pritet që shumë shpejt qeveria të hapë tenderin për të përzgjedhur fituesin përfundimtar për ndërtimin e rrugës, edhe pse propozimi i “Gjoka Konstruksion” tashmë është në një avantazh të fortë, edhe nëse do të paraqiten oferta të tjera.

Exit mobile version