Koncesionet 300 milionë dollarë, merret në pyetje zëvendësi i Beqjas

Prokuroria ka nisur hetimet në lidhje me procedurat dhe dhënien me koncesion të disa shërbimeve spitalore. Në hetim janë marrë koncesioni për hemodializën me vlerë 86 milionë dollarë, ai për sterilizimin e pajisjeve kirurgjikale me vlerë 100 milionë dollarë, si dhe koncesioni i check-up-it falas. Në kuadër të këtyre hetimeve, zëvendësministri i Shëndetësisë, Klodian Rrjepaj, është marrë në pyetje nga Prokuroria për të dëshmuar në lidhje me koncesionet e hemodializës dhe sterilizimit.
Hetimi për këtë çështje ka nisur nga Prokuroria që në dhjetor të vitit 2015, pas publikimeve në media të dyshimeve për abuzime. Fillimisht organi i akuzës ka sekuestruar dhe verifikuar dokumentacionin e nevojshëm në lidhje me procedurat komplekse të dhënies me koncesion të shërbimeve publike dhe më pas ka vijuar me marrjen në pyetje të personave që kanë dijeni për çështjen. Përveç zëvendësministrit të Shëndetësisë, Kodian Rrjepaj mësohet se do të thirren në Prokurori të gjithë anëtarët e komisionit të koncesioneve. Ata janë Arben Gjata, Genc Byrazeri, Petro Mersini.
Koncesionet nuk janë firmosur nga minsitri Beqja, por nga zëvendësministrat e tij. Por ndërkohë në komision ministri Beqja ka pasur njerëz shumë pranë vetes. Burime të besueshme thanë se Genc Byrazeri është një i afërm i familjes së ministrit, çfarë do të thotë se, vendimmarrja e koncesioneve ose të paktën një votë në ato koncesioneve ka qenë në kushtet e konfliktit të interesit.
Koncesionet multimilionëshe të shërbimeve mjekësore e kanë vendosur ministrin Beqaj në qendër të akuzave të medias dhe të opozitës, pasi kompani të panjohura dhe pa eksperiencë kanë qenë përfituese të tyre. Në hetim janë marrë koncesioni për hemodializën me vlerë 86 milionë dollarë, ai për sterilizimin e pajisjeve kirurgjikale me vlerë 100 milionë dollarë si dhe koncesioni i “Check up-i” falas me vlerë rreth 120 milionë euro.
Koncesionet qindra milionë euro të dhëna nga Ministria e Shëndetësisë janë bërë objekt i një hetimi të Prokurorisë që në dhjetor të vitit të kaluar, e cila zyrtarisht thotë se ka regjistruar procedimin penal. Hetimi fillimisht ka nisur në njësinë Antikorrupsion në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, e cila ka si objekt të punës së saj hetimin e zyrtarëve të lartë, gjyqtarëve, prokurorëve dhe të zgjedhurit vendorë.
Në koncesionet e dhëna nga Ministria e Shëndetësisë, ndër të tjera dyshohet se janë implikuar edhe zyrtarë të lartë të këtij institucioni. Kjo është arsyeja përse hetimet janë nisur nga njësia Antikorrupsion. Mësohet se fillimisht çështja penale është regjistruar me akuzën e korrupsionit të kryer nga zyrtarë të lartë, por pa emra personash konkretë.
Sipas burimeve të Prokurorisë mësohet se objekt i hetimit të Njësisë Antikorrupsion janë tri koncesione me vlerë rreth 300 milionë dollarë, disa tendera të zhvilluar nga Ministria e Shëndetësisë dhe autorizimet e ministrit Beqja për importin e disa ilaçeve nga kompani të ndryshme farmaceutike.
Në hetimet e Prokurorisë përfshihet edhe ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqja. “Ky hetim ka nisur pas shqetësimeve të shpeshta të ngritura në publik për disa tendera dhe koncesione të realizuara nga Ministria e Shëndetësisë, vlera e së cilave arrin në disa dhjetëra miliona euro”, bëri të ditur Prokuroria. I pyetur nëse procedimi penal përfshin edhe ministrin Ilir Beqja, prokurori i çështjes tha se “asnjë zyrtar nuk do të jetë i përjashtuar nga hetimet”.
Në fokus të hetuesve janë tri koncesionet e shumëpërfolura: “Check up-i” falas me vlerë rreth 120 milionë euro, koncesioni për shërbimin e hemodializës 86 milionë dollarë, dhe ai për sterilizimin e pajisjeve kirurgjikale, me vlerë 100 milionë dollarë.
Hetimi për koncesionet në sektorin e shëndetësisë asistohet edhe nga oficerë të Policisë Gjyqësore të Prokurorisë së Përgjithshme, për shkak të veprimeve të shumta hetimore që duhet të kryhen. Koncesionet multimilionëshe të shërbimeve mjekësore e kanë vendosur ministrin Beqja në qendër të akuzave të medias dhe të opozitës, pasi kompani të panjohura dhe pa eksperiencë kanë qenë përfituese të tyre.

Kush janë tri koncesionet që iu kushtojnë shqiptarëve 300 milionë dollarë

Nga check up-i falas për grupmoshat 40-65 vjeç, shërbimi i hemodializës për të sëmurët me veshka dhe sterilizimi i pajisjeve kirurgjikale janë tri koncesionet e dhëna nga Ministria e Shëndetësisë, me vlerë 300 milionë dollarë. “Risia” e koncesioneve për shërbimet shëndetësore që kryheshin në spitale nisi menjëherë sapo qeveria socialiste erdhi në pushtet në qershor të vitit 2013. Pa kaluar 6 muaj nga marrja e pushtetit (shtator 2013), Ministria e Shëndetësisë nisi planifikimin e dhënies me koncesion të disa shërbimeve që ajo i konsideronte të rëndësishme për qytetarët.
I pari ishte check up-i falas apo ndryshe kontrolli shëndetësor për grupmoshat e popullsisë nga 40 deri në 65 vjeç. Ky shërbim i dhënë me koncesion në prill të vitit të shkuar, në thelb ka analizat e gjakut për këtë grupmoshë popullsie me qëllim parandalimin e sëmundjeve të mundshme.
Por procedurat e ndjekura gjatë dhënies së koncesionit, kompanitë e përzgjedhura dhe vlera e tij kanë ngritur dyshime të forta, të artikuluara vazhdimisht nga opozita dhe ekspertë të njohur të shëndetësisë.
Disa nga shkeljet e evidentuara në procedurën e dhënies së këtij koncesioni me kohëzgjatje 10 vjet dhe me një vlerë 120 milionë euro kanë të bëjnë kryesisht me përzgjedhjen e kompanisë fituese.
Sipas dokumenteve të tenderit, fitues i koncesionit është shpallur bashkimi i operatorëve “Marketing & Distribution” dhe kompania “Proton” sh.p.k. E para, ka si aktivitet shpërndarjen e cigareve, alkoolit, materialeve të kancelarisë, detergjentëve dhe ushqimeve, ndërsa kompania e dytë është depo farmaceutike.
Bashkimi i këtyre kompanive kishte dhënë ofertën  730 milionë e 75 mijë lekë për kryerjen e këtij shërbim, ndërsa kompanitë konkurrente, të njëjtin shërbim e ofronin për 617 milionë e 25 mijë lekë. I dyti në listën e koncesioneve të dyshimta është shërbimi i hemodializës.
Sipas dokumenteve publike të koncesionit rezulton se ky shërbim është fituar nga një kompani që ka si aktivitet një bar kafe në qytetin e Beratit në partneritet me një spital privat në Tiranë.
Kompania fituese e koncesionit të hemodializës ishte “Evita sh.p.k”, e cila përfitoi pjesën kryesore të kontratës së majme 10-vjeçare prej 86 milionë dollarësh. Zanafilla e kësaj kompanie është një bar-kafe modeste në qytetin e Beratit, ndërkohë që pronarja e saj, Majlinda Fetiu nuk rezulton të ketë lidhje me fushën e shëndetësisë.
Ministria e Shëndetësisë u përgjigj se, “Evita sh.p.k” e fitoi koncesionin për hemodializën bashkë me Spitalin Amerikan.
Më pas rezultoi se, Spitali Amerikan do të ketë vetëm 15% të aksioneve në kompaninë e re, të krijuar për operimin e koncesionit. Ndërsa koncesioni i tretë në radhë, i cili është dhënë vetëm pak kohë më parë, ka të bëjë me sterilizimin e pajisjeve kirurgjikale.
Ish-drejtues të QSU-së dhe Ministrisë së Shëndetësisë pohojnë se janë blerë aparatura moderne për sterilizimin e pajisjeve që përdoren në sallat kirurgjikale, por këto aparatura nuk janë vënë asnjëherë në punë.
Njësoj si dy koncesionet e para, edhe ai i sterilizimit të pajisjeve kirurgjikale me vlerë 100 milionë USD po hetohen nga Njësia Antikorrupsion e Prokurorisë së Krimeve të Rënda.
Kompania modeste e emigrantit shqiptar në Peruxhia të Italisë, Ilir Rrapaj, fitoi 40 për qind të kësaj kontrate, si pjesë e konsorciumit italian të udhëhequr nga “Servizi Italia”.
Kompania “Servizi Italia” ka një eksperiencë të gjatë në fushën e trajtimit të mbetjeve spitalore, ndërsa kompania e emigrantit shqiptar ka vetëm dy punonjës të regjistruar në Kosovë dhe pretendon të kryejë 40 për qind të shërbimit të sterilizimit të pajisjeve kirurgjikale.
Po ashtu pjesë e hetimit të Prokurorisë janë bërë edhe autorizimet e dhëna nga ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqja për importin e barnave të ndryshme nga kompani farmaceutike që operojnë në vend.
Edhe pse këto barna silleshin në Shqipëri nga kompani të tjera, të cilat kishin kontrata me prodhuesit në vende të ndryshme të Europës, ministri Beqja ka ndërhyrë duke dhënë autorizime të posaçme, të cilat janë komentuar nga ekspertët si antiligjore. Vetëm tri koncesionet e dhëna nga Ministria e Shëndetësisë do iu kushtojnë taksapaguesve shqiptarë mbi 300 milionë dollarë.

Exit mobile version