Karabak, Ansi Agolli titullar në suksesin e Champions League

Karabaku i Ansi Agollit është pranë kualifikimit historik në fazën e grupeve të UEFA Champions League. Mbrojtësi i kombëtares shqiptare u aktivizua titullar në sfidën e raundit të parë play off kundër FC Copenhagen, ku skuadra azere triumfoi me rezultatin 1-0. Agolli ishte një nga lojtarët më të mirë në fushën e lojës. Ai zbriti në parketin e gjelbër si pjesë e formacionit 4-3-3 në pjesën e djathtë të mbrojtjes.
Golin e vetëm të sfidës e shënoi Mahir Madatov në pjesën e parë dhe gjatë gjithë ndeshjes, kampionët e Azerbajxhanit arritën të ruanin të paprekur portën e tyre, duke hedhur një hap të madh drejt fazës tjetër edhe pse gjithçka do të vendoset pas 90 minutëshit që do të luhet në Danimarkë. Nëse Karabaku arrin të kualifikohet në fazën e grupeve, atëherë kjo do të ishte arritja më e madhe në karrierën e lojtarit kuqezi që prej shumë vitesh është një nga lojtarët më të mirë të skuadrës që po dominon futbollin azer në dekadën e fundit.
Meritë për këtë ka padyshim edhe futbollisti shqiptar, i cili prej vitesh është një nga titullarët e padiskutueshëm të Karabakut. Paraqitja e Agollit në ndeshjen e së martës u vlerësua me notën 6.5 nga portali italian “Tuttomercatoweb”. “Garanton shumë presion në krahun e majtë, sidomos në pjesën e dytë kur Karabaku hidhet në sulm për të dyfishuar shifrat”, shkruhet në përshkrimin e performancës së tij.

 

Exit mobile version