“Kapak” Xhakës!

Për një çështje që mbyllet ka një çështje që hapet në kombëtaren shqiptare, ajo që nuk ndryshon, është kërkesa maksimale për disiplinë, përkushtim dhe krenari në lidhje me fanellën kuqezi nga Christian Panucci. Trajneri i ri e nis me dorë të hekurt dhe çështja më e fundit ka të bëjë me Sokol Cikalleshin që për shkak të firmës me skuadrën e re Antaliaspor humbet grumbullimin e radhës. Shpjegimi që në krye të herës nga vetë trajneri në konferencën për shtyp. “Janë 23 futbollistë, sepse këtë mëngjes pata një telefonatë me Cikalleshin, sepse duhet të ishte i pranishëm për të firmosur me skuadrën e re. Pasi e dëgjova i theksova se nuk mund t’i jap leje. Kontratat mund të firmosen edhe nëpërmjet e-mailit apo edhe nëpërmjet menaxherit që mund të marrë avionin dhe të marrë firmën. Mund ta bënte edhe vizitën mjekësore edhe këtu në Tiranë. Duke mos ardhur në orar në grumbullim, lojtari do të qëndrojë në shtëpi, sepse janë disa rregulla të FSHF dhe të miat që duhet të respektohen. Lojtarët nuk mund të bëjnë sipas kokës së tyre”, u shpreh Panucci.
Kërkesë e hekurt për disiplinë, siç kishte paralajmëruar, në këtë drejtim Panucci nuk bën tolerim, ndërsa shpjegon më qartë edhe konceptin se për se nuk ka toleruar Cikalleshin. “Për të ardhur në kombëtare duhet të vish edhe në 5 të mëngjesit. Nëse Ajeti vjen në 5 të mëngjesit dhe Roshi udhëton gjithë natën nuk mund t’i them tjetrit eja në mesditë. Përjashtim bën rasti i Kukelit dhe Abrashit, që për shkak të linjave ajrore vijnë në një orar tjetër. Përfaqësuesja është shumë e rëndësishme, duhet vullnet dhe krenari”, tha ai.
Ndërkohë i vihet kapak çështjes Xhaka, me trajnerin që i hap dyert e Kombëtares mesfushorit që u la jashtë nga De Biasi. “Dyert e kombëtares janë të hapura për të gjithë. Xhaka ka gabuar, por më ka telefonuar ai dhe avokati i tij çështja është e mbyllur, e kam pranuar ndjesën e tij. Mungesa e tij është një zgjedhje teknike, por mund të jetë në të ardhmen. Ajo që unë bëj është në interes të Shqipërisë dhe jo në interesin personal”, tha Panucci.
Xhaka është i falur, ndërkohë rasti i Cikalleshit është në të njëjtën kohë një mesazh për të gjithë. Panucci nuk fal kur bëhet fjalë për disiplinën.

Exit mobile version