Ish-Presidenti: Ata që sulmuan protestuesit me gaz helmues do të përgjigjen

Lidhur me protestat e opozitës së bashkuar, ku nga policia përdori gazin lotsjellës ndaj protestuesve, ish-Presidenti Bujar Nishani tha në emisionin “Kjo Javë” në News24 se ai reagim ndaj masës është një akt i rëndë i penal.
“Unë jam i bindur se do të vijë dita që ai akt do të hetohet. Unë kam qenë ministër i brendshëm në një moment delikat atë të pas zgjedhjeve të 2009. Të gjithë e mbajnë mend protestën që bënte opozita e asaj kohe, pushtet sot, para KQZ. I kemi parasysh si deputetët i hidheshin sipër policisë. Atëherë është diskutuar gjatë dhe është marrë vendimi për tu mos u përdorur gazi lotsjellës. Dhe u sulmua direkt policia e KQZ dhe u refuzua gazi lotsjellës që mund të kishte ndikim edhe te njerëz që nuk ishin pjesë e dhunës. Më 16 shkurt, nuk ka pasur asnjë tentativë për të hyrë në kryeministri. Policia ka një manual për shpërndarjen e protestave, ka forca të trajnuara, që nga elementët me ndikim emocional, te mbrojtja trupore makinat me ujë, izolimi i individëve që udhëheqin turmën. Dhe asnjë prej këtyre s’u respektua, po u shkua te neni i fundit. Te Parlamenti u dëmtuar njerëz që ishin në kafene”, u shpreh Nishani.
“Në informacionet e mia sot, brenda radhëve të policisë së shtetit, ka një situatë problematike. Në tërësi punonjësit e policisë që e ndjekin situatën politike, ka një dekurajim të madh nga mënyra se si pushteti po kërkon ta përdorë policinë e shtetit apo tentativë për të infiltruar edhe individë jashtë policisë së shtetit nën uniformën e policisë së shtetit. Dhe ato koka të nxehta që tentojnë të bëjnë këto akte unë them të tërhiqen sa më parë sepse këto nuk kanë funksion as kur ka qenë diktatura dhe jo më tani kur pushteti është në prag të ndryshimit dhe të ndërrimit të poltronëve”, deklaroi Nishani.

Ish-presidenti Nishani, komentoi në studion e emisionit ‘Kjo Javë” marrëveshjen e majit 2017, mes z.Basha dhe kryeministrit Rama, për të cilën tha se pavarësisht anëve pozitive, gjatë fushatës elektorale dhe pas saj pati problematikat reale të saj.
“Historia na ka mësuar se sado të rëndësishëm të jenë palët që nënshkruajnë, në momentin kur nuk ka vullnet politik, apo kur deformohet vullneti politik për të respektuar atë që ke nënshkruar automatikisht është një dështim ajo që kë nënshkruar. Vërtet PD, mori ministrin e brendshëm, por fatkeqësisht kupola e policisë së shtetit nuk e përfilli ministrin e brendshëm, kryeministri nuk e përfilli ministrin e brendshëm dhe për fat të keq, kupola e policisë vazhdoi bashkëpunimin dhe ndihmën ndaj krimit të organizuar jo vetëm për të intimiduar qytetarët por për të detyruar qytetarët të tjetërsonin votën në interes të pushtetit”, tha Nishani.
Si ministër i brendshëm në dy palë zgjedhje, nishani tha se nëse do ishin sjellë, si u soll policia në zgjedhjet e 2017, në 2009 PD mund t’i kishte marrë edhe 80 mandate.
Lidhur me një zgjidhje të krizës aktuale politike, Nishani se kemi të bëjmë me një situatë shumë të vështirë e të paprecedentë edhe në raportin e përgjegjshmërisë të drejtuesit të maxhorancës.
“Situata është komplekse dhe shumë e vështirë. Sot opozita ka bërë një zgjedhje të mençur, sepse ka shkuar te populli opozitar. Mua më rezulton se populli opozitar është një shumicë dërrmuese është apo jo i tëri në shesh.
Sot ka një shumicë dërrmuese një pjesë e heshtur, kundër kryeministër që kërkon një ndryshim radikal. Dhe kjo është detyrë e opozitës”, vijoi më tej Nishani, ndërsa theksoi se elementi kryesor është protesta.

“Presioni opozitar është duke u rritur nga dita në ditë. Ka një nerv të irrituar të opinioni publik dhe shpresoj që kryeministri si përgjegjësi kryesor, shpresoj të ketë informacionet e duhura dhe për problematika më kërcënuese në lidhje me stabilitetin e brendshëm shoqëror. Jemi në pragun e një krize problematike financiare”.
Sa i takon krizës, Nishani thotë se padyshim zgjidhja e saj do të jetë politike.
“Isha President i Republikës në marrëveshjen e 2017, mu kërkua që t’i prisja në zyrë e të ndërmjetësoja. Pashë që qeveria nuk kishte seriozitet në atë çka shtrohej në tryezë dhe marrëveshja u arrit jashtë zyrës së Presidentit. Por gjithsesi, institucioni i Presidentit të Republikës mbetet një i rëndësishëm dhe i gatshëm për të lehtësuar gjetjen e zgjidhjes. Por unë mendoj që ajo që ndodhi në 2017 është një mësim i madh dhe kërkon garanci të forta, ndoshta përtej institucionit të presidentit, nuk mund ta përjashtosh institucionin, por janë çështje që mbeten nga vullneti politik.
“Kryeministri duhet të largohet nga rruga, dhe duhet të krijojë besueshmëri. Brenda PS ka institucione grupime e individë që mund të krijojnë besueshmërinë e një dialogu me opozitën. Nuk mendoj se presidenti është i panevojshëm, duke pasur parasysh eksperiencën time dhe krizën sot mund të kërkohen palë përtej Presidentit të Republikës”, tha më tej Nishani.

Exit mobile version