Interi do marrë 4 futbollistë nga United

Zhoze Murinjo i vjen “në ndihmë” Interit duke “parkuar” në “San Siro” katër prej futbollistëve, të cilët nuk kanë më vend në formacionin e tij. Sipas mediave angleze, “Suning Group” është në ndjekje të goditjeve “të lira” dhe për këtë arsye, vëmendja është përqendruar e gjitha në “Old Trafford”, atje ku trajneri portugez është gati që të nisë spastrimet.
Mësohet se Interi është e interesuar për të afruar plot katër “Djaj të kuq”. Tre prej tyre kanë mbërritur në “Old Trafford” me kërkesë të Luis van Galit, i cili nuk tregoi nuhatjen që e karakterizon kur vendosi që të nënshkruante me Darmianin, Blindin dhe Depajin. Përveç tre të lartpërmendurve, Interi kërkon edhe shërbimet e Kris Smollingut. Mbrojtësi anglez do të blihej për t’i dhënë Piolit mundësi zgjedhjeje.
Për momentin, vetëm Mateo Darmian ka më shumë shanse që të transferohet në Milano. Interi po vuan prej kohësh për një mbrojtës krahu dhe mendohet se ka shprehur interes të madh për italianin shumë javë më parë. Edhe Darmian do të ishte i lumtur që të largohej nga “Old Trafford”-i, pasi ka humbur besimin e Murinjos, i cili preferon gjithmonë Valencian.
Shanset që Depaji të transferohet në Milano janë të vogla, pasi holandezi nuk do që të largohet nga Premier Liga. Në rast se Murinjo e zbon me “dhunë”, atëherë “tulipani” u ka bërë me dije “djajve” se do që të transferohet në një tjetër klub në ishull. Sa u përket zërave që flasin për Blindin dhe Smollingun, mendohet se shanset që ata të largohen me destinacion Milanon janë të pakta.

Exit mobile version