Impianti i djegies së plehrave në Elbasan, përplasje në Këshillin Bashkiak

Impianti i djegies së plehrave ka shkaktuar debate në Këshillin Bashkiak të Elbasanit. Sipas kryetarit të këshilltarëve të djathtë, Blendi Himçi nuk ka asnjë informacion në lidhje me inceneratorin, se nga do të vijë, cila do të jetë norma e shkarkimit të gazrave në atmosferë, etj. Ai tha se, ky incenerator rrezikon t’i kthejë Elbasanit Metalurgjikun e dikurshëm. Kryetari i Partisë Demokratike, Aurel Bylykbashi ka sulmuar direkt qeverinë dhe pushtetin vendor lidhur me këtë impiant. Ai e ka cilësuar këtë aferë si një “Çernobil” në kurriz të qytetarëve elbasanas. Por Kryetari i Bashkisë Qazim Sejdini i cilësoi gjithë akuzat si të motivuara politikisht duke ndërtuar një opinion negativ me investimin gjigant që u bë me fushën e vjetër dhe me fushën e re të plehrave. Ai është treguar i gatshëm për ndërmjetësimin e një interpelancë transparence në këshill të përfaqësuesve të firmës dhe Ministrisë së Mjedisit.
Kundër ndërtimit të impiantit të djegies së plehrave ka dalë edhe Shoqëria Civile në Elbasan. Një organizim, “Të rinjtë kundër plehrave” i krijuar rishtas si përfaqësues të Shoqërisë Civile në Elbasan, kanë iniciuar kundërshtimin e ndërtimit të inceretorit të djegies së mbeturinave në këtë qytet. Në një deklaratë për shtyp ata u shprehën se, grupimi ka për qëllim që të sensibilizojë qytetarët e Elbasanit për të kundërshtuar ndërtimin e impiantit të djegies së plehrave në këtë qytet. Sipas tyre, ndërtimi i inceretorit në një zonë të populluar dhe ku mungon transparenca e plotë nënkupton se për qytetarët e Elbasanit po krijohet një vatër e re e helmit nga plehrat.
Të rinjtë shprehen se, kanë përshëndetur lëvizjen e fushës së vjetër të plehrave. Por sipas tyre, kjo nuk e justifikon që nga një tym kancerogjen që dilte në gjendje të lirë, që kalon një formë më të sofistikuar, në një tym të kontrolluar që del në oxhak. Kjo, sipas tyre, është ndotja e sofistikuar që pret banorët e këtij qyteti, që kanë vuajtur për dekada me radhë tymin e Metalurgjikut, por që është akoma më i rrezikshëm se tymi i oxhaqeve të tij.
Grupimi ka paralajmëruar një valë protestash e para e të cilave do të zhvillohet më 3 dhjetor para Prefekturës Elbasan, ku pritet të mbështetet pasivisht nga qytetarët elbasanas. Bëhet e ditur se, qindra qytetarë janë solidarizuar me inciativën e të rinjve për të protestuar kundër fabrikës së djegies së plehrave.

Exit mobile version