Ikja masive, BE ktheu 42 mijë e 600 emigrantë ilegalë nga Shqipëria

Shifër e frikshme. Bashkimi Europian ktheu mbrapsht 42 mijë e 600 emigrantë ilegalë nga Shqipëria gjatë vitit të kaluar. Lajmin e ka bërë publik Instituti Europian i Statisitikave, i cili raportoi se shqiptarët kryesojnë listën e kthimeve nga vendet e BE me diferencë të madhe nga vendet e tjera. Sipas Eurostat, gjatë vitit 2016, vendet e Bashkimit Europian urdhëruan kthimin e 226 mijë emigrantëve të paligjshëm në total. Ky është numri më i lartë që nga viti 2008, kur Eurostat nisi të publikojë statistikat për hyrje-daljet e emigrantëve dhe çdo një në pesë të kthyer ishte shqiptar. Pas shqiptarëve, në vendin e dytë renditen emigrantët nga Ukraina me 22 mijë e 600 të kthyer. Iraku mban vendin e tretë me 17 mijë e 100 emigrantë të riatdhesuar, ndërsa në vendin e katërt renditet një tjetër shtet shqiptar, Kosova me mbi 13 mijë riatdhesime. Të dhënat zyrtare tregojnë se shqiptarët vazhdojnë të emigrojnë me ritme të larta drej vendeve të Bashkimit Europian. Sipas Eurostat, vetëm në tre vitet e fundit 2014-2016, në vendet e BE-së kanë hyrë mbi 118 mijë emigrantë të paligjshëm nga Shqipëria. Shumica dërrmuese e tyre, përkatësisht 101 mijë vetë janë kthyer mbrapsht me forcë, një proces i cili vazhdon edhe gjatë 2017-ës.

Statistikat

Sipas statistikave europiane, të paktën 32 mijë shqiptarë kanë kërkuar azil vitin e kaluar në vendet e Bashkimit Europian. Nga këta, 7.445 shqiptarë aplikuan për azil në Francë. Më datë 15 qershor, në media do të qarkullonte lajmi se 10 familje prej dy muajsh jetojnë në çadra të improvizuara në një lagje të Lionit. Ky numër është rritur së tepërmi, çka do të thotë se numri është shtuar më shumë pas datës 26 qershor. Ky është vetëm një ndër kampet që janë ngritur në Lion të Francës dhe hemorragjia vazhdon edhe sot. Në fakt ka një tkurrje të prurjeve të emigrantëve nga Afganistani apo Siria përgjatë fundit të muajve të 2016 dhe vitit 2017. Vetëm nga Shqipëria jo. Këtu po flasim vetëm për të dhënat zyrtare që po synojnë kufijtë e BE, po ka shumë nga ata që megjithëse janë kthyer një herë dhe i është refuzuar azili i qëndrimit tentojnë të ikin sërish. Kjo është vetëm shenja e parë dhe nuk përjashtohet mundësia që të ketë të tjera grupe në vijim. Kjo ndodh kur pushteti uzurpohet nga despotë dhe nga njerëz që të vetmen alternativë kanë vetëm vjedhjen dhe korrupsionin. Në fakt, një sondazh i Gallup, jepte alarmin përpara zgjedhjeve se, 56 për qind e shqiptarëve kërkojnë të emigrojnë.

Përse largohen?

Në fakt vendet që braktisen në shumicën e rasteve janë ato që nuk kanë shpresë. Në Shqipëri mungon gjithçka, mungon punësimi, mungojnë të ardhurat, mungon perspektiva. Të pyetur se përse largohen, ata shprehen qartazi se arsyeja e parë është mungesa e punësimit dhe të ardhurat e pakta për të siguruar minimumin jetik për familjen. “Jemi pa punë, pa të ardhura, pa asgjë. Çfarë do të bëjmë atje, s’ka asnjë lloj mënyre për të jetuar. Këtu do të shohim ndonjë mundësi se është vend i madh, por dhe politikat janë të tilla që të paktën fëmijët të arrijnë të kenë një të ardhme”, thotë njëri prej tyre. Por Edi Rama në fushatë elektorale kishte vetëm mendjen tek tepsia se si ta gllabëronte i vetëm dhe asnjëherë nuk përmendi hallet e njerëzve, por mendoi se si t’u blinte votën pjesës më të madhe të shtresës së pambrojtur. Ajo pjesë që i rezistoi këtij tundimi sot shikon se ku mund të gjejë zgjidhjen dhe ajo mbetet një dhe unike. Të ikin nga sytë këmbët, më mirë atje në çadër në Lion apo gjetkë sesa në një Shqipëri, e cila nuk afron asgjë, në radhë të parë nuk afron shpresë. Shumica e shqiptarëve sot jetojnë nën minimumin jetik dhe kjo ishte një tjetër arsye se përse shumë prej tyre s’e menduan gjatë para se të shisnin votën. Vota u shit me idenë se si ta shtyjmë dhe një ditë më shumë për të plotësuar pak nga ato shumë nevoja jetike që kanë dhe jemi këtu ku jemi. Shqiptarët vazhdojnë të lenë Shqipërinë e tyre dhe kjo është një nga gjërat më të rënda që i ndodh një vendi. Të ikë forca më e kualifikuar e punës, një investim dhjetëra vjeçar do të thotë që një vend të rrënohet. Të ikin fëmijët e të rinjtë do të thotë që një vend të shkojë me shpejtësi drejt plakjes. Në rast se vazhdon me këtë ritëm të ikjes dhe braktisjeve ndoshta s’do të jetë e largët dita kur në Shqipëri nuk do të flitet më për popullsi të aftë për punë, por vetëm për popullsi të aftë për të tërhequr pensionin e pleqërisë.

Exit mobile version