Humbja në Champions

Rikompozim i Juventusit. Trajneri i bardhezinjve, Masimiliano Allegri është realist, por ashtu njësoj si pjesa më e madhe e mbështetësve të “Zonjës së Vjetër” edhe ai e kishte përkëdhelur idenë e fitimit të Champions League, pavarësisht faktit se ishte i vetëdijshëm për diferencën jo të vogël mes dy skuadrave. “Do të qëndroj tek Juve dhe do të tentojmë sërish vitin e ardhshëm”, kështu u shpreh Allegri pas përfundimit të ndeshjes. Tekniku 49-vjeçar është një njeri ambicioz dhe dëshiron shumë të bëjë një tentativë të fundit, por më parë duhet të ulet në tavolinë me drejtuesit dhe të bisedojë me ta për të ardhmen. Përcaktimi i objektivave për sezonin e ardhshëm, me Championsin si objektiv primar, por dhe rinovimi i kontratës. 5 milionë euro përfiton momentalisht tekniku dhe pritet një vendim nga ana e tij deri ditën e mërkurë, ditë në të cilën do të ketë dhe një takim me drejtorin e Përgjithshëm Beppe Marotta. Në krahun tjetër e pret PSG me një ofertë faraonike prej 10 milionë eurosh në sezon. Nuk mbaron me kaq. Në radhët e bardhezinjve pritet dhe një rikompozim i mbrojtjes. 98 vjeç është reparti i prapavijës së Juventusit. Lenardo Bonucci në një postim në Instagramin e tij shprehej se nuk e mohon zhgënjimin dhe se ndihet krenar që ishte pjesë e këtij grupi futbollistësh. Pak a shumë një lamtumirë e mbrojtësit. Dihet tashmë se shumë skuadra të mëdha e duan 30-vjeçarin, mes tyre Chelsea, Man.City dhe Reali i Madridit. E ardhmja? Shumë shpejt do të merret vesh. Andrea Barzagli dhe Giorgio Chiellini do të jenë edhe për sezonin e ardhshëm. Kontrata e tyre skadon më 2018, por edhe këta kanë peshën e tyre të fajit. Rugani ende nuk është i përgatitur për ndeshje të një niveli të lartë, Benatia nuk është Sergio Ramos. Në mesfushë gjithashtu ndoshta nevojitet diçka e re. Rikompozimi i skuadrës tashmë duket i pashmangshëm.
Ish-mesfushori i Juventusit, Angelo di Livio ka thënë se Gonzalo Higuain ka qenë dështimi më i madh në finale të Ligës së Kampionëve. Di Livio tha se ka pritur shumë nga Higuain, por ai nuk bëri asgjë, duke mos rrezikuar pothuajse fare. Ai po ashtu tha se Juventus ndryshoi shumë në pjesën e dytë, pasi i shpenzuan të gjitha energjitë në pjesën e parë dhe kjo ndikoi shumë.
“Kush më zhgënjeu më së shumti? Higuain. Kam pritur shumë nga Pipita, të paktën në aspektin teknik dhe në dëshirën për të shënuar”, tha Di Libio për “Il Mattino”. “Ai më dha përshtypje tjetër nga skuadra. Askush në Juventus nuk tentoi të bënte dallimin, por Higuain u vërejt më së shumti, në aspektin negativ”. “Kishte dallim të madh në mes të pjesës së parë dhe të dytë. Juventus e konsumoi energjinë në 45 minutat e parë. Ata në pjesën e dytë e zhdukën”. Juventus në finale të Ligës së Kampionëve u mposht 4:1 nga Real Madrid, duke humbur kështu finalen e pestë me radhë.

Exit mobile version