Holanda homazhe për Cruyff

Homazhe emocionuese në Hollandë-Francë për Johan Cruyff, legjendën e futbollit holandez dhe botëror që u nda nga jeta të enjten në moshën 68-vjeçare. Në minutën e 14 të takimit, i njëjti numër me atë që Cruyff mbajti mbi shpinë, stadiumi ndali në një minutë heshtje për të kujtuar holandezin fluturues.
Më pas duartrokitjet e gjata, të shoqëruara nga një banderolë gjigante e Cruyff, për të kujtuar një nga lojtarët më të rëndësishëm në historinë e futbollit. Momente vërtet emocionuese. Ndeshja miqësore në “Amsterdam Arena” ku Franca, rivale e Shqipërisë në Grupin A të Europianit, mposhti 2-3 Holandën nisi që në fillim me një minutë heshtje në  kujtim të viktimave të Brukselit.
Franca kaloi na avantazh shumë shpejt, që në minutën e 6 me Griezman, që shënoi me një të majtë potente dhe precize. Në të 13, një minutë para se tërë stadiumi të ndalej për Cruyff, skuadra e Deschamps, dyfishoi me Giroud që pas një goditje këndi bëri një rrotullim të bukur në zonë. 2-0 në një pjesë të parë që kujtoi të gjitha motivet se pse Franca synon ta fitojë Europianin e shtëpisë dhe se pse Holanda nuk arriti të kualifikohej. Në pjesën e dytë gjithsesi tulipanët reaguan të ndihmuar dhe nga arbitri gjerman Zwayer që nuk pa prekjen me dorë që njollos golin e De Jong. Barazimi erdhi 4 minuta nga fundi me Afellay që shfrytëzoi pasivitetin e mbrojtjes mike në një korne. Por vetëm 2 minuta më pas, Matuidi gjeti golin që vendosi fitoren e Francës me Holandën që nuk mundi ta përshëndesë me një sukses legjendën e saj Cruyff.
Në takimet e tjera miqësore, Zvicra, një tjetër rivale e Shqipërisë në Grupin A, humbi 1-0 në Dublin përballë Irlandës së Martin O’Neill. Në “Aviva Stadium” ndeshja u vendos nga goli pas vetëm dy minutash i Clark. Goditje këndi për të zotët e shtëpisë dhe goditje me kokë e Duffy që zgjati për Clark i cili shënoi.
Kundërshtari i Shqipërisë në miqësoren e 29 Marsit, Luksemburgu u mund 3-0 nga Bosnje Hercegovina në Josy Barthel. Në minutën e 73-të, Susiç krosoi nga e djathta për Dzekon me Chanot që në tentativë për t’i paraprirë dërgoi topin në portën e tij. Pas dy minutash, Bosnja dyfishoi, me goditjen e sigurt të Dzekos që u përplas në këmbën e Duriç dhe shkoi në rrjetë. Në finale erdhi dhe goditja perfekte e Miralem Pjaniç që kaloi barrierën mbrojtëse për të vulosur rezultatin përfundimtar 3-0.
Humbet në shtëpi Portugalia, që u mposht 1-0 nga Bullgaria me një gol të Marcelinhos në minutën e 19. Për të shënuar Ronaldo që këtë herë imiton Mesin duke humbur një penallti, pasi u mposht në duelin nga pika e bardhë në minutën e 67 nga portieri Stoyanov. Bullgaria bëri atë që Shqipëria e kishte bërë prej kohësh, mposhti në transfertë Portugalinë e Cristiano Ronaldos. Goli i Marcelinhos mjaftoi që kombëtarja ballkanase të arrijë një fitore, ndërsa ylli i Realit humbi mundësinë më të mirë për të barazuar në minutën e 67, kur dështoi nga pika e bardhë.
Bosnja Hercegovina fitoi 3-0 në transfertë ndaj Luksemburgut. Të gjitha golat u shënuan në 20 minutat e fundit të ndeshjes. Fillimisht Chanot shënoi në portën e gabuar, ndërsa më pas Djuriç e Pjaniç vulosën fitoren e boshnjakëve.
Përfunduan pa gola, ndërkohë dhe dy sfidat e tjera europiane, ajo mes Sllovakisë dhe Letonisë, ashtu si dhe ajo mes Armenisë dhe Bjellorusisë.

Exit mobile version