Gjiknuri i prish fermën e ullinjve pronarit për zhavorrin bituminoz

Ministri i Energjetikës, Damian Gjiknuri i ka shtrirë kthetrat e tij deri në Selenicë të Vlorës. Për të mos dalë vetë në skenë, ai ka futur njerëzit e tij të afërt për të ngritur një aktivitet për nxjerrjen e zhavorrit bituminoz. Kjo ndërmarrje po tentohet të ngrihet mbi biznesin e një fermeri që ka investuar 300 mijë dollarë për fermën e ullinjve. Luman Kapaj thotë se, bashkë me 5 vëllezërit e tij ka mbjellë 2 mijë rrënjë ullinj në fermën e ndërtuar në tokën e gjyshërve të tij në fshatin Resulaj të Selenicës. Ky investim është bërë nga vëllezërit Kapaj gjatë këtyre 25 viteve të demokracisë.
Lumani shprehet se ka ndërtuar edhe një linjë elektrike në bashkëpunim me Ndërmarrjen Elektrike për fermën e ullinjve, por prej një muaji atij i është ndërprerë energjia për ta detyruar që të largohet nga ferma e tij me ullinj. Njerëz me pushtet i kanë thënë atij që të largohet, sepse në tokën e gjyshërve të tij ku ai ka investuar për ullinjtë do të ndërtohet një ndërmarrje për nxjerrjen e zhavorrit bituminoz. Pas gjithë kësaj skeme mafioze qëndron ministri i Energjetikës, Damian Gjiknuri. Njerëzit e Gjiknurit kanë nisur të ushtrojnë presion ndaj tij dhe para dhjetë ditëve i kanë shkaktuar një dëm prej 10 milionë lekësh, duke i shkatërruar, pompat, elektromotorët etj. Policia nuk ka ndërhyrë, ndonëse është njoftuar.
“Kami bërë një investim si vëllezër me ullinj mbi 300 mijë dollarë gjatë këtyre 25 vjeteve. Kemi investuar me lekët tona për një linjë të tensionit të mesëm. Linjën e ndërtoi Ndërmarrja Elektrike me personelin e saj inxhiniero-teknik. Linja elektrike u bë me tubo hekuri 8 metër mbi tokë, tepër të forta dhe të drejta. U ndërtua edhe gabina elektrike tepër funksionale. Linja ndodhet në Resulaj të Selenicës. Kam edhe shtëpi atje në pronën time. Ishin inxhinierët që e miratuan ndërtimin e kësaj linje elektrtrike që në korrik të vitit 2008. Erdhën 20 inxhinierë që e miratuan. Për të mbrojtur ullinjtë nga zjarri ne kemi rezervuar ujë të bollshm. Kemi investuar 20 mijë dollarë vetëm për ujin”, shprehet Luman Kapaj.
Ai thotë më tej se, linja elektrike tani është e shtetit dhe marrin energji edhe mjaft familje të tjera, duke paguar rregullisht faturat. “Tek linja ime kanë marrë dhe të tjerë dhe e paguajmë rregullisht energjinë elektrike. Linja është e shtetit tani. Unë bëra kontratë dhe e kam kontratën. Erjon Osmëni, drejtor i OSHEE të Vlorës, thotë do ta mbyllë duke më lënë afat deri më 30 shtator. Unë i kam thënë linja është e jotja tani, unë kam kontratë me ty për tension të ulët. Inspektori i Sigurimit Teknik të Jugut, e mbështet. Ai thotë se linja është në rregull. Linja është hedhur në hartë që në vitin 2008, kur ishte drejtor Arqile Kumja”, thotë Luman Kapaj.
Ai thotë se gjithçka po bëhet për të goditur biznesin e tij, sepse nuk ka mbështetje nga qeveria e majtë. Luman Kapaj njihet si një mbështetës i Partisë Demokratike dhe për këtë qëllim, ai po goditet nga ministri Gjiknuri dhe njerëzit e tjerë me pushtet. Sulmet ndaj tij kanë nisur që në muajin shkurt të këtij viti, pasi ai shoqëroi kryetarin e PD në takimet që u zhvilluan në Vlorë. Pas dhjetë ditësh ai është pushuar nga puna, ndonëse ishte një nga specialistët më të mirë.
“Më 15 shkurt shoqërova kryetarin e PD, Lulzim Basha dhe që nga ajo ditë nisën të më godasin.
Gjithçka po bëhet për të më goditur mua dhe biznesin tim. Pas këtij skandali qëndron ministri i Energjetikës, Damian Gjknuri. Ministri Gjiknuri po godet biznesin tim sepse do që të nxjerrë zhavorr bituminoz te tokat e gjyshërve të mi. Para 3 muajve më dërgojnë, njerëz të cilët më thanë se, “po na pengon kjo linja jote”. Unë menjëherë i jam drejtuar ministrit Damian Gjiknuri, duke i thënë që mos japë licencë mbi toka buke se ato janë tonat dhe janë ndarë me Ligjin 7501. Energjia më është prerë me urdhër të Gjiknurit, sepse ai ka interesat e tij në këtë biznes që duan të nisin në tokat tona. Njerëzit e Gjiknurit thonë se gjoja linja ka probleme teknike, por ky është një mashtrim, sepse Inspektori i Sigurimit Teknik të Jugut deklaron se, kjo linjë nuk ka asnjë problem nga sigurimi teknik. Me këtë mënyrë, mafia thotë ik ti nga shtëpia jote se do e marrim ne. Unë për këtë problem lajmërova deputetin e zonës dhe juristët shprehen se gjithçka është konform ligjeve të shtetit”, përfundon Luman Kapaj.
Specialistët janë shprehur kundër prishjes së linjës elektrike, pasi ajo është ndërtuar nga vetë shteti me investimin e bërë nga vëllezërit Kapaj. Sipas tyre, kjo linjë është funksionale dhe u vjen në ndihmë banorëve të zonës dhe bizneseve të ngrituara gjatë këtyre viteve të fundit.

Exit mobile version