FRPD protestë para Kryeministrisë: Është koha të rrëzohet Edi Rama!

Të rinjtë e Forumit Rinor të Partisë Demokratike zhvilluan ditën e sotme një protestë përpara kryeministrisë, ku kanë përkujtuar 20 shkurtin e vitit ’91, që kulmoi me rrëzimin e bustit të diktatorit Enver Hoxha.

Të rinjtë u shprehën se si pasojë e qeverisjes së Edi Ramës, të rinjtë po largohen çdo ditë e më shumë nga vendi, pasi papunësia dhe mungesa e shpresës e bëjnë të pamundur jetesën e tyre në Shqipëri.

Kreu i FRPD, Belind Këlliçi u shpreh se, Partia Demokratike do ta sjellë ndryshimin, dhe hapi i parë i qeverisë së Bashës do të jetë anulimi i ligjit për arsimin e lartë.

“PD do të sjellë ndryshimin. Hapi i parë do të jetë anulimi i ligjit të lartë. Do to miratojë një ligj që i shërben të rinjve. Në Shqipëri nën drejtimin e PD do të vlojnë idetë, do të gëzojnë më të mirë dhe do të ketë vitalitet e shpresë”, u shpreh një nga protestuesit.

“Një diktator i ri po lind në vend, i cili ka vrarë shpresën e të rinjve që janë detyruar të largohen nga vendi”, tha një prej të rinjve gjatë fjalës së tij.

“Të rinjtë nuk përfaqësohen nga kjo qeveri e dalë nga krimi”, u shpreh një tjetër i ri, student në Fakultetin e Mjekësisë, i cili theksoi se shqiptarët nuk e marrin ashtu siç duhet shërbimin shëndetësor.

“Shqipëria nuk është vetëm, por jemi vendi që 7 vite nuk ka rritje pagash, u kthyem në turpin e Europës. Jemi vendi ku diktatori Edi Rama i ka braktisur qytetarët. Ne po na fusin në Mini Shengenin Ballkanik, kjo është tradhëtia më e madhe”.

Ndërsa dëgjohen me thirrjet e tyre: “Nga krimi nga droga na iku Europa”, ata kërkojnë rikthimin e dinjitetit, të shpresës me dëshirën për të mos u larguar nga Shqipëria.

Ndërkohë të rinjtë u shprehën se nuk përfaqësohen nga qeveria dhe se nuk kanë asnjë mundësi për të ardhmen. Të rinjtë theksuan se hasen me probleme burokratike.

Gjatë fjalës së tij një prej të rinjve u ndal edhe te problematikat që hasin në sistemin shëndetësor, ndërsa theksoi se taksat sa vijnë e rriten. “Boll më kanë ikur njerëz nga Shqipëria, është koha të largohet Edi Rama”, shprehen ata.

Ndërsa u ndalën te ligji i Arsimit të Lartë ata theksuan se ligji është në kundërshtim me kërkesat e studentëve: “Ligji nuk ka asnjë sukses, nuk prodhohet asnjë produkt shkencor”, theksoi gjatë fjalës së tij një prej të rinjve.

1 61

Exit mobile version